Erisa Xhixho: PS dhe PD thirrje dëshpëruese kundër LSI-së, 25 qershori do tu jap përgjigjen e duhur

466
Kandidatja e LSI-së për qarkun e Fierit, Erisa Xhixho në një intervistë dhënë në një emision televiziv, ka folur për pritshmëritë e partisë në të cilën ajo aderon 
Kandidatja për deputete në qarkun e Fierit, Erisa Xhixho e ftuar në një emision televiziv, i ka dhënë përgjigje skeptikëve për mënyrën se si po bëhet fushata, madje edhe për sulmet që janë drejtuar LSI-së. Xhixho është e bindur se në 25 qershor, qytetarët do të zgjedhin alternativën e duhur dhe të vetme që sipas saj është LSI. Ajo rrëfen edhe për avantazhet që ka kjo forcë përballë dy partive të vjetra. Kryefjala e fushatës së LSI-së janë të rinjtë dhe programi që mbështet në dy shtylla, bujqësia dhe ulja e papunësisë. 
Keni qenë tepër e pranishme në terren në Fier. Si po ju shkon fushata?
Fushata po shkon shumë mirë. Në fillim u delegova për organizimin e rinisë, grave dhe vajzave në Fier. Më pas strukturat e partisë vendosën që unë edhe të kandidoja në Fier.
Padyshim gjeta një pasion që më bashkon shumë me qytetarët e Fierit, sidomos me familjet e Fierit. Pasioni që kam unë për edukimin, për arsimimin dhe për të gjithë kualifikimet që unë kam bërë, ashtu është edhe investimi që bën çdo familje fierake te fëmijët e tyre, që është investimi më i madh nëpërmjet kurseve dhe më vjen shumë mirë që ata kanë fokus, arsimimin. Na ka bashkuar shumë kjo kauzë. Fushata po shkon shumë mirë. Për mua është e rëndësishme që qytetarët të jenë sa më të qetë në momentin e votimit. 
Si ndjeheni atje në terren? Si perceptojnë qytetarët takimet?
Unë jam një nga ata të rinj dhe nga ata politikanë që ka një frymë më evropiane dhe padyshim ndjej keqardhje nga kjo gjuhë balte dhe gjuhë urrejtje që duan të sjellin në këtë fushatë. Jam shumë e fokusuar te mesazhi pozitiv edhe te plani ynë konkret për hapjen e vendeve të reja të punës. Ky është fokusi ynë: rritja progresive e LSI-së është aty. Fryma është shumë e mirë. Rritja vjen nga të rinjtë, nga të rejat, nga mesazhi pozitiv që është LSI. Kjo ndoshta i ka ngacmuar forcat e tjera politike, të cilat ndoshta edhe kompleksohen. Ky kompleks edhe shprehet kështu. Më vjen keq, sepse jemi në 2017-n dhe mendoja do të kishim një fushatë të denjë për qytetarët shqiptarë, pozitive, të fokusuar në debatin mbi programe, se si ne do të fuqizojmë ekonominë, se si ne do të hapim vendet e reja të punës, se si ne do të krijojmë më shumë vende të reja të punës, që ta gjejnë veten e tyre në jetesën në Shqipëri e të mos krijojnë iluzione apo ëndrra për të jetuar jashtë vendit. Ky është investimi maksimal i LSI-së. Unë personalisht së bashku me gjithë ekipin e Fierit kemi organizuar rreth dhjetë tryeza përpara se të arrinim në këtë plan konkret. 

Ka njerëz që mendojnë se e gjitha kjo bëhet për të krijuar imazhin që LSI nuk do të jetë në qeverisje dhe disa njerëz pragmatistë do t’i largohen asaj. A ka efekt kjo lloj politike në terren?
Kjo është një thirrje e dëshpëruar e forcave të ndryshme politike. Ndaj kemi zgjedhje çdo katër vjet dhe ndaj qytetarët shqiptarë thirren çdo katër vjet për të rikonfirmuar një forcë apo një tjetër dhe do të jenë zgjedhjet më 25 qershor që do të përcaktojnë se kush do e drejtojë vendin dhe kush do të jetë opozita e vendit. Për ne ka shumë rëndësi që fokusi i qytetarëve të jetë mbi debatin e programeve dhe ideve. Asnjë nga këto që ju përmendët nuk ka asnjë efekt tek qytetarët. Për mua ata janë të interesuar se si ne, në çfarë mekanizmash do realizojmë hapjen e vendeve të reja të punës. Padyshim kemi shumë papunësi, kemi probleme të shumta në shumë sektorë dhe ajo është kryefjala e çdo familjeje. Edukimi gjithashtu duhet të jetë shumë më cilësor nga ai që është sot, i lidhur direkt me tregun e punës, ndaj edhe plani ynë “arsimim për punësim” është shumë konkret, i detajuar nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtar.

Çfarë do t’i thoni ju elektoratit “gri”, përse duhet të votojë ai LSI-në?
Duhet të votojnë për LSI-së, sepse është e vetmja forcë politike që garanton një stabilitet për vendin. Është e vetmja forcë politike që mbështet shumë vajzat, gratë, mbështet rininë, mbështet një qasje politike ndryshe nga ajo që kemi pari deri më sot i një konflikti bosh, i një teatri bosh, i një debati që duhet të jetë në parlament për më shumë zhvillim për vendin. LSI ka një plan konkret edhe unë jam një nga ata të rinj që besoj tek idetë dhe programet. Pasi LSI ka një plan konkret për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të ekonomisë. 

Ju thatë avantazhet, por me siguri në fushatë keni hasur disavantazhet. Cilat janë ato dhe si po i kapërceni?
Padyshim që kontakti me njerëzit bën të kesh edhe pyetje, se disa gjëra mund të kishin shkuar më mirë, sepse keni qenë pjesë e qeverisjes etj. Padyshim që kemi qenë aty, kemi qenë pjesë e qeverisjes, por kemi parasysh që gjithmonë, në qoftë se flasin për Ministrinë e Bujqësisë për shembull, ministri Panariti, në të gjithë komisionet parlamentare ku është miratuar buxheti ka kërkuar më shumë fonde për bujqësinë, që bujqësia të mbështetej me fonde për të siguruar më shumë subvencionime dhe për të siguruar politika për bujqësinë. Marr parasysh Ministrinë e Transporteve ku gjithashtu z. Haxhinasto dhe z. Dervishaj kanë kërkuar më shumë buxhet, sepse është një sektor prioritar në investime sidomos kur flasim për zhvillimin e turizmit. 

Ndërkohë që Kryeministri Rama thotë që do timonin i vetëm, sepse është penguar në ngarjen e makinës në këto vite që nënkupton, nga LSI që ka qenë në koalicion me të. A e ka penguar vërtet LSI apo ka penguar autoritarizmi dhe të tjera si këto?
Nëse LSI ka penguar arrogancën, delirin, dehjen nga pushteti, e një qeverisjeje të caktuar, unë e përkrah këtë gjë. Mendoj që dehja dhe arroganca, janë qasje të cilat nuk duhet të jenë më pjesë e politikëbërjes. Në qoftë se LSI-ja ka bërë këtë pengesë, shumë mirë ka bërë që të mos rrezikonim miratimin e reformës në drejtësi vetëm me votat e mazhorancës për shkak të një arrogance dhe një konflikti politik që rrezikonte të ardhmen e vendit dhe shumë mirë ka bërë që e ka penguar këtë arrogancë. Apo ka qenë aty për të shtruar dialogun midis mazhorancës dhe opozitës dhe për ta evokuar atë, sepse në një qeverisje demokratike nevojitet si një opozitë e fortë ashtu edhe një mazhorancë, e cila të jetë e përkushtuar për t’i shërbyer vendit.

Meqë jemi në fund të intervistës mendoj se keni edhe një mesazh për votuesit?
Po mesazhi im që qytetarët të shkojnë të votojnë me qetësi dhe me dashuri dhe padyshim që të mos stresohen nga gjithë ky konflikt që po stiset dhe ky sulm që po ndodh ndaj LSI-së. Është thjeshtë një frikë nga rritja e LSI-së që është e pa shmangshme edhe progresive.

Për ne mbi të gjitha rëndësi kanë rëndësi standardet e këtyre zgjedhjeve. Të shkojmë të votojmë të qetë, arrijmë standardet më të larta dhe t’i japim mundësi vendit tonë që të hapi negociatat me BE që do të sjellë një zhvillim tjetër ekonomik dhe do të mundësojë hapjen e vendeve të reja punës por edhe investime të huaja shumë më të sigurta.

Besoj që mesazhi politik edhe mesazhi pozitiv i LSI-së duhet të jetë shumë i kthjellët edhe qasja jonë ndaj kësaj fushate është shumë pozitive, pavarësisht sulmit apo dëshirës së forcave politike. LSI-ja është aty derë më derë duke biseduar me qytetarët që të shkojnë të votojnë dhe të jenë të bindur për votën e tyre.
Sigal