Ermonela Felaj: Qeveria është e vendosur të bëjë reformën në drejtësi, të kontribuojë edhe opozita

70

Roland Qafoku

Zonja ministre Felaj, si e mendoni ju dekriminalizimin e Parlamentit? 
Dua të them që në fillim që se unë nuk jam dakord me shprehjen dekriminalizim. Aq më pak dekriminalizim i parlamentit dhe aq më shumë dekriminalizim të shoqërisë. Sepse çfarë do të thotë kjo? Që do të thotë se të gjithë individët që janë aty janë kriminelë? A kemi ne nevojë që të ndalojmë që njerëz të dënuar të zgjidhen, apo të emërohen në funksione publike, qofshin këto të zgjedhura, apo të emëruara. Përfitoj nga rasti që t’ju konfirmoj edhe në emër të qeverisë që ne jemi të gatshëm që brenda këtij muaji të paraqesim dhe të miratojmë ligjin për ndalimin e hyrjes në funksionet publike të zgjedhur, apo të emëruar të personave që janë të dënuar për krime të qëllimshme, apo për krimë të rënda me dashje të formës së prerë. Këtë gjë do ta bëjmë duke u bazuar në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare. Një eksperiencë e tillë është ajo italiane. Ky tekst do të shqyrtohet dhe do jetë prezent në komisionin e posaçëm të ngritur për reformën në drejtësi. Dhe kjo nuk është e lidhur më vetëm me ata që kryejnë detyra të larta shtetërore, por në të gjithë kapilarët e shtetit. 
Zonja ministre, për cilët nivel bëhet fjalë?
Për të gjithë ata që kanë statusin e nëpunësit civil.
A do ketë efekte prapavepruese ligji?
Sigurisht, që do ketë efekte prapavepruese.
A do ketë largime nga parlamenti dhe detyra të tjera të larta shtetërore?
Kjo ka qenë një pikë që kemi diskutuar më shumë me hartuesit e ligjit italian. Këtë proces ta realizojmë bashkë me opozitën. Këto ditë opozita ka depozituar në Kuvend dy projektligje, një për ndryshimet kushtetuese dhe një për largimin e këtyre personave që ne folëm nga institucionet shtetërore.Të dyja janë të ndryshme nga njëra tjetra. Kështu ne jemi të detyruar të zbatojmë rregulloren e Kuvendit për një procedurë të posaçme. Kemi arritur në limitet e kohës dhe ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për konsenus. Por qeveria, me apo jo konsensusin e opozitës, ne do të arrijmë të miratojmë këtë ligj.
Në parlamentin e parë shqiptar në 1921 dhe më pas, ne kishim deputetë disa nga korifejtë e mendimit shqiptar si Fan Noli, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Eqrem bej Vlora, Ali Këlcyra etj. Kur do kemi në parlament deputetë të këtij kalibri?
Prandaj e kemi thënë se reforma në arsim është nga më të rëndësishmet, sepse arsimi i popullit është ai që sjell figura të mëdha.
A keni gjetur ju konsensusin me opozitën që kjo të jetë një luftë frontale për dekriminalizmin e Kuvendit?
Ne kemi bërë një bisedë të parë me opozitën dhe me ata që janë angazhuar drejtpërdrejtë me këtë çështje. Do kemi një ballafaqim të hapur të qendrimeve të secilit. Por gjerat që ne nuk do t’i kishim të negociushme, ka të bëjë me atë që njihet si prezumim të pafajësisë.
Dita e enjte është kthyer në një propagandë politike përpara ekranit nga foltorja e Kuvendit. Si mundet të ndryshohet kjo, sepse nëse nuk ka kamera, ndryshe do të ishte situata?
Kur ne ishim në opozitë, kryetari i grupit parlamentar nuk kishte gjasa të fliste ndonjëherë sa ish-kryeministri Berisha. Çdo vit bëjmë një bilanc të kohës që deputetët kanë në Kuvend për fjalën që ata marrin. Nga bilanci që u bë vitin e shkruar, na rezultoi se deputetët e opozitës kanë folur më shumë se ata të mazhorancës. Po i drejtohem opozitës që të fillojë të kuptoj që aty ku njerëzit nuk kanë interes të dëgjojnë dhe të përsëritjes së gjërave që nuk ka lidhje fare me rendin e ditës. Për shembull, në seancën e fundit diskutohej për borxhin një gjë shumë e rëndësishme, por ata që folën nga opozita shumë pak gjëra thanë për aktin normative për rishikimin e buxhetit të 2015.
Lidhur me operacionin e informalitetit, ju jeni për penalitete juridike, apo edhe për një rrugë të mesme, duke ndihmuar biznesin?
Unë jam për të dyja. Unë kosntatoj se në lagjen ku jetoj me shitësit e vegjël rreth e rrotull që shpesh herë më thonë ,që shumë mirë që po e bëni këtë gjë, sepse kemi ne këtu në zonën tone, që punojnë pa kupona dhe askujt nuk i vjen mirë të niset nga kjo rrethanë dhe të kenë avantazh, duke përdorur rrugë të shkurtra. A ju duket juve normale që një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës në rrugën “Myslym Shyri”, që shumica e dyqaneve kanë mbyllur qepenat? Ajo është rruga më e shtrenjtë në Tiranë, si ka mundësi, si kanë punuar në këto vite? Kjo do të thotë se kanë punuar në kurriz të ligjit. Nuk duhet të funksionojmë ndryshe nga si funksiohet jashtë shtetit. Nuk çuditemi ne kur blejmë diçka dhe shitësja na jep kuponin, ndërsa këtu nuk ndodh kështu.
Më 10 shtator mbushën dy vjet nga dekretimi i kryemisntri Rama. Si ka punuar qeveria në këto dy vjet? Dhe a jemi ne shqiptarët më mirë se dy vjet më parë?
Çdo qytetar e thotë nga situata e vet. Unë them se ka një mënyrë për t’iu përgjigjeur kësaj pyetje. Ka qenë dita e zgjedhjeve të 21 qershorit. Shqiptarët e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Përgjigjja e 21 qershorit ishte shumë e qartë për të gjithë ne. Shqiptarët janë pro të gjithë atyre reformave që janë anatemuar me reformën e ndërtimeve pa leje, reformës së ndarjes së re territoriale, të reformave në polici, reformave në arsim e të tjera.
Duke qenë se dikur keni qenë prokurore. Cili është mendimi juaj për punë që ka bërë dhe po bën prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla?
Unë mbetem dhe jam që duhet ta mbështesim institucionin e prokurorisë. Sepse brenda këtij institucioni vazhdon të ketë njerëz që kërkojnë të punojnë, kërkojnë të japin më të mirën e tyre. Prokuroria ka nevojë të ketë kapacitetet të shtuara njerëzore dhe kjo gjë duhet t’i jepet asaj.
Cili është mendimi juaj që prokuroria duhet të jetë me këtë status, apo në vartësi të qeverisë, si modeli amerikan?
Unë mendoj personalisht që modeli ku jemi, pra sui generis. Që nuk është e varur, as nga pushteti gjyqësor, as nga ekzekutivi.
Po si kontrollohet prokuroria?
Një është nga Kuvendi. Prokurori raporton në Kuvend, megjithëse ka kohë që kjo nuk ka ndodhur. Nuk janë bërë çdo vit raportime. Unë nuk e mbaj mend se kur ka qenë hera e fundit që Prokurori i Përgjithshëm ka raportuar në Kuvend. Nuk e mbaj mend. Gjithsesi, unë mendoj se shumë gjëra duhet të përmirësohen. Nëse do të bëhen rekrutime në staf, ato bëhen mbi bazën e jetëshkrimeve. Por në këtë aspekt, sipas meje, duhet të bëhen sipas punës konkrete që ata prokurorë bëjnë. Pra, ne duhet të ruajmë këtë model dhe brenda modelit duhen përmirësime. Duhet të ndërhyjmë, që ta çojmë prokurorinë atje ku duhet.
Nëse flasim për korrupsionin, sipas shifrave që unë disponoj nga arkivi im, nëse krahasohen dy vitete tuaja të para qeverisëse me dy vitete e para të qeverisjes së Berishës, në vitet 2005-2007, ishin arrestuar 140 policë, oficerë policie, shumica e të cilëve për korrupsion. Pra, një shifër që veçon më shumë qeverisjen e Berishë se sa tuajën. Cili është komenti juaj?
Unë mendoj ndryshe.
Nuk është dëshirë e madhe ta shohim, por nuk quhet luftë ndaj korrusonit kur arrestohen njerëz për 5 mijë lekë, por kur arrestohen zyrtarë të lartë, ministra për miliona euro.
Lufta ndaj korrupsionit nuk matet me numrin e atyre që arrestohen. Arrestimet një ditë u ikën buja. Prapa harrohen. Çfarë ndodh me këta njerëz?
Po flisni si prokurori që ankohet ndaj gjykatësit?
Jo. Duhet ta çojmë çështjet atje ku duhet. Reforma në drejtësi është një element shumë i rëndësishëm. Kemi ekspertë që po punojnë aty për paketën antikorrupsion. Fakti që korrupsionin e kemi futur si vepër penale që të gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të thotë shumë.