Erjon Brace replikon deputetin e Kosovës, Berat Buzhakën: “Injorant, ndriçohu!”

582
Sigal

 Deputeti i PS-së, Erjon Braçe ka reaguar pas disa deklaratave të deputetit nga Kosova, i cili u shpreh se disa deputetë socialistë, duke përmendur edhe deputetin Erjon Braçe, nuk kanë dashur  “Rrugën e Kombit”. Erjon Braçe, duke e cilësuar “injorant” nga mendësitë deputetin e Kosovës, i kujton atij që ai ka qenë kundër korrupsionit që u bë në atë rrugë, por jo kundër ndërtimit të rrugës. “E njihni njëfarë Berat Buzhala? Më thonë që qenka deputet në Kosovë. Paska shkruar sot edhe për mua e paska thënë se: “Erjon Braçe dhe soji i tij ka urryer “Rrugën e Kombit”. Nuk do ta thërras Berat, se ndyj Beratin tim me të. Poooor dy fjalë dua t’ja them: Në Kosovë të njohin për një injorant tipik, të paditur dhe arrogant!

Unë po të respektoj si të tillë, jo ndryshe! Injorant! Unë nuk urrej rrugë! (Perëndi, çfarë idioti, urren rrugë thotë. Si urrehen RRUGËT). Injorant! Unë urrej korrupsionin! Në rrugën që ti e quan të kombit abuzimi ka qenë tmerrësisht i madh, shumë, shumë i madh.
Janë vjedhur paratë e mia e të çdo shqiptari. Të tuat jo! Ti nuk PAGUAN taksa në këtë vend! Natyrisht, sa herë të ndodhë që dikush, socialist apo pëdëist të vjedhë paratë e shqiptarëve, unë do të hetoj, dëshmoj e luftoj këtë akt kriminal! Injorant! E di që e ke të vështirë ta pranosh këtë për shkak të ngushtësisë mendore e morale. (për fat të keq i përket një ambienti tërësisht korruptiv).
Poooor,

Ky është problemi yt! Në daç të pëlqejë e në daç jo!
Me këtë rast po të njoftoj se për aq sa përfaqësoj, bindje e njerëz, ndershmëri e patriotizëm modest, dje jam rizgjedhur deputet, për herë të 6-të në Kuvendin e Shqipërisë sime! Po ti kush je?
Gjithë të mirat injorant! Ndriçohu!”

  Malaj: “Zhgënjimi më i madh jo rezultati, por frika që konstatuam gjatë fushatës”

Sikundër Dritan Prifti, edhe kandidati për deputet Arben Malaj nuk ka mundur të rimandatohet si deputet në qarkun e Vlorës. Në një dalje për mediat Malaj deklaroi se rezultatet e marra deri tani nga procesi i numërimit nuk kanë përputhje me pritshmëritë e tij dhe votuesve të tij, ndërsa shtoi se zhgënjimi më i madh në këto zgjedhje nuk është rezultati, por frika që konstatoi gjatë fushatës elektorale. “Në ndjekje të rezultateve të marra deri tani nga procesi i numërimit, ne vlerësojmë se nuk ka përputhje të tyre me pritshmëritë tona dhe të votuesve tanë.  Shpresojmë shumë që procesi i numërimit të mos cenojë certifikimin e zgjedhjeve, si kushti përcaktues në kredibilitetin e fituesit dhe  në cilësinë e integrimit të vendit. Zhgënjimi më i madh në këto zgjedhje nuk është rezultati ynë, por frika që konstatuam  gjatë fushatës elektorale.  Frikë nga pasiguria për të ardhmen, frikë nga presionet e administratës, frikë nga presionet për vendin e punës apo biznesin.  Asnjë popull nuk mund të përparoje dhe zhvillohet pa vrarë frikën.  Frika dhe populizmi  me taksat e shpenzimet buxhetore, do të jenë dy pengesat më të mëdha pas zgjedhjeve. Fushata negative, presionet ndaj kandidatëve të pavarur, ndjekur nga hezitimi për mbrojtjen e votës  janë  ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rezultat të  kandidatëve të pavarur dhe partive jashtë koalicioneve. Pavarësisht rezultatit, gjejmë rastin të falënderojmë edhe njëherë me mirënjohje të veçantë të gjithë votuesit dhe mbështetësit tanë, të cilët në këtë fushatë elektorale me mesazhe vetëm pozitive janë përkushtuar maksimalisht dhe vetëm pozitivisht për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për demokratizimin dhe modernizimin e politikës dhe shoqërisë civile.  Ne i përmbahemi me forcë analizës dhe mesazhit tonë se modeli ynë politik, me përqendrim  të pushtetit politik dhe ekonomik në duart e pak individëve, e gërryen  demokracinë dhe  vret të ardhmen tonë.  Jemi të bindur se gjithnjë e më shumë, do të bëhet akoma më e qartë se ky model politik prodhon më shumë ngërçe, korrupsion e kriza, sesa përgjegjësi dhe bashkëpunim për sfidat e vendit Vendi ynë ka nevojë për reforma të thella politike dhe ekonomike që duhen ndërmarrë sa më parë. Në të kundërt, rrezikohet të kalojmë kriza  të rënda sociale dhe ekonomike.  Të rinjtë meritojnë një model inspirimi dhe promovimi mbi bazën e meritokracisë, për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.  Vendi ynë ka përpara sfida të vështira. Ne shpresojmë që qeveria e re të  krijohet sa më pare, sepse ekonomia e vendit gjendet përballë një krize gjithnjë e më të rëndë buxhetore. Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe i qeverisë së ardhshme do të jenë themelore për mbështetjen e reformave të domosdoshme që i nevojiten vendit për të kthyer stabilitetin e financave publike,  për të luftuar papunësinë dhe varfërinë. Urojmë fituesit e Aleancës për Shqipërinë Europiane për fitoren e arritur duke shpresuar shumë, që kjo fitore të jetë përgjegjësia maksimale ndaj sfidave të vështira të vendit tonë. Urimet më të mira deputetëve të qarkut të Vlorës duke shpresuar se do ta përfaqësojnë dhe do t’i shërbejnë sa  më mire qarkut tonë.

Elmaz Sherifi: “Kanë manipuluar votat e LDP-së”

Kryetari i LDP-së, Elmaz Sherifi deklaron se janë manipuluar votat e LDP-së. “ Faktet janë të shumta, po i paraqes që secili të arsyetojë vetë… Politikës së vjetër nuk i pëlqeu pavarësia e LDP dhe guximi i saj për të marrë pjesë e vetme në zgjedhje, pasi në Shqipëri pavarësia e mendimit dhe e veprimit politik konsiderohet akt tradhtar! (IPMR Marketing) e përjashtuan LDP nga lista qëllimisht, kur LDP konkurronte më vete si AK dhe FRD, të cilat ishin në listat e sondazheve… Përse harrohej LDP? Sa pyetje mund të bëhen me si…Momenti më kulmor ishte kur KZAZ në Qarkun e Tiranës nuk pranonin të jepnin autorizime për vëzhguesit e LDP ? Këtë e vërtetova të KZAZ nr 38 te Muzeu Kombëtar dhe sekretari i komisionit më tha, se ju nuk jeni subjekt zgjedhor, prandaj nuk keni përse të keni vëzhgues..? Manipulimet janë bërë edhe në qendrat e numërimit…Ne na kanë ardhur njoftime nga Fieri e Delvina për manipulime.. Në Komunën e Portezës u numëruan 8 vota për LDP, por në proces verbal nuk rezulton asnjë., Në kutinë e votimit me numër 3165 ishin 3 vota, por në proces verbal nuk rezultoi asnjë… Në Delvinë nuk rezulton asnjë votë, kur votuesit janë me dhjetëra që e deklarojnë votën”.

    Mesila Doda demokratja e parë që pranon humbjen: Dita më e vështirë pas ’97, do reflektojmë!

Mesila Doda ka qenë demokratja e parë, e cila ka pranuar rezultatin paraprak të zgjedhjeve të 23 Qershorit, të cilat flasin për një fitore të koalicionit të Majtë. “Totus tuus!!! Kjo është dita më e vështirë për militantët e PD pas vitit ‘97. Të dashur militantë, simpatizantë të PD….ditët e ardhshme do kemi mundësinë të reflektojmë mbi këtë votë të shqiptarëve. E vetmja gjë që dua t’ju them është që do jem me ju në çdo ditë të jetës sime dhe do kërkoj vetëm të risjellim parimet e shenjta mbi të cilën ngritëm PD-në  të vitit ’90. Ne jemi dhe do jemi forca që sjellim progres në këtë vend! Totus tuus!!!, shkruan Doda në profilin e saj në rrjetin social ‘Facebook”.

Skënder Gjinushi: “Meta mund të shkojë sërish në koalicion me Berishën”

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, edhe dje, vazhdoi të denoncojë Ilir Metën, për një …tradhti të mundshme nga Koalicioni i së Majtës, edhe pse fitorja e ASHE-së në këto zgjedhje është tejet e thellë, teksa ka fituar 84 mandate. Kështu, dje, Skënder Gjinushi deklaroi sërish se: “ Ilir Meta mund të shkojë sërish te Berisha”, duke dëshmuar se, brenda koalicionit të Majtë, disa ende nuk e kanë pranuar rikthimin e LSI-së në gjirin e së Majtës. Sa të drejtë ka zoti Gjinushi në kritikën e tij ndaj kryetarit të LSI-së, do të vërtetojë koha në të ardhmen.

Tërhiqet Dritan Prifti: PS-LSI më vodhën 50% të votave, do kërkoj rinumërim

Kandidati i pavarur në Qarkun e Fierit, Dritan Prifti tërhiqet nga procesi i numërimit të votave, me pretendimin se PS dhe LSI i kanë vjedhur 50% të votave. Në një prononcim për mediat, Prifti sqaron se atij i janë vjedhur rreth 10 mijë vota. “Bëj tërheqjen zyrtare nga votimi dhe numërimi. Nuk dua të jem pjesë e një farse elektorale të votave të mia dhe forcave të tjera të vogla politike. Komisionerët e PS dhe LSI janë të angazhuar në vjedhje të hapur të votave të mia, rreth 10 mijë vota më kanë vjedhur. Votat e mia nuk kanë kaluar në kamera dhe monitorë, në procesverbale kanë kaluar si vota të LSI dhe PS”, -tha Prifti.

  FRD: Po tentohet që të merret mandati ynë

– Fryma e Re Demokratike bën thirrje që të hiqet dorë nga dhunimi i votës së FRD-së. Nëpërmjet një reagimi për mediat, FRD porosit numëruesit e saj që të mos lejojë cenimin e asnjë vote. Në bazë të llogarive të FRD, partia pretendon se ajo mund të marrë një mandat në Tiranë, teksa denoncon faktin se po tentohet të merret mandati i saj në KZAZ 29, ku kandidon edhe kreu i kësaj partie Bamir Topi.

 PBDNJ, Dule akuzon PS-në: “Po më vjedh votat në Jug”

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule akuzoi dje Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste për manipulim të votave në dëm të forcës politike që ai drejton.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një incident, bëhet fjalë për një masakër elektorale. Jemi në ZAZ numër 89, ku numërohen votat e 3 komunave të rëndësishme që banohen nga qytetarë të minoritetit etnik grek dhe administrohen nga komunat dhe nga këshillat e zgjedhura me shumicë nga PBDNJ”, – deklaroi Dule në një prononcim për mediat. Në funksion të këtij qëndrimi kryetari i PBDNJ-së shtoi gjithashtu se: “Nga ana statistikore mbi 60 për qind e votave, si në zgjedhjet vendore, ashtu edhe në ato qendrore kanë qenë për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Fatkeqësisht Komisioni Zonal numër 89 drejtohet dhe përbëhet me shumicë nga pjesëtarët e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. Nuk mund ta fsheh dot tendenciozitetin për dëmtimin strategjik të votës së PBDNJ-së”, – përfundoi deklaratën e tij, Vangjel Dule.