Erdogan: Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri

910
Jakup B. GJOÇA

Deklarata e fortë e Presidentit turk Erdogan: Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri
Diplomatë dhe profesorë amerikanë paralajmërojnë Shqipërinë dhe Kosovën për rrezikun e ndikimit turk në Ballkan
Udhëheqësit e sotëm turk tashmë nuk e fshehin ëndrrën e tyre, të ringjalljes së perandorisë Osmane, në ato kufij që kishte edhe në Ballkan. Ish-kryeministri Davutoglu, kohë më parë është shprehur që deri në 2023-shin, kur është edhe 100-vjetori i Republikës së Re Turke, influenca e Turqisë në vendet ballkanike (të ish-perandorisë Osmane) do të jetë shumë e fortë. 
Deklarata e Erdogan: Do komandojmë në Shqipëri
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po mundohet prej kohësh të ndërhyjë në Ballkan. Dje lideri i Turqisë foli për Shqipërinë duke treguar, se po mundohet të ndërhyjë në institucionet arsimore në Shqipëri. “Ne avancojmë çdo ditë, Fondacioni ynë “Maarif” në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore. Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Herët a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje. Ju pëlqen apo jo, Turqia do të vazhdojë të jetë gjithnjë e më e fuqishme.” tha Erdogan gjatë një fjalimi atje, shkruan media turke “YeniSafak”. Erdogan po fliste në një fjalim para studentëve të huaj, të cilët studiojnë në Turqi, ku nuk kurseu kritikat as për vendet që mbështesin lëvizjen e Fetullah Gulenit, përfshirë dhe vendin tonë. Ai shtoi se janë marrë masat e nevojshme parandaluese që studentët të mos shfrytëzohen nga organizatat terroriste FETO, e cila, siç tha ai, është armik i islamit dhe Turqisë. Duke iu referuar vendit tonë, Presidenti turk tha se Shqipëria, për fat të keq, është nën një lloj të pushtimit të organizatës terroriste FETO.
Kryeministri Rama përkrah Erdoganin
Kryeministri Edi Rama, para pak ditësh ka folur në një emision televiziv shqiptar, për marrëdhënien e tij me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sidomos në kushtet e reja, kur presidenti turk po u kërkon vendeve të rajonit t’i dorëzojnë anëtarët e organizatës ‘Gylen’ që gjenden në territorin e tyre. Kryeministri Rama tha se shqetësimi i Erdoganit është legjitim, porse nuk ka asnjë presion ndaj qeverisë shqiptare. Rama mbështeti linjën politike të Erdoganit sipas të cilit, grupi i udhëhequr nga Fetullah Gylen ka orkestruar grushtin e shtetit në Turqi në korrik të vitit 2016. “Presion mua dhe qeverisë sime, për sa kohë që e drejtoj unë, nuk i bën dot askush. Por në rastin konkret, biseda ime me presidentin Erdogan ka qenë vëllazërore për një problem legjitim për atë, për një rrjet që ka kërcënuar rendin në Turqi.” – tha Rama. Pyetjes, nëse do të dorëzojë anëtarët e kësaj organizate, Rama iu përgjigj se kjo nuk është një çështje bardhë e zi dhe se është në bisedime dhe po merret me këtë rrjet.

Në Shqipëri Turqia ka marrë koncesionet, por zero investime
Jo rastësisht, kryeministri Rama publikon projekte madhështore që do të ndërtohen në Shqipëri me investimet dhe ndihmën e Presidentit Erdogan, sikurse është edhe aeroporti i Vlorës. Jo rastësisht, biznesmenët turq kanë marrë me koncesion shumicën e pasurive kombëtare të Shqipërisë. Mirëpo, qëllimi i vërtetë i Erdoganit është, që me fuqinë ekonomike të zotërojë Shqipërinë dhe të bëjë komandë politike. 

Alon Ben-Meir: Udhëheqësit shqiptarë duhet të distancohen nga Turqia
Një profesor i Universitetit të Nju Jorkut, paralajmëron Shqipërinë dhe Kosovën për rrezikun e ndikimit turk dhe thotë se është e qartë, që objektivi i Recep Tayyip Erdoganit është të zgjerojë kontrollin e tij në Ballkan. Alon Ben-Meir, një studiues në Qendrën për Çështje Globale të këtij Universitetit tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se udhëheqësit e Shqipërisë e kanë akomoduar Turqinë për shkak të interesave reciproke dhe se ata duhet të distancohen, nëse duan të afrohen me BE-në. Alon Ben-Meir: “Shqetësimi që kemi ne qëndron tek agjenda e Presidentit Erdogan dhe agjenda e tij është; të nxisë islamizmin ku të mundet, si dhe rikthimin e një varianti të Perandorisë Otomane. Një gjë të tillë ai e ka thënë vetë. Ish-kryeministri i tij (Ahmet) Davutoglu dhe shumë zyrtarë me të cilët ne flasim rregullisht, tha se deri në vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e Republikës së Re Turke, do të ketë një pushtet dhe ndikim të ngjashëm me atë që Perandoria Otomane kishte gjatë 500 vjetëve që kishte në kontroll gjithë këtë zonë. Prandaj sipas mendimit tim, agjenda e tij është mjaft keqdashëse. Nuk jam i sigurt, që ai po e bën këtë për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë, por ai do t’i tërheqë ato në orbitën e tij për t’i larguar nga Bashkimi Evropian. Ai (Erdogan) po përdor fenë si instrument politik për të promovuar agjendën turke, veçanërisht në vende me shumicë myslimane. Shqipëria dhe Kosova janë kandidate të përkryera, si gjeografikisht dhe gjeopolitikisht, pikërisht, këtë do të bëjë Erdogani për të ushtruar kontrollin dhe ndikimin e tij në gjithë Ballkanin.”


Sigal