Erjon Braçe: Ja si është bërë vjedhja e mandatit të Beratit

408
Sigal

 Erjon Braçe, deputeti i PS-së, që zgjidhet në qarkun e Beratit,  në rrjetin e vet social, shkruan se në Komunën Topojan të Kukësit, njerëzit po e braktisin vendin, se nuk kanë se me se jetojnë, dhe se dyshja Berisha-Noka po vjedhin mandatin e Beratit. Braçe, shkruan: “ Vjedhja e mandatit të Beratit, Marin Mema në “Top Chanel” gjen provat në Kukës. Komuna Topojan atje ku nuk ka njerëz për mandatin e katër të Kukësit! Gazetari Marin Mema sapo tregoi nga Topojani dhe 5 fshatrat e tij se si banorët kanë ikur e nuk janë më aty! Të izoluar gjysmën e vitit, në një varfëri ekstreme njerëzit jo vetëm që nuk kanë pikën e arsyes të kthehen aty, por vijojnë të ikin nga Komuna Topojan. Topojan është komuna, ku 2 muajt e fundit janë shtuar 200 banorë! Në fakt shtëpitë janë braktisur e janë rrënuar! Alibia Berisha-Noka se, njerëzit janë rikthyer apo se kanë lindur të rinj nuk ka asnjë fakt e provë! Në Topojan nuk ke me çfarë të jetosh! Kështu po mbahet një mandat pa zgjedhës në Kukës, kështu po vidhet për së dyti një mandat me zgjedhës në Berat!”. Duhet thënë se rishpërndarja e mandateve të deputetëve në qarqe është çuar nga KQZ-ja për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor dhe ende nuk është marrë vendimi përfundimtar. Ndërsa në KQZ, pala që është e interesuar nga PS-ja ka kërkuar të dhënat e popullsisë që paraqiti Ministria e Brendshme të verifikohen.