Erisa Xhixho: “Vota për LSI është vota për rininë”

550
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë dhe të rejat e Lushnjës, ku u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të LSI-së së qarkut Fier.

Të pranishëm në këtë takim përveç kandidatëve, ishin edhe Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Duke marrë fjalën para mijëra të rinjve dhe të reja lushnjare, kandidatja për deputete, Erisa Xhixho, u shpreh:

“Unë jam rritur me vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare. Unë jam një e re që kam investuar në arsim, brenda dhe jashtë vendit. Unë jam kryetarja e parë e Lëvizjes Rinore për Integrim, një e re që në moshën 18 vjeçare mbroja kauzat e rinisë dhe natën studioja që të isha ekselence në arsim. Kjo është rinia që ne përfaqësojmë, e ekselencës, e diturisë, e zgjuarsisë, kjo i tremb dy të dashuruarit. Miqtë e mi, më 25 qershor, grave, vajzave, nënave, unë ju kërkoj një shans, që unë t’iu përfaqësoj në Parlament pas 25 qershorit.

Një shans që t’iu sjellim besimin të rinjve, të rejave, nënave, te politika, sepse unë besoj te një politikë që kujdeset për njerëzit, te një politikë që mban fjalën dhe ajo është vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim.

Miqtë e mi, më jepni një shans duke votuar LSI, që të punoj çdo ditë për republikën e fëmijëve tuaj, për më shumë vende të reja pune, për më shumë punë në bujqësi dhe turizëm, për ta kthyer qarkun e Fierit në qendër të ekonomisë të gjithë Shqipërisë. Nëna, të rinj dhe të reja, qytetarë të Lushnjës, Divjakës, Patosit, Rroskovecit dhe gjithë qarkut të Fierit, unë dua një shans që t’iu përfaqësoj denjësisht në Parlamentin e Shqipërisë nesër.

Sepse unë besoj te ajo politikë që shumë prej jush e kanë humbur shpresën, te politika që flet në Parlament për më shumë vende pune, që flet për më shumë vende zhvillimi në Shqipërinë tonë dhe jo një politikë konfliktuale, boshe, që i kemi thënë jo me kohë e me vaktë.

Më 25 votojmë numrin 1 sepse do drejtojmë Shqipërinë. Rinia e Shqipërisë e ka vendosur, kjo e shqetëson dyshen e dashuruar, ka vendosur më 25 qershor voton numrin 1 për të drejtuar Shqipërinë. Prandaj, çdo ditë nga sot deri më 25 qershor të trokasim në çdo derë për të kërkuar votën për LSI. Sepse vota për LSI është vota për rininë. Voto 1, më jep një shans të të përfaqësoj denjësisht”.
Sigal