“Epopeja e Dukagjinit”, Lulzim Basha shpallet “Qytetar Nderi i Deçanit”

425
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u nderua dje nga Komuna e Deçanit me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare dhe angazhimin diplomatik, për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës”. Ky titull iu dorëzua z.Basha, pikërisht në ditën kur Kosova përkujtoj 15-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, si dhe 16-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin. Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Deçanit, duke e konsideruar përveç se një nder personal dhe një nderim e respekt për qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Ai tha se titulli “Qytetar Nderi” iu dorëzua në një ditë të madhe të historisë kombëtare, siç është dita e Epopesë së Dukagjinit që ka hyrë tashmë në histori. “Sot përulem me nderim dhe respekt para gjakut, veprës dhe kontributit të luftëtarëve të UÇK-së, atyre që dhanë jetën, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”,-tha Basha. Pavarësia e Kosovës, sipas z.Basha, ka diktuar që sytë e të gjithë popujve të rajonit, përfshirë edhe ata serbë, të kthehen drejt Europës. Ky, sipas tij, është mesazhi më i mirë për të gjithë ata që e kundërshtuan, apo ende nuk e kanë njohur shtetin e ri. Basha hodhi poshtë çdo përpjekje për të hequr paralele mes rastit të Kosovës dhe Krimesë. Vizita e Kryebashkiakut Basha në Deçan nisi me homazhet në nderim të heronjve të kombit në qendër të Deçanit dhe në kompleksin memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan. Një manifestim i veçantë me titull: “Epopeja e Dukagjinit” mbylli kremtimin e 15-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe 16 vjetorit të Epopesë së UÇK-së në Dukagjin. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Asamblenë Komunale të Deçanit, kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e fuqishme të z.Basha në procesin e shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj ndërkombëtare.