Ervin Salianji: Do të bëhem një zë i fuqishëm i alternativës dhe vendimmarrjes i FRPD

413
Ervin Salianji, kandidati për kryetar i FRPD në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se, FRPD është në proces riorganizimi, riifuqizimi, gara është e hapur dhe e barabartë, kryetari do të zgjidhet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Zoti Salianji, pohon se nëse zgjidhet kryetari i FRPD, do të bëhet një zë i fuqishëm i alternativës dhe i vendimmarrjes dhe do të vendos sistemin e meritokracisë. 

-Zoti Salianji, si e shpjegoni ju që studentët protestuan ndaj politikës së qeverisë për Arsimin e Lartë, fuqishëm, aq sa po bëhen pikë referimi për të gjithë, ndërkohë forumi rinor i PD dhe i opozitës është “ndryshkur”, është inaktiv?
– PD, kryetari i saj Basha kanë qenë prerazi kundër politikës së qeverisë për Ligjin e Arsimit të Lartë. Duke qenë se ky ligj dëmton një grup aktiv siç janë studentët, reagimet e tyre kanë qenë më të forta e dinamike. Reagime ka pasur dhe nga shoqëria civile dhe nga PD, e cila është zëri më i fuqishëm opozitar, alternativa qeverisëse, partia e cila shumë shpejt do të marrë pushtetin për t’iu kthyer shqiptarëve shpresën e humbur nga kjo maxhorancë e korruptuar e klienteliste. Protestat nga të rinjtë e PD nuk kanë munguar, ajo që ka munguar është vëmendja e mediave ndaj tyre. Nuk është e vërtetë që Forumi rinor demokrat është inaktiv. FRPD është në proces riorganizimi, rifreskimi dhe rifuqizimi duke bashkuar të gjitha kontributet rreth strukturave rinore. Ju rikujtoj të gjithë gjimnazistëve, studentëve, të rinjve kudo që ndodhen, në çdo cep të Shqipërisë, t’i bashkohen familjes tonë të madhe duke u anëtarësuar në FRPD, sepse ky forum do të jetë shpirti dhe motori i kësaj partie politike , karburanti që do furnizojë protestat me mijëra të rinj që do të shndërrohen në tmerrin e kësaj qeverie anti shqiptare.

– PD, herë pas here ka paralajmëruar protesta për shumë çështje të keqqeverisjes, por deri tani PD është mjaftuar me opozitë deklarative. Përse?
– PD ka protestuar vazhdimisht. Po të ktheheni në retrospektive, do të kujtoni që opozitën ne e nisëm me protesta. Në nëntor u protestua për vjedhjen e votave nga ana e maxhorancës, duke vazhduar me protestat për rritjen e çmimit të energjisë e kështu me radhë. Në çdo cep të Shqipërisë është protestuar. Kam qenë thuajse në çdo protestë të organizuar nga PD për problemet që shqetësojnë qytetarët shqiptarë si dhe për shkeljet e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Përpos protestave, PD ka dhënë alternativën qeverisëse, ka dhënë amendime ligjore në parlament, si dhe ka organizuar tryeza me ekspertë dhe grupe interesi për çështje të caktuara. Opozita Deklarative (siç e quani ju) është një tjetër mjet për të bërë transparencë ndaj qytetarëve shqiptarë për trafiqet, korrupsionin, klientelizmin, vjedhjen, dhunën që kjo qeveri po ushtron ndaj qytetarëve shqiptarëve. Të gjitha format e opozitës janë të nevojshme, për t’i çjerrë maskën kësaj maxhorance të krimbur në krime, zullume e paturpësi. 

– Të rinjtë shqiptarë zhgënjehen çdo ditë nga politikëbërja, qoftë mazhoranca, qoftë opozita, pasi politika e tyre nuk u jep shpresën e të ardhmes së tyre. Atëherë ju çfarë motivi u jepni të rinjve, kur i ftoni të jenë aktivë me ju?
– Zhgënjimi i të rinjve nga mazhoranca është i faktuar me emigracionin masiv që është krijuar si rrjedhojë e keqqeverisjes. Shqiptarët po kthehen 25 vite mbrapa, por tanimë jo me dëshirën e nxitur nga kureshtja për të ndërtuar një të ardhme në Europë, por të detyruar nga varfëria, papunësia, mungesa e rendit dhe sigurisë të krijuara vetëm për 2 vjet qeverisje. E them me bindje që plaga sociale e emigracionit masiv u krijua nga maxhoranca Rama-Meta, duke ju referuar liberalizimit të vizave ne 2011. Kur ky proces i shumë pritur ndodhi, Rama dhe megafonat e tij qeveritarë trumbetuan me të madhe se Shqipëria do boshatisej nga të rinjtë. Shifrat folën krejt të kundërtën. Sot të rinjtë e pashpresë e të trembur nga kapja e pushtetit nga bota e krimit po dynden drejt Gjermanisë e vendeve të tjera të BE. Shqiptarët janë kthyer në “Të mjerët”, që kanë mbushur burgjet. Burgosen e përndiqen ata që nuk paguajnë energjinë, ndërkohë që qeveritarët e vendit me të varfër në Europë tashmë dhe falë tyre, ndërrojnë makinat sipas vaniteteve të ditës. Ne do motivojmë të rinjtë shqiptarë duke i ofruar alternativën e shëndoshjes së shoqërisë dhe jo xhepave të qeveritarëve. Do të bëjmë shkollë politike, që të rinjtë t’i thellojnë dijet në ideologjitë politike dhe alternativat më te mira qeverisëse. Ne do ta bëjmë forumin rinor komunitet, ku të rinjtë t’i bashkojnë vlerat dhe dashuria për vendin.

– Deri tani në krye të forumeve, zakonisht zgjidhen të preferuarit e kryetarit të partisë ose të kryesisë. Në garën tuaj, përse duhet të besojmë që kryetari i FRPD do të zgjidhet nga vota e të rinjve?
– Kryetari i PD, zoti Lulzim Basha ka nisur një proces të pashfaqur më parë në skenën politike shqiptare, zgjedhjen e kryetarit të FRPD me modelin ‘një anëtar një votë’. Të gjithë të rinjtë që do të anëtarësohen deri në datën 12 nëntor dhe do të jenë pjesë e FRPD, do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e tyre, ose të parin mes të barabartëve, që do të ketë nderin dhe përgjegjësinë për të drejtuar këtë forum. Gara është e lirë, e hapur, e ndershme, mes 6 kandidatëve, të cilët janë vlera përfaqësuese të PD. Ka shumë të rinj të tjerë me vlera në PD, të cilët mund të kandidonin përkrah nesh, dhe kjo na bën të ndihemi sa me fat po aq dhe të përgjegjshëm për ecurinë e garës. I preferuari i Kryetarit është vendimi që do japin mijëra të rinj.

– Nëse mundeni, mund të na thoni ju, ku gjykoni që keni përparësi krahasuar me kandidatët e tjerë për kryetarin e FRPD?
– Përparësia ime është njohja e terrenit dhe e strukturave të PD. Kam bërë karrierë vertikale dhe i kam ngjitur shkallët një e nga një. Vij nga një familje e angazhuar në PD, dhe si rrjedhoje fëmijëria dhe adoleshenca ime ka kaluar në strukturat e kësaj partie, nëpër mitingje, duke ngjitur postera, duke organizuar studentë në shkollë e kështu me radhë. Me ringritjen e disa strukturave rinore, apo dhe ringritjen e disa institucioneve si në Administratën Publike dhe në strukturat e Partisë kam dhënë shembullin konkret se puna dhe terreni janë pika ime e fortë. Nëse do të fitoj unë garën dhe do të drejtoj të rinjtë demokratë, të jeni të bindur që do jem çdo ditë pranë tyre, në terren, në çdo cep të Shqipërisë, për t’u njohur me shqetësimet që kanë të rinjtë, për t’iu ofruar zgjidhje e mbështetje, me synimin e madh që gjithë këtë fluks e forcë ta bëjmë Alternativë. Do jemi bashkë në protesta dhe do përballemi ashpër me çdo padrejtësi që qeveria do t’iu bëjë shqiptarëve.
– Ju urojmë suksese në garën tuaj!
Sigal