Erdogan në Tiranë, i kërkon Maqedonisë respektimin e “Ohrit”

560
TIRANË – Presidenti i Turqisë Recep Tayyp Erdogan u rikthye për një vizitë zyrtare në Tiranë, gjashtë vjet pas vizitës së fundit që pati kur mbante postin e kreut të qeverisë turke. Rreth orës 10:30 të mëngjesit të kësaj të mërkure Erdogan mbërriti në presidencë me bashkëshorten e tij dhe me një delegacion të gjerë me rreth 120 sipërmarrës, i ftuar nga homologu shqiptar Bujar Nishani. 
Takimi kokë më kokë mes krerëve të dy shteteve zgjati për mbi dy orë për të përfunduar në nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e sigurisë mes Tiranës dhe Ankarasë. Në konferencën e përbashkët për shtyp, udhëheqësi i Turqisë nga Tirana i bëri apel Maqedonisë të zbatojë marrëveshjen e Ohrit, si kusht për paqen në Maqedoni pas sulmit në Kumanovë, komunën e banuar nga shqiptarët që shënoi 22 viktima.
“Në Ballkan ka nga ata që duan të cenojnë paqen dhe sigurinë prandaj i kushtojmë shumë rëndësi paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së Ballkanit. Dëshirojmë që acarimet e krijuara në Maqedoni të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe të sigurohet paqja që siguron marrëveshja e Ohrit. Turqia ka vuajtur shumë nga terrorizmi dhe vazhdon ende procesi i luftës sonë kundër terrorit prej një periudhë 30-vjeçare dhe ne e dimë faturën e kësaj lufte. Nuk dëshirojmë që një faktor i tillë të paguhet nga popuj të ndryshme pavarësisht se çfarë feje apo etnie i përkasin. Ne duhet të bëjmë një dallim të qartë midis atij që fiton nga terrori. Në fakt humbasin të dy se lufta në fund të fundit është vdekje”, -u shpreh kreu i shtetit turk Erdogan.
Në të njëjtën linjë edhe kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani kërkoi zbardhjen e përleshjes së armatosur në Kumanovë duke ripërsëritur thirrjen që të mos shëndërrohet nga një konflikt i izoluar në një konflitk etnik. 
“Duke përcjellë ngushëllimet duke dënuar dhunën kriza në Maqedoni nuk duhet lejuar të përshkallëzohet me tej. Bëj thirrje faktorëve ligjzbatues të hetojnë sa më parë dhe të hetojnë sa më parë ngjarjen që ka tronditur jo vetëm Kumanovën por dhe gjithë partnerët ndërkombëtare. Bëj thirrje për frenimin të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë në burim konflikti të paqenë ndëretnik. Dhe në vend të saj përqendrimin e energjive në dialog për zgjidhje përfshirë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Gjendemi pranë qytetarëve të Kumanovës, duke apeluar për vetëpërmbajtje, qetësi dhe maturi në përballimin e kësaj situate tejet të vështirë”, tha Nishani. 
Erdogan thirrje Evropes te gjeje zgjidhje per emigrantet
Krerët e shteteve u ndalën edhe tek terrorizmi si fenomen që ka prekur Europën e më gjerë. Presidenti Erdogan kërkoi nga Bashkimi Europian, konkretisht nga vendet e zhvilluara, të gjejnë zgjidhje për tragjeditë e emigrantëve në Detin Mesdhe dhe Egjeun. 
“Të gjithë po bëhemi dëshmitarë se po vdesin në mënyrë tragjike emigrantët që enden në detin Mesdhe dhe Egje. Duket qartë se çfarë qëndrimi po mban Evropa ndaj tyre. Dhe unë e them këtë si një president i një vendi kandidat për BE. E them se jemi djegur prej këtyre gjërave. A mund të jemi të pandjeshëm ndaj këtyre njerëzve të varfër? A nuk duhet që edhe vendet e zhvilluara të prodhojnë një zgjidhje për këta njerëz?”, tha Erdogan.
“Rreziku i terrorizmit ka treguar se vendet janë të ndërvarura sa i takon sigurisë dhe nuk mund ta luftojnë të vetëm këtë rrezik. Mbetemi të gatshëm të vazhdojmë kontributin në këtë drejtim.Terrorizmi eshte shqetësim i madh se ata qe rekrutohen per luftetare përbëjnë rrezik për vendet nga kalojnë, ku shkojnë dhe për vendet e origjinës. Ky model që e kemi ndërtuar që duhet ta promovojnë”, u shpreh Nishani.
Erdogan: Marredheniet tregtare te zhvillohen me shpejtes…shkembimi tregtar 1 mld dollare ne vit
Fjalët e dy homologëve nisën me vlerësimin e frymës së bashkëpunimit që ekziston mes dy shteteve, thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera strategjike, por njëherësh edhe përmirësimin e tij në sektorë që janë ngritur nën të njëjtën frymë. Presidenti Erdogan foli për dyfishim të shkëmbimit tregtar Shqipëri-Turqi nga 430 milionë dollarë që është aktualisht në 1 miliardë dollarë në vit.
“Mikpritja shqiptare na bën ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë të dytë. Ne si vend i NATO-s ndërmorëm një mision të rëndësishëm për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe sot të dy vendet janë në NATO. Jemi së bashku dhe vazhdojmë rrugën tonë në fushën ushtarake. Edhe në fushën politike jemi së bashku në institucionet ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin. Ky solidaritet mes Turqisë dhe Shqipërisë është tepër i rëndësishëm. Ne ndjekim me kënaqësi procesin e Shqipërisë për të arritur sa më parë në Bashkimin Evropian. Mendoj se edhe marrëdheniet tregtare mes dy vendeve duhet të zhvillohen me shpejtësi. Dëshira ime është që vëllimi tregtar mes Turqisë dhe Shqipërisë në vit të jetë 1 miliard dollarë dhe vullneti për këtë ekziston në të dy vendet. Bashkëpunimi ekonomik nuk është i kufizuar vetëm me tregtinë. 2.7 miliardë dollarë është investimi turk në vendin tonë. Dëshirojmë që në ditët e ardhshme të hedhim hapa të mëdhenj në bashkëpunimin tonë”, tha Erdogan.
Nishani: Turqia e 4 si partnere ekonomike e Shqiperise
Kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani tha se bashkëpunimin me Turqinë e lidhin 89 marrëveshje e memorandume, ndërsa theksoi se janë 296 kompani turke që operojnë në vendin tonë, si një shembull konkret të këtij bashkëpunimi që e radhisin Turqinë të katërtën si partnere kryesore në ekonomi. 
“I shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka dhënë shqiptarëve ndër vite, përfshirë lobimin për pavarësinë e Kosovës si dhe rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë të mirëvendosura mbi baza të konsoliduara në mendësinë dhe lidhjet tradicionale mes dy vendeve si dhe me interesat strategjikë që ndajmë në rrafshe të ndryshme. Në ambicien e përbashkët për t’i thelluar këto marrëdhënie bashkë me presidentin Erdogan biseduam mbi të gjitha fushat ku bashkë ka potencial rritje dhe sektorët ku cilësia e bashkëpunimit ka vend për tu përmirësuar me një bashkërendim më efikas. Bashkëpunimin tonë e lidhin 89 marrëveshje, protokolle dhe memorandumi duke nisur me traktatin e Miqësisë së Mirë, e më tej në fushën e ekonomisë, rendit publik, mbrojtjes, kulturës etj. Tema kryesore e bisedimit ishte bashkëpunimi ekonomik. Në 2014 Turqia zë vendin e 4 si partner ekonomik i Shqipërisë. Në 5 vitet e fundit shkëmbimet ekonomike kanë njohur rritje të dukshëm dhe investimet e drejtpërdrejta dhe kontraktore kanë arritur mbi1 1 mld dollarë. Në Shqipëri operojnë 296 kompani turke në prodhimin e hekurit, çelikut telekomunikacion, miniera etj. Vlerësua se ka hapësira ende të pashfrytëzuara për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare. E sigurova mikun Erdogan se mirëpresim investimet e Turqisë energji, infrastrukturë, bujqësi e logjistikë. Ramë dakord mbi rëndësinë që parqet zbatimi i projektit TAP mbi impaktin pozitiv që ka mbi ekonomitë e vendeve tona”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani. 
Ora 12:45 Nënshkruhet marrëveshja per sigurine
Për mbi dy orë presidenti i Turqisë Erdogan dhe homologu shqiptar Bujar Nishani zhvilluan një takim mes tyre, i cili u përmbyll me nënshkrimin e një marrëveshjeje. 
“Marrëveshja për çështjet e sigurisë e nënshkruar sot mes dy ministrave të Brendshëm të vendeve tona, i shërben bashkëpunimit dhe infrastrukturës në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Kjo marrëveshje forcon bashkëpunimin dypalësh mes dy vendve aleate në NATO në këtë fushë dhe i shërben aspiratave tona integruese e forcon pozitat tona në aleancën tonë të përbashkët”- deklaroi Nishani.
“Marrëveshja e sigurisë mes Shqipërisë dhe Turqisë, kam bindjen se është e dobishme që edhe ajo të zgjerohet më tej”, tha Erdogan. 
Sigal