Ermonela Felaj: “Partia Socialiste ka mbjellë te zemra e njerëzve shpresën e ndryshimit”

553
Sigal

Elektorati i majtë ka votuar dhe do votojë për Partinë Socialiste, vota për numrin 29 Partinë Socialiste

Qarku i Beratit është një nga “kështjellat” e së Majtës, por edhe një nga qarqet me rivalitetin më të madh elektoral PS dhe LSI, pavarësisht se tani këto janë në të njëjtin koalicion. Kandidati për deputet i këtij qarku, Nasip Naço, që është i pari i listës së LSI-së, para pak ditësh deklaroi, që do të jetë LSI-ja forca kryesore.  Ndërsa kandidatja e PS-së në këtë qark, Ermonela Felaj, në intervistën për “Telegraf”, shpreh besimin e saj se PS-ja do të marrë 6 mandate në Qarkun e Beratit.

 – Zonja Felaj, cila është klima elektorale në Qarkun e Beratit?

– Në Qarkun e Beratit ekziston një frymë për ndryshim. Ky qark me votën e tij masive për PS-në dhe Rilindjen Shqiptare, do t’i japë një përgjigje gjithë asaj harrese 8-vjeçare të kësaj qeverie. Mjafton të vini një herë në Berat dhe do ta kuptoni se në çfarë mënyre kriminale do ta quaja është diskriminuar ky qark nga qeveria e Sali Berishës, duke filluar që nga rruga e shkatërruar, papunësia, varfëria që ka kapluar këdo. Prandaj, beratasit, kuçovarët, skraparllinjtë do të votojnë masivisht,  si rrallë ndonjëherë, për Partinë Socialiste, numrin 29.

 – Bashkimi i PS-LSI çfarë vlerash ka sjellë në elektoratin e Qarkut të Beratit, i cili është një nga kështjellat  më të rëndësishme të  së Majtës?

– Po, Berati ka qenë dhe është bastion i Partisë Socialiste. Bashkimi PS-LSI është bashkim i së majtës në gjithë Shqipërinë, me një qëllim final. Rotacionin e pushtetit, heqjen e njeriut, që u ka hipur në qafë shqiptarëve, Sali Berishës dhe dhënien fund të tranzicionit të stërzgjatur, që identifikohet vetëm me një emër. Sali Berisha!

 – Cilat objektiva keni përcaktuar dhe që mendoni se do të arrini në 23 Qershor?

– Unë jam e dyta në listën e kandidateve për deputetë të Partisë Socialiste. Ju e dini se në vitin 2009 vetëm për 370 vota që ishin në kutitë që nuk u hapën nga KQZ-ja e Ristanit, Partisë Socialiste iu mohua, padrejtësisht, mandati i pestë. Sot në një kohë, kur Partia Socialiste ka një mbështetje si asnjëherë tjetër, ku çdo qytetar ka bërë pjesë të tij fjalën tonë dhe programin tonë, jo vetëm që do të marrim 5 deputetë, por objektivi ynë është të marrin deputetin e 6-të në Qarkun e Beratit dhe nuk do të ketë as Ristan, apo Lefteri në KQZ-në e Saliut, që do mund ta zhbëjë këtë fitore spektakolare në Qarkun e Beratit.

 – Duke qenë se jeni në Koalicion me LSI-në, cila është fusha e bashkëpunimit midis jush?

– Partia Socialiste ka programin e saj, listën e kandidatëve të saj dhe bën fushatën e saj.

 – Vihet re një tendencë e luftës së bërrylave midis PS-LSI, se cila do të marrë elektoratin e pavendosur të së Majtës. Kjo mund të shkaktojë ftohje të marrëdhënieve dhe prishjen e klimës së mirëbesimit PS-LSI?

– E para, ajo që thoni, është e gabuar. Nuk ka as luftë bërrylash dhe për më tepër, nuk ka asnjë rrezik, që asnjë force politike të marrë elektoratin e pavendosur, siç e quani ju, të së majtës.  Elektorati i majtë ka votuar dhe do votojë për Partinë Socialiste, vota për numrin 29, për  Partinë Socialiste do jetë si një uragan që do fshijë nga faqja e dheut këtë qeveri antikombëtare, të korruptuar dhe çdokënd që i shërben asaj.

– Koalicioni PS-LSI a e bën më të mbrojtur votën nga manipulimi në Qarkun e Beratit? Keni ndonjë strategji të përbashkët për këtë me LSI-në?

– Askush nuk do guxojë të prekë, qoftë edhe një votë, në Qarkun e Beratit….

–  Faleminderit!

PS-JA REAGON PAS RAPORTIT TË OSBE-ODIHR-IT:CENOHEN STANDARDET E ZGJEDHJEVE!

PS-ja konsideron se raporti paraprak i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare, është një kambanë alarmi për cenimin e standardeve të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Zëvendëssekretari për Çështjet Zgjedhore të PS-së, Koli Bele deklaroi se, konstatimet e ODIHR-it, lidhur me paaftësinë e KQZ-së për administrimin e zgjedhjeve vetëm me 4 anëtarë, vërtetojnë denoncimet publike që PS ka bërë gjatë muajve të fundit. “KQZ funksionon vetëm me katër anëtarë, gjë e cila pengon aftësinë e saj në administrimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin. KQZ ka miratuar me shumicë të thjeshtë prej katër votash, akte normative që kërkojnë 5 vota dhe ka shmangur miratimin e vendimeve të nevojshme ashtu siç e kërkon ligji”,- deklaroi Bele. “Vihen re vonesa dhe mos zbatimi i afateve ligjore. KQZ mban takime te shpeshta publike, por megjithatë vendimmarrja e tij vuan nga mungesa e transparencës. Vendimet e KQZ-së nuk janë publikuar menjëherë në faqen e saj, siç kërkohet nga ligji. Kjo redukton transparenca e KQZ-së për vendimet e saj. Disa prej vendimeve të KQZ-së janë kritikuar për mungesë motivimi ligjor”-thuhet në raportin paraprak të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 23 qershorit. Raporti i misionit të OSBE-ODIHR thekson se, ‘KQZ aktualisht po punon vetëm me 4 anëtarë çka e pengon institucionin të administrojë zgjedhjet në përputhje me ligjin. Për këtë, në raport kujtohet se Kolegji Elektoral ka shqyrtuar 11 ankesa kundër vendimeve të KQZ-së dhe ndaj dështimit të këtij institucioni për të miratuar vendime. Sipas raportit, klima politike në vend karakterizohet nga polarizimi i gjatë dhe mosbesimi mes dy partive të mëdha Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Raporti cilëson se këto zgjedhje konsiderohen gjerësisht si një test i rëndësishëm për aspiratat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.