Çështja "Tahiri" në Bruksel, lobingu i kryeministrit dhe shefit të opozitës me krerët e BE-së. Detajet e bisedimeve

Tahiri ‘shkon’ në Bruksel, Basha: Pengesa kryesore kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua në Bruksel me Presidentin e Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul. Pozita e vështirë në të cilën qeveria e ka vënë Shqipërinë dhe integrimin e saj evropian, ishte tema kryesore e takimit.

"Kryetari i opozitës ndau me Presidentin e PPE, shqetësimin se mbrojtja politike, përmes imunitetit parlamentar, e ish Ministrit të Brendshëm Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, dështimi i policisë për të arrestuar tre ish drejtues të lartë të saj për të njëjtën dosje droge, si dhe përpjekja për të emëruar një Prokuror të Përgjithshëm vetëm me votat e PS, janë veprime te qeverisë për të penguar drejtësinë dhe që minojnë shanset e vendit për integrim evropian", thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit pranë Partisë Demokratike. Me Presidentin Daul u bisedua edhe rreth shqetësimit të shumë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në drejtim të hapave që vend ynë duhet të ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rezultatet në luftën kundër krimit, drogës dhe korrupsionit konsiderohen si kushte të patejkalueshme për integrimin evropian të Shqipërisë. Kreu i PD tha se interesi më i mirë i shqiptarëve është nisja e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kërcënimi dhe pengesa kryesore mbetet kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë së vendit.

Për të avancuar projektin evropian të vendit opozita ka parashtruar si zgjidhje politike krijimin e një qeverie antimafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryetari Basha e falënderoi Presidentin e PPE-së Joseph Daul si një nga zërat e parë të Evropës që denoncoi kriminalizimin dhe fenomenin e kanabizimit të Shqipërisë. Presidenti Daul i garantoi Lulzim Bashës mbështetje të plotë të PPE-së për Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse.