Enver Robelli: Rama shkeli mikpritjen e kosovarëve, shfaqi ambicien për të rishkruar historinë…

674
Ditën e djeshme, duke folur në parlamentin e Kosovës në seancën solemne për 10-vjetorin e pavarësisë, Edi Rama deklaroi se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë edhe një president të përbashkët, si simbol të unitetit kombëtar, dhe jo vetëm ambasada të përbashkëta.
Gazetari Enver Robelli e cilëson këtë deklaratë të Ramës si shkelje të mikpritjes së kosovarëve.Në një editorial të tij në ‘dialogplus.ch’, Robelli shpjegon se presidenti i përbashkët do të limitonte sovranitetin e Kosovës. Ndërsa deklarata e Ramës pro UÇK-së dhe zhvlerësuese për rolin e Ibrahim Rugovës, sipas Robellit, shfaq ambicien e Ramës për të rishkruar historinë e Kosovës.
“Ai erdhi në Kosovë si mysafir, por u soll si një njeri që e humb kontrollin nga pijet e banketit festiv dhe dëshiron të rrëzojë tavolinën. Në një datë me simbolikë të fuqishme kur shënohet 10-vjetori i pavarësisë, ai në të vërtetë e vë në dyshim jetëgjatësinë e Republikës së Kosovës duke propozuar «president të përbashkët».
Një post i tillë domethënë limitim i sovranitetit edhe ashtu të rrezikuar të Kosovës nga Serbia. Hedhja në ajër e Kosovës së pavarur domethënë: ndarje territoriale dhe zhvendosje e një numri të caktuar të popullsisë. Pastaj «krahina e mbetur e Kosovës» mund të bashkohet me kë të duan, por vetëm si e nënshtruar dhe e dështuar si shtet.
Sjellja e Edi Ramës është keqpërdorim mikpritjeje dhe goditje e rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës. Edhe kësaj radhe ai, mes rreshtash, goditi lëvizjen për pavarësi të Ibrahim Rugovës, duke thënë se kur «konformizmi e rënia e idealeve dukeshin si fat i pashmangshëm» nga «gjiri i popullit dolën heronjtë».
Kjo është edhe një tendencë për të shkelur njërën lëvizje dhe për të favorizuar tjetrën. Por Kosova nuk do të ishte çliruar pa njërën prej këtyre lëvizjeve. Ambicia e Ramës për të rishkruar historinë e Kosovës mund të marrë përmasa edhe më të gjera nëse shqiptarët e Kosovës dhe politikanët e saj pranojnë rolin e «lopëve».
Dhe këtë rol disa prej tyre e kanë pranuar, vetëm me kusht që të mos i pengojë askush në misionin e shenjtë të mbushjes së xhepave. Në këtë rrugë Edi Rama nuk i pengon. Madje mund t’i inkurajojë dhe japë ide.” – shkruan gazetari Enver Robelli.
Sigal