Erjon Braçe: “Presidenti nuk u përgjigj plotësisht”

475
Sigal

Presidenca: Maxhoranca e re, shantazh Nishanit, i  kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë shantazhin

 Zyra e shtypit të Presidencës reagoi dje,  duke i cilësuar shpifje dhe shantazhe, deklaratat e këtyre ditëve të bëra nga eksponentë të maxhorancës së re qeverisëse në lidhje me pronësinë e truallit, ku ndodhet selia aktuale e PD-së. “Sot, përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit të Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së PD-së. Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë”, thuhet në reagimin e Presidencës. Presidenca, duke i cilësuar një sulm të rëndë antikushtetues këto deklarata, i kërkon Kryeprokurorit Llalla të nisë hetimet.

 Braçe: “Presidenti u përgjigj, por jo plotësisht”

Deputeti i PS-së replikoi menjëherë në rrjetin e vet social, ndaj deklaratës publike të Presidencës, e sidomos ndaj thirrjes që i bën zyra e Presidencës Prokurorit të Përgjithshëm, për të nisur hetimet për shantazhin politik ndaj Presidentit. Braçe shkruan: “Presidenti i Republikës tha sot se: Ai dhe Familja e tij nuk ka asnjë interes pronësor në godinën aktuale të PD-së! Më në fund, një përgjigje. Ky standard përgjegjshmërie e transparente, natyrisht, nuk reflekton praktikat më të mira për pushtetarë, veçmas të atyre të niveleve të larta. Por, ky standard transparence dëshmon edhe për brishtësinë apo varësinë politike deri në asfiksi të institucioneve ligjërisht apolitike e të pavarura në këtë vend. Funksionimi i tyre i lirë e ligjor do t’i kursente Presidentit një përgjigje kaq të vonuar, por edhe të sikletshme: Nëse do të kish funksionuar ILDKP e të kishte publikuar në kohë deklarimet e pasurisë e interesave, të kishte lirinë për t’ju përgjigjur qytetarëve dhe medias edhe kur bëhet fjalë për nivelin më të lartë të shtetit, atëherë përgjigja do të ishte zyrtare, e ftohtë, e dokumentuar, konkrete dhe aspak emocionale. Nëse do të kishte funksionuar AKKP e do të publikonte në kohë reale vendimet e saj në njohje të interesave pronësore, kthim e kompensim të tyre, të kishte lirinë për të bërë publikimin, edhe për nivelin më të lartë të shtetit, atëherë përgjigjja, edhe një herë do të ishte zyrtare, e ftohtë, e dokumentuar, konkrete dhe aspak emocionale. Theksova dy elemente: Funksionimin institucional, i cili është ligjor dhe i duhuri për çdokënd; Reagimi emocional, i cili as që i duhet kujt dhe mbi të gjitha është abuziv. Po ndalem këtu: Lexova një deklaratë të Presidentit, ku flitej në shumës për eksponentë të maxhorancës, krime të tyre ndaj tij, etj., etj.. Më shkon ta pyes: Për cilin po flet President? Nëse po flet për mua, atëherë po të kujtoj: Më 15 gusht postova: “Media raportoi ditë më parë se familja e Presidentit ka interesa të drejtpërdrejta ekonomike, pronësore në atë godine që duhet të mbesë bosh sa më parë. Nëse kjo provohet atëherë: Presidenti  Nishani duhet vënë nën hetim përmes një procesi parlamentar për korrupsion! Nëse provohet  krimi i tij është shumë i rëndë!  Kjo histori duhet të hetohet me çdo kusht!” Më 17 gusht postova: “Në fund Presidenti  u morr më çështje periferike kur ndaj tij kërkohet shpjegim për një çështje të rëndësishme për të kuptuar se si e ushtron ai pushtetin: A ka Presidenti interesa pasurore në selinë aktuale të PD-së? Madje, kësaj duhet t’i përgjigjej qysh ditën e parë! Përgjigjet reflektojnë përgjegjshmëri dhe Presidenti duhet ta demonstrojë këtë”. Po e pyes përsëri Presidentin: Ku e sheh shpifjen President? Unë pyes duke reflektuar shqetësimin e opinionit publik dhe Presidenti ka detyrimin të jetë transparent për çdo gjë! Unë kërkoj hetim duke reflektuar praktikat e përbotshme nëse ka indicie të mjaftueshme që reflektojnë konflikt interesi e korrupsion (madje duke u kujdesur për të theksuar “nëse kjo provohet”) dhe hetimi nuk do të thotë fajësi!! Atëherë, për çfarë shpifje flisni ju President?! Në anë tjetër; Presidenti  ende nuk është përgjigjur për çështje që kanë të bëjnë direkt me detyrën e tij; Së pari, për mospublikimin e dekretit; Së dyti, për nxjerrjen e dekretit një javë pasi qeveria mori vendimin e paligjshëm ( në mungesë të dekretit të detyrueshëm të Presidentit), të pranuar si të tillë edhe nga vetë Kryeministri; Së treti, për nxjerrjen e dekretit nën ndikimin politik të një vendimi të paligjshëm të qeverisë së mundur në zgjedhje edhe për të tilla praktika te paligjshme; Së katërti, për bazën ligjore dhe dokumentare të dekretit të tij, përputhshmërinë e tij me praktikat e mëparshme të arkivuara pranë Presidentit; Së pesti, për bazën ligjore të një akti të shpronësimit të Ushtrisë dhe pronësimit të partisë politike; Së gjashti, për arsyet ligjore të shmangies e më pas refuzimit të mendimit ligjor të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Së fundi, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, për miliona euro të qarkulluara përmes llogarive të SHQU me destinacion kompani kliente e televizione të qeverisë. Besoj se kërkesa për t’u përgjigjur këtyre çështjeve nuk do të konsiderohet më  “shantazh”, “shpifje” apo “kërcënim”. Transparencë e ligjshmëri-kaq i kërkohet edhe Presidentit! I ka detyrim ligjor!!