Erisa Xhixho: Vota për LSI, më shumë punësim për të rinjtë, vajzat dhe gratë

529
Erisa Xhixho, numri 1 e listës së kandidatëve të LSI për këshilltarë në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se risia e LSI në këto zgjedhje është kontakti i përhershëm që kanë të gjithë të zgjedhurit e LSI me njerëzit, pasi këtu është edhe suksesi i rritjes së LSI. Zonja Xhixho, duke evidentuasr treguesit dhe arësyet pse ASHE do jetë fituese, pohon se konkurenca brenda ASHE për votat e këshilltarëve është pozitive, sepse i shërben frymës gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese që zgjedhjet lokale duhet të kenë. LSI do të mbështetë fort të rinjtë dhe gratë, sepse janë assete të pashfrytëzuara deri tani dhe kjo do të realizohet nëpërmjet mbështetjes financiare të çdo iniciative të të bërit biznes nga të rinjtë dhe gratë. Së fund, znj Xhixho shprehet për “Telegraf” se “Për mua personalisht, por dhe si LSI, procesi i zgjedhjeve, i cili duhet të jetë i ndershëm, i barabartë dhe transparent, ka më shumë rëndësi se vet rezultati i tyre. Ne jemi të angazhuar për të dhënë kontributin tonë maksimal që këto zgjedhje të jenë model i demokracisë”.
– Zonja Xhixho, përse është zgjedhur nga LSI për zgjedhjet e 21 qershorit slogani “Më shumë shërbim dhe punësim”?
– Ky slogan ka ardhur si rrjedhojë e një komunikimi të vazhdueshëm që ne kemi pasur me qytetarët. Ka qenë një debat shumë i madh për mënyrën se si do të drejtohej kjo fushatë dhe çfarë i duhet më shumë qytetarëve në këto momente. Në të gjitha komunikimet që ne kemi pasur, është një nevojë shumë e madhe për më shumë shërbime ndaj komunitetit, shërbime të cilat Bashkia e Tiranës i ka detyrim, por që nuk janë realizuar deri më sot. Kemi problem në drejtim të infrastrukturës, pasi në shumë zona të Tiranës ka mungesë të rrugëve të standardeve, të kanalizimeve, ka probleme me ujin, ka probleme me ndriçimin, ku rrugë të tëra janë në errësirë të plotë, të cilat veçanërisht për gratë dhe vajzat që kalojnë në to janë shumë të rrezikshme. Ka probleme gjithashtu në drejtim të pastrimit të qytetit pasi me keqardhje, të gjithë konstatojmë mungesën e këtij sherbimi jetik për cilësinë e jetës tonë. Mungojnë hapësirat e gjelbra, apo këndeve sportive për të rinjtë. Ka mungesë të qendrave rinore, të cilat do të ishin një potencial shumë i mirë për zhvillimin e talenteve të reja. Gjithë këto mungesa shërbimi dhe mos efeciencë maksimale e bashkisë bën që të mos kemi hapjen e vendeve të reja të punës. Lidhja e shërbimeve me punësimin është shumë e madhe. Pra, sa më shumë investime të ketë, qoftë edhe në drejtim të ndërtimit të çerdheve, apo kopshteve që janë kaq të domosdoshme tani në Tiranë, krijon më shumë vende të reja të punës. Pra, është një zinxhir i tërë i shërbimeve të munguara dhe në momentin që këto shërbime jepen krijojnë automatikisht vende të reja pune. Prandaj, edhe ky slogan është shumë aktual dhe shumë konkret për këto zgjedhje lokale.
– Në çfarë insiston iniciativa e LSI, që të ketë kontakte të përheshme, nëpërmjet forumeve të hapura, çdo 3 muaj me komunitetin?
– Kjo është një iniciativë e grave dhe vajzave të Këshillit Bashkiak të LSI. Kemi menduar që komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët është çelësi i suksesit për ne, pasi ne vërtet do të jemi pjesë e Këshillit Bashkiak, por në qoftë se nuk mbajmë një lidhje të ngushtë me qytetarët, nuk do mund të përçojmë siç duhet shqetësimet e tyre. Do të krijojmë forume të hapura me komunitetin dhe njëherë në tre muaj, apo dhe më shpesh, të krijojmë këto forume në njësitë e ndryshme bashkiake apo në komuna. Në moment që diskutohen çështje të rendit të ditës në Këshillin Bashkiak ne të kemi një komunikim përpara me qytetarët, apo kur do kemi draftin për buxhetin e Tiranës. Ky buxhet te diskutohet me qytetarët, në mënyrë që te kemi një pasqyrim të realitetit dhe orjentim te drejte te investimeve në çdo njësi. Shpesh herë, në takimet që unë kam pasur qytetarët ta japin vetë zgjidhjen, thjesht ne duhet të vazhdojmë t’i dëgjojmë dhe të kemi një kontakt të vazhdueshëm me ta, jo vetëm në fushatë elektorale, por edhe pas 21 qershorit dhe ne përfaqësuesit e LSI e kemi parim të punës tonë komunikimin permanent me qytetarët.
– Përse zgjedhësit në 21 qershor 2015 duhet të votojnë kandidatët e ASHE?
– ASHE është një aleancë vlerash e cila ka përzgjedhur kandidatë shumë përfaqësuses, ku ka ndërthurur profesionalizmin, aftësitë menaxheriale dhe dëshirën për të kontribuar në komunitet. Duke qenë se këto janë zgjdhje lokale programet e kandidatëve duhet të jenë shumë konkret për mënyrën se si ata mendojnë të menaxhojnë bashkitë e reja që janë me një sipërfaqe dhe popullsi shumë të madhe se më parë. Unë mendoj që kandidatet e ASHE i kanë të dy këto karakteristika pra janë përfaqësues në vlera dhe aftësi menaxheriale dhe gjithashtu kanë sjellë një model të ri fushate nëpërmjet një programi konkret të detajuar dhe realist. Vlen të theksohet fushata pozitive që po zhvillojnë kandidatët, e cila i ka bërë të pëlqyeshëm për qytetarët me një fushatë derë më derë me takime të vogla dhe kontakte të drejtpërdrejta. Këto risi mbi të cilat është mbështetur fushata e së Majtës padyshim do bëjë që ata të votohen për projektet konkrete që ata do bëjnë për qytetarët dhe modelin të ri që do sjellin në qeverisjen lokale.
– Te cilat tregues ju e mbështetni optimizmin tuaj, se ASHE do të jetë fituese?
– Unë jam gjatë gjithë kohës në kontakt me qytetarët dhe prej tyre marr gjithë optimizmin për një fitore të madhe të ASHE në gjithë Shqipërinë. Pasi fushata jonë pozitive e përqëndruar në programet dhe projektet konkrete për zgjidhur shqetësimet dhe problematikat e ndryshme që kanë qytetet sot ka rritur besimin e qytetarëve për alternativën tonë. Ne jemi të vetedijshëm që ka ende shumë punë për t’u bërë për të rritur cilësinë e jetës së çdo familje, por them padyshim që jemi në drejtimin e duhur për të realizuar gjithë projektet tona që do të sjellin zhvillimin ekonomik të vendit.
– A mendoni se do të ketë garë elektorale midis PS dhe LSI, për votat për kandidatët për këshilltarë bashkiakë? 
– Në këto zgjedhje vendoset për kryetarët e ardhshëm të bashkive dhe për anëtarët e këshillit bashkiak, të cilët marrin një rol më të fuqishëm në qeverisjen lokale. Kandidatët e këshillit dalin nga lista proporcionale e secilës forcë politike, e cila duhet të vijë me një ekip sa më cilësor për t’u përfaqësuar denjësisht në parlamentet e ardhshme të qyteteve. Të gjitha forcat politike edhe brenda kualicionit janë në një konkurrencë pozitive për t’u përfaqësuar me sa më shumë këshilltarë dhe kjo në këndvështrimin tim i bën mirë zgjedhjeve lokale, duke përfshirë sa më shumë qytetarë. Prandaj këtë konkurrencë pozitive e shoh shumë interesante dhe që i shërben frymës gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese që zgjedhjet lokale duhet të kenë. Ne si kandidatët për këshillin bashkiak të LSI kemi bërë në çdo njësi bashkiake turin e prezantimit pasi besojmë që është me rëndësi që ne të njiheshim nga afër me problemet e qytetarëve dhe të ofronim programin tonë konkret për zgjidhjen e tyre. Kjo ishte një risi që LSI solli në këto zgjedhje, pasi çelsi i suksesit të rritjes së LSI është kontakti i vazhdueshëm me qytetarët dhe kujdesi që ne tregojmë çdo ditë për ta.
– LSI ka një veçanti në kandidatët e saj, qoftë për kryebashkaikë, por edhe për në këshillat bashkiakë. Shumica e tyre janë të moshës së re. Përtej paragjykimit, se mungon përvoja, cili është mesazhi politik që përçon LSI te zgjedhësit?
– LSI beson fort te të rinjtë, beson fort te aftësitë e tyre menaxhuese, beson fort tek energjia dhe te i gjithë dimensioni që ata mund t’i japin vendimmarrjeve politike. Kjo ka bërë që në mënyrë të natyrshme, duke qenë se ne punojmë gjatë gjithë kohës me të rinjtë, kemi krijuar lidership, të cilët mund të kandidojnë dhe mund të zgjidhen nëpër këto këshilla e të jenë të aftë të mund të administrojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Mendoj që është një grupim, i cili nuk ka qenë i përfaqësuar mjaftueshëm në këshillat bashkiakë. Duke qenë se këto janë zgjedhje lokale dhe kanë të bëjnë kryesisht me përditshmërinë të çdo qytetari dhe më mirë se një student nuk mund t’i dijë dikush tjetër problemet që lidhen qoftë me punësimin e të rinjve, qoftë shqetësimet për transportin publik, për kartën e studentit etj. Dhe këta do të jenë një zë shumë i fuqishëm për të përçuar shqetësimin dhe problematikat e të rinjve të kryeqytetit. Të mos harrojmë që Tirana ka shumë universitete, shumë fakultete, të rinjtë janë të dëshiruar për të jetuar në Tiranë dhe gjithë ky burim njerëzor duhet vënë në funksion të zhvillimit të qytetit. Në listat tona janë të rinj ekselentë, të përgatitur, të cilët kanë eksperienca pune dhe mendoj që mbështetja e tyre ka ardhur në një mënyrë të natyrshme, sepse ne besojmë fort tek aftësitë e tyre. Unë e kam thënë gjithmonë që vota për LSI-në më 21 qershori është një votë për rininë, pasi e gjithë fushata e LSI-së në Tiranë po bëhet nga të rinjtë dhe të rejat e LRI-së.
– Cila është pozitivja e kriterit që 50 % e kandidatëve për këshilltarë në këshillat bashkiakë, të jenë të reja dhe gra? 
– Mendoj që risia e këtyre zgjdhjeve padyshim që është përfshirja e grave dhe vajzave në listën e këshillave bashkiakë në kuotën 50%, e cila jam e bindur do të reflektohet në një performancë më cilësore të tyre. Kemi parasysh që me ndarjen e re administrative-territoriale përgjegjësia e të zgjedhurve do të jetë më e madhe, pasi bashkitë do të përfshijnë zona urbane dhe rurale, ndaj është e rëndësishme që shqetësimet dhe problemet e grave dhe vajzave të zonës të përcillen në këshillat e ardhshëm bashkiakë. Me sanksionimin e kësaj kuote në Kodin Zgjedhor më në fund përfaqësimi politik do të përputhet me realitetit shoqëror, duke qenë se gratë përfaqësojnë rreth 50% të popullsisë dhe politika në fund të ditës është përfaqësim. Është për të përshëndetur fakti që erdhi si një iniciativë e Aleancës së grave deputete, të cilat tejkaluan bindjet politike dhe u bashkuan në këtë nismë të parë në llojin e vet. Fakti që kjo kuotë u zbatua në gjithë listat e partive ishte sanksioni që u vendos, sepse në qoftë se forca politike nuk respektonte këtë kuotë në përpilimin e listave atëhere i hiqej e drejta për të konkuruar në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje lokale, dhe si të tilla kanë të bëjnë me problematikat e perditshme të qytetetarëve, ku gratë dhe vajzat në veçanti përjetojnë çdo ditë mungesën e shërbimeve që ne kemi në qytetet tona, prandaj me përfaqësimin 50% të tyre në këshillat bashkiakë jam e bindur që këto shqetësime do bëhen pjesë e debateve në këshillat bashkiakë. Gratë dhe vajzat për nga natyra i dinë shumë më mirë problemet me të cilat përballen familjet sot, ndaj dhe prezenca e më shumë grave dhe vajzave në këshillat bashkiakë do bëjë që të diskutohet dhe të jepen zgjidhje të shumë nga problematikat sociale që na shqetësojnë çdo ditë. Ky përfaqësim i barabartë nga ana tjetër është një përgjegjësi shumë e madhe për ne, pasi duhet të japim një model sa më të mirë të administrimit lokal, të mbrojtjes me argumenta dhe me alternativa të interesave të qytetarëve në mënyrë që të frymëzojmë edhe më shumë gra dhe vajza të tjera për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes së qytetit dhe vendit tonë.
– Mendoni se rezultari zgjedhor në 21 qershor, do të jetë edhe një notëvlerësimi nga zgjedhësit për qeverisjen e deritanishme të së Majtës?
– Këto janë zgjedhje lokale, ku të gjithë qytetarët do të votojnë për administratorët e rinj të qyteteve të tyre, prandaj është shumë me rëndësi që kandidatët të vazhdojnë me një fushatë pozitive të shpalosin alternativat e tyre dhe të kontaktojnë sa më shumë qytetarë. Në këto 18 muaj të qeverisjes të së Majtës sfidat kanë qenë të shumta gjithashtu dhe vendimarrjet kanë qenë të guximshme për një efekt afatgjatë në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Unë them me bindje që ne jemi në drejtimin e duhur falë edhe reformës së re administrative-territoriale, e cila do të shërbejë për të zhvilluar më tej ekonominë dhe do të gjenerojë hapjen e vendeve të reja të punës. Vota e 21 qershorit është një votë për një qeverisje më të mirë lokale në shërbim të qytetarëve.
– Sa do të ndikojnë zgjedhjet e 21 qershorit 2015, si proces, në vendimmarrjen e BE, për përcaktimin e datës për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
– Mendoj që këto zgjedhje mbi të gjitha duhet të arrijnë një standard nga më të lartët dhe i kemi te gjitha mundësitë për të arritur këtë objektiv. Duhet të tregojmë qytetarinë dhe angazhimin e të gjithë klasës politike për të vënë një standard të ri të zgjedhjeve, i cili absolutisht do t’i shërbejë në mënyrë direkte procesit të integrimit dhe ecjes më shpejt drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Ndaj dhe unë jam optimiste që me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që do të ndikojë në imazhin e Shqipërisë, në forcimin e demokracisë, e cila fillon nga garantimi i votës së lirë dhe padyshim do të ndikojë në procesin e integrimit. Për mua personalisht, por dhe si LSI, procesi i zgjedhjeve, i cili duhet të jetë i ndershëm, i barabartë dhe transparent, ka më shumë rëndësi se vet rezultati i tyre. Ne jemi të angazhuar për të dhënë kontributin tonë maksimal që këto zgjedhje të jenë model i demokracisë.
Sigal