Ermonela Felaj: “Me ardhjen e PS-së në pushtet, çdo padrejtësi do të vihet në vend”

536
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Ermonela Felaj, deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Beratit

Deputetja e PS-së në Qarkun e Beratit, Ermonela Felaj me nisjen e fushatës ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Telegraf” se, pas 23 Qershorit çdo padrejtësi do të vihet në vend. Duke u ndalur edhe në vendimin e gjykatës për ngjarjen e 21 Janarit, një vendim i kritikuar edhe nga Ambasada e SHBA-ve, Felaj tha se, ai është thjesht një vendim alogjik dhe i kundërligjshëm, i mbushur plot me absurditet që në shumicë nuk bëhen nga padija apo injoranca, por me dashje direkte. Sigurisht, Felaj nuk mund të mos komentonte shpërndarjen e mandateve për deputetët e Kuvendit të ri pas 23 Qershorit, problemet me listat në Berat, koalicionet e mundshme dhe ndryshimet në listën e kandidatëve të PS-së.

Për ngjarjen e 21 janarit, disa ditë më parë u dha vendim nga gjykata, një vendim, i cili nxori të pafajshëm dy oficerët e gardës, cili është komenti juaj rreth këtij gjykimi të kritikuar edhe nga Ambasada SHBA-ve në Tiranë?

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shpalljen të pafajshëm të ekzekutorëve të vrasjeve të 21 Janarit, është po ashtu vepër e Sali Berishës, që për të shpëtuar lëkurën e vet, u investua me të gjithë fuqinë e verbër të pushtetit të  tij, për të siguruar se ekzekutorët janë të paprekshëm. Investimi i tij është krejt i qartë dhe i kuptueshëm. Mbrojtja e gardistëve është mbrojtje personale e Saliut e për të cilën ai ka karrikuar çdo bateri të pushtetit të tij duke filluar me znj. Jozefinë, ministrin e Drejtësisë, atë të Integrimit, kreun e Gjykatës së Tiranës që lëshon deklarata të paprecedentë deri tek të ashtuquajturit analistë të medias që nuk e kursyen zellin edhe këtë radhë. Sa i takon përmbajtjes më hollësisht të vendimit, ai është thjesht një vendim alogjik dhe i kundërligjshëm, i mbushur plot me absurditet që në shumicë nuk bëhen nga padija apo injoranca, por me dashje direkte, me vetëdije të plotë. Marrja për analogji e një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut sikur është bërë prezent, vjen në kundërshtim me parimet e të drejtës penale dhe konkretisht me parimin që ndalon përdorimin e analogjisë në fushën penale. Pohimi se vrasjet nuk janë kryer me dashje direkte e për këtë mungon fajësia, janë shumë të rënda në vetvete të thëna nga një gjykatë, sepse vrasjet me dashje kryhen me të dy llojet e dashjeve, direkte dhe indirekte dhe kjo nuk ka aspak rëndësi për cilësimin. E që të mos ndalemi në diskutime juridike, në këtë pikë, unë do të desha të inkurajoj fort Prokurorinë që përtej çdo dyshimi, presioni, a premtimi, të vijojë të ushtrojë detyrën e vet funksionale, atë detyrë që u ka ngarkuar ligji dhe për të cilën janë betuar kur kanë vendosur të bëhen prokurorë. Pra, të vijojnë luftën në shkallë të tjera të gjyqësorit edhe pse kjo luftë duket si me “të pamundurën”.

Ju jeni shprehur se pas 23 Qershorit drejtësia do të vihet në vend, si do ta realizoni atë?

Është pyetje që meriton më shumë se një përgjigje apo më saktë, ndoshta asnjë përgjigje e vetme nuk do të mjaftonte. Unë mund t‘ju siguroj me bindje se së pari, ne, Partia Socialiste, në qeverisjen tonë të pas 23 Qershorit, do të dimë të japim shembullin, modelin sesi sistemi të dalë nga degradimi. Këtë do ta bëjmë duke shkulur pandëshkueshmërinë, duke treguar vullnet të plotë për të vënë përballë me ligjin dhe dënimin, cilindo që ka abuzuar dhe kërkon të abuzojë me pushtetin që i është i dhënë, i madh a i vogël qoftë. Mendoj se, duhet filluar pikërisht nga këtu, sepse sa kohë që një qeveri të japë modelin e abuzimit, të korruptimit, të përdorimit të paprinciptë të pushtetit, kjo në mënyrë të paevitueshme do të na reflektohet ngado.

Si e mendoni shpërndarjen e mandateve të KQZ-së?

Është thjesht e paligjshme. Së pari, sepse mund dhe duhet ta bënte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe jo Kuvendi i Shqipërisë dhe së dyti, është alogjik, sepse nuk iu referohet shifrave të popullsisë të vitit 2013, por atyre të katër vjetëve më parë. Thelbi i ndarjes së mandateve ka të bëjë pikërisht me shifrat e popullsisë, të cilat implikojnë këtë apo atë numër mandatesh gjithmonë në funksion të sigurimit të një përfaqësimi sa më të drejtë të qytetarëve. Këto shifra në 4 vjet sigurisht që, kanë ndryshuar në total dhe nga njëri qark në tjetrin, çka do të thotë se, i njëjti ndryshim do të duhej të ndodhte dhe me ndarjen e mandateve. Gjëja tjetër më e rëndësishme në këtë diskutim, më shumë së numri i mandateve për çdo qark, është precedenti që krijoi Kuvendi duke ndërhyrë në punën e një organi të pavarur si KQZ-ja. Me këtë veprim, Saliu kërkon të krijojë mundësinë e goditjes së zgjedhjeve sapo që ky veprim t’i nevojitet. Kuptohet që ne nuk t’ia lejojmë kurrsesi këtë mundësi.

A e dëmton Beratin kjo ndarje?

Nuk ka sesi. Si në variantin me 7 deputetë dhe në atë me 8, ne do të fitojmë 5 mandate në Qarkun e Beratit dhe ky është një rezultat që praktikisht ne e arritëm dhe në 2009-n në Berat, shifrat flasin për rreth 300 e ca vota, pa llogaritur këtu vjedhjet, që na ndanë nga mandati i pestë, vota që ne sot i kemi shumëfishuar ngado, falë frymës në rritje dhe “pro” programit të Rilindjes Shqiptare që ofron Partia Socialiste. Planin e ardhshëm të administrimit të punëve të këtij vendi, ne po e ndajmë edhe me çdo qytetar e qytetare të Qarkut Berat, në mënyrë që secili të kuptojë se e drejta e votës, tanimë nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim përkundrejt vetes dhe vendit, për ta nxjerrë përfundimisht nga ky batak, ku e ka zhytur Sali Berisha dhe qeverisja e tij.

Sa deputetë mendon të marrë Partia Socialiste në Berat, në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit?

Nuk mund të ndodhë ndryshe në Berat, një qark i harruar për Qeverinë, një qark, të cilit Kryeministri i shkon nga ajri e me siguri për të mos ia prishur vetes atë imazh që ka në kokën e tij për Beratin dhe Shqipërinë. Edhe Berati, është ai i rrugëve të munguara edhe Berati është i të papunëve, edhe Berati është i të pamundurve, nuk ka asgjë të mirë që Qeveria të ketë bërë në këtë qark. “Zero”! Kaq është mundimi i Qeverisë për Beratin.

Po rezultatet e përgjithshme, si i parashikoni?

Saliu do të humbasë, sepse ne do ta mundim!

Kur mendohet të dalë lista për kandidatët për deputetë të PS-së?

Afati më i rëndësishëm për Partinë Socialiste është 23 Qershori 2013. Çdo veprim tjetër, do të përmbushet në afatin dhe rrethanat e duhura dhe këtu nuk kam parasysh vetëm afatin që vendos Kodi Zgjedhor për subjektet zgjedhore, të cilat duhet t’i depozitojnë listat 50 ditë para zgjedhjeve.

Partia Socialiste do të përballet në Qarkun e Beratit, me tre forca politike që pretendojnë të fitojnë në Berat, Partia Demokratike, LSI dhe AK, mendimi juaj?

E sigurt është që ne do të përballemi me Sali Berishën dhe këdo që bën “duvanë” e tij nëse mund ta shpreh me një fjalë të popullit dhe do ta mundim me forcën e pasionit për një të ardhme tjetër dhe të arsyes se Shqipëria dhe shqiptarët nuk mundet të vazhdojnë kështu më tej.

Në Qarkun e Beratit përflitet shumë për një aleancë të mundshme me LSI-në, komenti juaj?

Më duket e tepërt të komentoj mbi këtë, minimalisht mbi një forcë politike që ka vendosur t’i shpallë aleatët e saj në prill. LSI është atje ku është dhe kjo besoj nuk na intereson.