Erisa Xhixho: Do kthejmë besimin e rinisë dhe ti japim fund largimeve të qytetarëve

420
Sigal

Fjala e Nënkryetares së LSI-së, Erisa Xhixho në Konventën Kombëtare të LSI-së

Përshëndetje të gjithëve, delegatëve, anëtarëve dhe miqve të LSI. Në këtë auditor të njerëzve të lirë, të një Shqipërie të lirë që do të jetë nesër. Të dashur miq, padyshim që LSI është në një aksion të paprecedent. Në një aksion për ti rikthyer vlerat Shqipërisë sonë, shtëpisë sonë, njerëzve tanë. Për të rikthyer besimin e shqiptarëve se Shqipëria mund të bëhet. Se kjo shtëpi do ndërtohet nga ne. Për këtë arsye ne vijmë sot me një rezolutë mjaft konkrete, shumë realiste, mbi situatën politiko-ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhet vendi dhe alternativën konkrete sesi ne do rikthejmë Shqipërinë, shtëpinë tonë. Prandaj Lëvizja Socialiste për Integrim, duke vlerësuar se situata politike, ekonomike e sociale në vend është nga më të vështirat e gjithë periudhës së tranzicionit;

Se mazhoranca sot është tërësisht e paaftë për të qeverisur vendin dhe për të çuar përpara procesin e integrimit në Europë.

Se ajo ka zgjedhur arrogancën dhe paligjshmërinë në gjithë veprimtarinë e saj, duke rrënuar tërësisht respektin e saj për Kushtetutën, ligjin dhe ligjshmërinë;

Duke provuar se mazhoranca ka shkatërruar në themel institucionin e zgjedhjeve, duke u lidhur me krimin dhe duke u bërë peng i tij;

Ne kushtet kur Ekonomia e Shqipërisë është e marrë peng nga pak oligarkë të cilët janë përfituesit kryesorë të parave publike dhe pasurive kombëtare duke thelluar polarizimin ekonomik e social të shoqërisë;

Dhe shoqëria shqiptare, kryesisht rinia, gjendet sot përpara një krize të thellë të besimit dhe po përjeton një emigrim masiv;

Lëvizja Socialiste për Integrim, me përgjegjësi kombëtare e politike, shpall si objektiv madhor kthimin e besimit të qytetarëve te shteti, te Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët!

Për këtë LSI-ja synon të garantojë:
1. Vendosjen e shtetit në themelet ligjore dhe kushtetuese nëpërmjet:
(i) Realizimit të zgjedhje të lira e të ndershme, duke eliminuar dhe ndëshkuar rëndë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet parasë, intimidimit dhe forcës, procesit të manipuluar zgjedhor. Qytetari është sovran nëpërmjet votës së tij.
(ii) Ndalimit të trafikut parlamentar, me sanksionimin në Kodin Zgjedhor të rregullave të qarta të zgjedhjes dhe veprimtarisë së përfaqësuesve të zgjedhur.
(iii) Përfundimit të reformës në drejtësi, duke evituar kapjen e sistemit nga mazhoranca aktuale dhe duke vendosur ligjshmërinë, integritetin dhe paanshmërinë e tij.
(iv) Forcimit të sistemit të llogaridhënies përpara ligjit dhe qytetarëve të veprimtarisë së përfaqësuesve të zgjedhur si dhe funksionarëve publikë në qeverisje.
(v) Plotësimit sipas ligjit të institucioneve kushtetuese dhe forcimit të sistemit të kontrollit dhe balancës mes pushteteve.
(vi) Forcimit të rendit publik dhe rritjes së sigurisë së jetës së qytetarëve.

2. Realizimin e reformave të integrimit me përqasje gjithëpërfshirëse. Mobilizimin e gjithë kapaciteteve kombëtare politike, të shoqërisë civile dhe akademisë, në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

3. Rritjen ekonomike dhe punësimin, nëpërmjet:
(i) Çlirimit të ekonomisë nga oligarkët dhe monopolet dhe nxitjes së veprimtarisë ekonomike duke ulur taksat dhe duke respektuar rregullat e tregut të lirë.
(ii) Thjeshtimit të pagesës së detyrimeve fiskale duke evituar korrupsionin. Shpërndarje më të drejtë dhe të prekshme tek pagat dhe pensionet.
(iii) Forcimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, me mbështetje për start-up-et, veçanërisht në fushën e IT dhe inovacionit.
(iv) Nxitjes së punësimit që në bankat e shkollave të mesme e profesionale. Lidhje të drejtpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike me sistemin arsimor, veçanërisht me shkollat teknike, profesionale dhe shkollat e larta për shkencat e aplikuara.
(v) Rritje te produktivitetit dhe eksporteve. Mbështetje për inovacionin.
(vi) Mbështetje parësore për bujqësinë si sektor kryesor ekonomik. Zhvillim të industrisë së agropërpunimit.
(vii) Krijimi i një klime dhe hapësire miqësore për biznes, mbështetje për investimet e vendit dhe të huaja.

4. Kthimin e besimit te rinia dhe mbështetje për familjet e reja.
(i) Kthimi i besimit nëpërmjet ofrimit të mundësive konkrete dhe të barabarta për arsimim dhe punësim.
(ii) Ndalje e tkurrjes së popullsisë.
(iii) Mbështetje për strehim për familjet e reja dhe rritje të lindshmërisë.

PËR REALIZIMIN E OBJEKTIVAVE TE SAJ, LSI-ja PROPOZON MASA DHE POLITIKA KONKRETE

1. (i) Ulje e barrës fiskale mbi biznesin dhe individin duke e parë atë në qendër të politikave për zhvillimin e ekonomisë shqiptare:
Thjeshtëzim i sistemit fiskal dhe ulje e barrës fiskale, përmes një takse të sheshtë prej 10% për tatim fitimin dhe të ardhurat personale.
(ii) TVSh 0% për prodhimin bujqësor
(iii) TVSh 6 % për produktet e shportës;
(iv) Heqja e pagesës së TVSh-së në doganë.
(v) Pagesë fikse tatimi prej 30 mijë lekësh në vit për gjithë bizneset me xhiro vjetore nga 2 deri 8 milionë lekë në vit.
(vi) Heqja e tatimit të transferimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme.
Pagesa vetëm 1% takse mbi shumën e transaksionit. Për blerjen e shtëpisë së parë pagesa është 0.
(viii) Ulje e tavanit të taksave vendore për t’i dhënë fund abuzimit me to.
(ix) Mbështetje me grant 20000 euro për start-up-et.

Të nderuar delegat, sektori kryesor ekonomik sipas LSI është padyshim bujqësia ndaj ne ofrojmë këtë alternativë:

(i)Subvencionim i prodhimit bujqësor për njësi të prodhimit, të sipërfaqes dhe për numër krerësh. (100 milionë Euro në vit);
(ii) Subvencionim i vlerës së interesit bankar për çdo kredi të dhënë për infrastrukturë, serra, stalla, për industrinë agropërpunuese. Ofrim i tokës shtetërore për aktivitetet agropërpunuese.
(iii) Ndërtimi i sistemit të Kartës së Fermerit me zbatimin e së cilës bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSh-së për imputet bujqësore, plehra kimike, fidanë, fara, naftë.
(iv) Konsolidim i rajonalizimit të prodhimit bujqësor.
(v) Dhënie e certifikatave të pronësisë mbi tokën brenda dy viteve të para të qeverisjes.
(vi) Targetim i zëvendësimit me përparësi të importeve të produkteve të përpunuara me prodhime vendi.
(vii)Forcim i sigurisë ushqimore, alarmi i shoqërisë shqiptare sot. Ne mendojmë impute të sigurta dhe proces prodhimi i sigurt. Ndërtimi i një laboratori të kontrollit ushqimor për çdo qark që do të mund të sigurojë ccdo shqiptar për produktet që konsumon çdo ditë. Kjo është prioritet për LSI.

Rinia, arsimi padyshim që do të ishin pjesë e rezolutës si shtylla mbështetës jo vetëm e LSI por besimi ynë se vetëm duke u mbështetur te ajo do mund ta rikthejmë shpresën dhe ta bëjmë një Shqipëri më të mirë. Një premtim solemn për:

(i)Dyfishim buxheti për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe paga mësuesish. Rritje pagash për mësuesit 50 % në 4 vite;
(ii) Rritje e cilësisë së mësimdhënies.
(iii)Rritje e autonomisë universitare që u garanton studentëve dhe pedagogëve rritje të cilësisë së mësim-dhënies dhe lidhje me tregun e punës.
(iv) Orientim i 50% të temave studimore në Programet Master dhe PHD në çështje konkrete të zhvillimit të ekonomisë.
(iv) Realizimi për herë të parë në mënyrë të konsoliduar i Programit “Mëso dhe fito” për shkollat profesionale (punësim me pagë dhe mësim) dhe për shkencat e aplikuara;

Duke qenë se vij nga fusha e arsimit e 10 vite kontribuoj në fushën e arsimit mendoj që ky lajm për dyfishimin e buxhetit në arsim, padyshim e vë LSI në pararojë të gjithë filozofisë së zhvillimit të vendit. Pa një edukim cilësor ne nuk mund të kemi shoqëri të zhvilluar. Dhe kjo është gjithë filozofia që ne besojmë se do të mund të arrijë shoqëria nesër. Ne mendojmë për brezat e ardhshëm, mendojmë për fëmijët tanë, sepse edukimi duhet të jetë cilësor, duhet të jetë i lidhur me tregun e punës dhe padyshim trajtimi me dinjitet i pedagogëve, i mësuesve që lodhen çdo ditë me fëmijët tanë për ti edukuar, do jetë në paga dinjitoze për ta.
Të dashur miq
Familja shqiptare kalon një krizë, ulja e numrit të lindshmërive padyshim ka sjellë një tkurrje të vendit. Ndaj ne mendojmë:

(i)Krijimi i fondit të shtëpive për familjet e reja.
(ii)Punësim parësor për të paktën një nga prindërit e një familje me fëmijë.

Ky është një projekt madhor që do ti japë shpresë familjeve të reja dhe do të mund të garantojë atyre punësim por dhe një jetë shumë më të qetë. Të dashur miq, të nderuar delegatë, përulem me mirënjohje për të gjithë angazhimin tuaj pranë LSI. Pranë aksionit të madh opozitar. Unë e kuptoj, nuk janë kohë të lehta për Shqipërinë, por duhet të kuptojmë një gjë. Se sot jemi në anën e mirë të historisë. Jemi për një kauzë të drejtë, për veten tonë dhe për familjet tona. Sepse nuk mund të lejoj unë dhe ju që familjet shqiptare dhe Shqipëria të mbahet peng e një njeriu që nuk ka interes për integrimin e Shqipërisë në BE. Z.Rama kryesisht do të bashkëpunojë me krimin e organizuar për vjedhjen e votës. Për këtë arsye ju ftoj sot që me miratimin e kësaj rezolute, t’i japim një shtysë dhe një vizion shumë më të qartë njerëzve për atë që synon LSI. Sepse unë jam e lumtur sot që jam pjesë e një force politike që mbështet rininë, gruan, fermerin dhe jo oligarkët dhe krimin e organizuar.