Epidemia e vjedhjes dhe atdheu i mbetur peng

45

 Abuzimi me pushtetin, me tenderë dhe koncesione


Bardhyl Berberi


 Paratë e
vjedhura shpenzohen në mënyra nga më të ndryshmet: për të bërë qejf nëpër
lokale, hotele, plazhe, shkuma party, apo për të bërë spektakle mburravecësh
nëpër dasma, duke larguar sa më tepër punën dhe afruar qefin, për ta mbushur
Shqipërinë jo me punëtorë dhe zanatçinj, por me qejflinj të dhjamosur, të
rehatuar, që i fitojnë paratë duke abuzuar me pushtetin me tenderë apo
koncesione. Kjo lloj paraje pa djersë ka një destinacion të caktuar. Po t’i hedhësh
një sy Raportit Statistikor  Evropian  sheh se në Shqipëri harxhohen më shumë para
për aktivitete ilegale për prostitucion dhe drogë  dhe shumë më pak për ilaçe! Realisht e nxora
këtë përfundim nga një dasmë pak ditë më parë duke qenë vetë i pranishëm. Pak
me vonesë vjen një bos i veshur me pushtet, i  cili hapi një pliko me dollarë dhe ia hodhi
këngëtares dhe çiftit. Një gjest që gjithsecili e ndoqi me neveri … Askush nuk
e ka të lehtë të fitojë para dhe t’i hedhë ato sikur të jenë fletë prej plepi.
Dhe kjo ndodh në një kohë kur një kategori njerëzish, krejt të ndryshëm
popullojnë mjediset tona, duke filluar që nga ata lypësit e vegjël që të
ngatërrohen çdo ditë nëpër këmbë, tek ai punëtori i ndershëm që e nxjerr paranë
me gjak majë skelave dhjetëra kate të larta duke rrezikuar jetën apo nga ai që
rrezikon me ndërmarrje biznesi brenda një konkurrence të pandershme dhe që bën
kontrast me atë lloj krimineli, i cili në emër të këtyre parave të fëlliqura
merr jetë njerëzish. Si mund të shkelen kështu me këmbë paratë? Po kush i hedh
këto para dhe i përdor ato për abuzime seksuale, qejfe të shfrenuara dhe orgji
nëpër shtetet fqinjë? Janë ata që çunin apo gocën me paratë e vjedhura i çojnë
në shkollat më të shtrenjta në botë, ata nuk shkojnë në këto institucione
arsimimi pse kanë ndonjë talent apo ndonjë meritë, por vetëm për t’u
ngrehosur me paratë e vjedhura të babit
hajdut. Puna që e kryejnë më së miri, është ndihmesa e pakursyer që japin, për
t’i përhapur Shqipërisë namin e vendit të hajdutëve dhe budallenjve me brirë.
Për rezultate shkollore as që flitet, nga shkollat kthehen ashtu siç kanë
shkuar  dhe Shqipërisë i shtojnë radhët e
ushtrisë së mediokërve. Nëse me paret e vjedhura çuni dhe goca ndoshta nuk
drogohen dhe as nuk shkojnë në shkolla të shtrenjta, por hapin një biznes, ata
imitojnë babin: Nuk paguajnë taksa, nuk sigurojnë të punësuarit ose dhe më zi,
futen në politikë, duke sjellë pasoja katastrofike, duke u ulur në parlament.
Ky takëm zengjinësh  blejnë makina dhjetëra
mijëra euro që i ngasin me 150 në orë në mes të qytetit, vrasin edhe polica
rrugorë. Në Shqipërinë e sotme, ku sasia më e madhe e pareve në qarkullim,
është ajo nga vjedhja e parasë publike, 
nuk të  gjen asnjë e keqe, nuk ka
asnjë rrezik. Paranë publike të vjedhur nga babi, kalamajtë e babit hajdut mund
ta shpenzojnë pa frikë. Ishte një lajm që qarkulloi para disa ditësh, se janë
vjedhur dy shtëpi të një ministri dhe të një ish ministri dhe janë marrë shuma
marramendëse. Tek ne veset kthehen në modë dhe meritë dhe të gjithë garojnë të
bëhen të tillë, shpenzimi i pareve të vjedhura 
është diçka pa pasoja imediate, diçka që aty për aty nuk vihet re.
Epidemia e qejfit me paret e vjedhura ka plasur keq, megjithëse vazhdojnë të
bien daullet e atdhedashurisë. Të pëllasin moralistët. Të këshillojnë
profesorët. Demokracia alla shqiptare arriti ta bëjë atë deformim moral që
diktatura megjithëse e vranë, e prenë e u lodhën aq tepër nuk e arritën dot.
Falë pareve të vjedhura, Shqipëria po mbushet me  drogaxhinj, qeflinj, parazitë, të sëmurë
depresivë, burgaxhinj, kopila. Nuk e dimë se në çfarë letargjie kemi rënë. Të
vishen sytë nga zhgënjimet dhe nuk dimë, se çfarë mallkimi patëm nga kjo klasë
politike në këto 26 vjet. Nuk po heqim dot as pluhurin as dhe baltën. Ngelëm të
përulur dhe të heshtur para botës  në
terr e në muzg. Atdheu ynë, të kanë marrë peng këta kusarë që nuk duan
Vetingun  dhe Evropën  dhe japim mend Amerikës, se kë duhet të
zgjedhë president. Kemi mbetur një popull i heshtur dhe i përulur nga kjo klasë
politike, ndonëse jemi ndër popujt më të vjetër në botë, ne nuk na pyet askush.
Atdheu ynë, ke mbetur pengu i politikanëve mediokër dhe hajdutë…