Erind Trota*/Një çorbë e gatuar me ingredient të gabuar!

465
Sigal

*koordinatori i FRESSH-it, Kukës

Rreth dy javë më parë në strukturat e PS-së të Qarkut të Kukësit janë implementuar disa ndryshime, të cilat nga anëtarët e kësaj partie si dhe nga anëtarët eFRESSH-it, Kukës konsiderohen si arbitrare, të paarsyeshme dhe që bien ndesh me rregullat e statutit të kësaj partie dhe me demokracinë e brendshme “një anëtar, një votë”. Simpatizantët e PS-së të Qarkut të Kukësit shprehen të indinjuar në lidhje me ndryshimet e bëra dhe i kujtojnë kryesisë së PS-së, që ata, me në krye deputetin z. Asllan Dogjani kanë dhënë kontribute maksimale për zhvillimin dhe mobilizimin e strukturave të kësaj partie, si dhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme në dobi të vetë partisë dhe për konsolidimin e një të mire të përbashkët. Për këtë arsye do të ishte e drejtë që mundi dhe sakrificat e tyre të bëra gjatë këtyre viteve të mos mbulohen me shoshë dhe të mos lihen nën hijen e neglizhimit. Gjithashtu, kërkohet që të respektohet e drejta e tyre, e dhënë nga statuti i kësaj partie që ata vetë të zgjedhin me votë të lirë anëtarët e tyre të Partisë Socialiste të këtij qarku. Parë në këtë prizëm, FRESSH Kukës deklaron se, simpatizantët e PS-së Kukës shprehin një mendim të unifikuar që këto ndryshime jo vetëm që janë arbitrare, por në mënyrë të pashmangshme do të ndërtojnë një imazh negativ dhe do të japin rezultate jo-produktive në zgjedhjet e 23 Qershorit, pasi ndryshime të tilla kanë krijuar tension dhe mospërputhje ndërmjet simpatizantëve të kësaj partie. Kjo është një çorbë e gatuar me ingredientët e gabuar. Për këtë arsye do të ishte me shumë rëndësi rishikimi i këtij vendimi dhe dhënia e të drejtës strukturave vendore për zgjedhjen e drejtuesve të Partisë Socialiste, duke u bazuar dhe duke përdorur parimin “një anëtar, një votë”, ashtu siç e parashikon edhe vetë statuti i kësaj partie. Një hap i tillë do t`i jepte mundësinë simpatizantëve dhe strukturave të Partisë Socialiste të Qarkut Kukës, që në zgjedhjet e ardhshme të kenë një përfaqësim të denjë, të jenë më të unifikuar dhe të gjithë së bashku të mundësojnë fitoren e madhe të Partisë Socialiste, njëherësh edhe rilindjen e Shqipërisë. FRESSH Kukës dëshiron të përfitojë nga rasti për t`i kërkuar me përzemërsi simpatizantëve të PS-së të Kukësit  të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për deputetin e këtij qarku z.Asllan Dogjani, pasi për hir të së vërtetës duhet thënë se, është i vetmi deputet i Qarkut të Kukësit, i cili na ka përfaqësuar denjësisht për katër vite me radhë në Parlament dhe ka ngritur fort zërin për të shprehur shqetësimet dhe problemet me të cilat është ndeshur ky qark. Është vërtetuar tashmë që z.Dogjani në asnjë moment nuk ka shpërdoruar besimin tonë, nuk ka përdorur afera korruptive dhe metoda të pahijshme manipulative për plotësim të interesave personale. Si përmbyllje mund të thuhet se, rishikimi nga ana e kryesisë i ndryshimeve të bëra në strukturat e Partisë Socialiste të Qarkut Kukës, si dhe mbështetja e fortë e deputetit Asllan Dogjani nga ana e simpatizantëve të këtij qarku, do të përbënin faktorë domethënës në zhvillimin e një revolucioni politik, i cili do të sjellë kontribute të mëdha në konsolidimin e një Shqipërie të re dhe demokratike.