Entela Binjaku: Kur protesta ka emrin e qytetarëve…

522
Në 14 shkurt në Sheshin “Viktoria” në Bukuresht qytetarët rumunë dolën për herë të 15-të para ndërtesës së Qeverisë duke i kërkuar dorëheqjen. Me sloganin “ Nuk ikim, rezistojmë” ata protestonin si në netët paraardhëse, në temperaturat nën zero gradë, duke u mbledhur në shesh rreth orës 22 për të qëndruar aty deri në orën 1 pas mesnate. 

Qytetarët në Bukuresht e nga qytete të tjera të vendit si dhe në shumë prej shteteve ku kanë emigruar morën vëmendjen e opinionit ndërkombëtar me protestat e tyre që ende vazhdojnë. Duke u lidhur nëpërmjet medias sociale ata i dhanë pamje dhe zë revoltës së përbashkët kundër klasës së sapozgjedhur qeverisëse që kishte ndërmarrë një vendim në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. Shumica e protestuesve të rinj të lindur pas ’89 dolën kundër “Urdhëresës së urgjencës” 13/2017 dhe kundër një klase drejtuese politikanësh që sipas tyre “po kriminalizonin me ligj politikën”. Në shesh dolën qytetarë të të gjitha grupmoshave, pa dallim gjinie, origjine, statusi social e ekonomik, prindër së bashku me fëmijë, që kundërshtonin dekretin në të cilin parashikohej që zyrtarët publikë rumunë nuk do të penalizoheshin në rast të përfitimit të një shume deri në 45 mijë dollarë; sipas saj çdokush mund të aplikonte për funksione zyrtare edhe nëse kishte një dënim deri në 5 vjet. “Urdhëresa e urgjencës 13/2017” krijoi këtë reagim tek qytetarët për shkak të arrogancës me të cilën u ndërmor, mungesës së transparencës dhe komunikimit me publikun. Kur të rinjtë, të cilët ishin shumicë, kuptuan dobishmërinë e njëanshme, kur ju bë e qartë se vendimi ishte kundër interesave të shoqërisë, kur nëpërmjet saj synohej t’i merrej fryma antikorrupsionit ata dolën në shesh duke arritur deri në 100 mijë njerëz të mobilizuar prej rrjeteve sociale. Në ditën e 7-të të protestave ministri i drejtësisë shpalli anulimin e saj, por protestuesit vazhduan të dilnin në rrugë e sheshe duke kërkuar rrëzimin e qeverisë së votëbesuar nga presidenti në dhjetor të vitit 2016. Te nesërmen e anulimit Presidenti rumun Johaniss në fjalën e tij në parlament u shpreh se: “Tërheqja nga urdhëresa dhe dorëheqja e mundimtë e një ministri është pak për zgjidhjen e krizës ne të cilën gjendemi… Rumania ka nevojë për një qeveri të fortë dhe jo një qeveri që ndjek rregullat e partisë. Bëhuni të ligjshëm për Rumaninë, bëni ligje të mira për Rumaninë, dhe jo për një grup politikanësh me probleme. Atë që premtuat, bëjeni! Duhet të zgjedhim nëse duam të jemi një komb i fortë, i begatë me një shtet me drejtësi të pavarur, apo duam të jemi një komb i dobët, i përçmuar, që vendos çdo gjë në lojë për të shpëtuar disa që gjenden në situata të vështira.” Historia e një të kaluare nën regjim komunist dhe aspirata e për integrim në BE janë dy të përbashkëtat e mëdha mes shoqërive tona, gjë e cila nxit detyrimisht vëmendjen dhe reflektimin mbi protestat e rumunëve. Pyetjet kryesore që lindën këtej nga ne ishin: “Si arritën të organizoheshin aq masivisht në sheshe e rrugë të nxitur vetëm nga vokacioni qytetar? Si mundën ishin kaq të pa përçarë në rezistencën e tyre gati 20-ditore? Çfarë fuqie paska media sociale që nxori në shesh me qindra mijëra qytetarë pavarësisht moshës, origjinës, statusit e gjinisë? Afërmend që për secilën nga këto pyetje lindte edhe kundër pyetja: “Po ne?” Ndërkohë që në 2017 jemi ende në pritje të çeljes së negociatave me BE-në, Rumania është pjesë e bashkësisë evropiane që në 1 janarin e 2007. Pas 10 vjetësh që shtetasit rumunë jetojnë nën qiellin e BE-së, duke rritur qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe të ideve, po krijojnë një kulturë të re të të protestuarit, që refuzon padrejtësinë, arrogancën dhe indiferencën e politikës, e cila nuk është se ka munguar deri në këto çaste që flasim. Këto së bashku me teknologjitë e informacionit, risitë në format e komunikimit, bashkuar me dëshirën për të rijetuar “revolucionin” e ’89 janë disa nga shtysat e kësaj proteste që në themel të saj ka angazhimin qytetar.

Ndërkohë që tek ne ka zënë vend togfjalëshi “kultura e pa ndëshkueshmërisë” rumunët i kanë dhënë partnerëve ndërkombëtarë fakte të vullnetit të tyre në luftën kundër korrupsionit. Në tri vitet e fundit Agjencia rumune e Anti-korrupsionit ka arrestuar 1250 zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm mes të cilëve: 1 kryeministër, 5 ministra, 16 deputetë, 97 kryetarë bashkish dhe nënkryetarë, 32 drejtorë drejtorish dhe 497 njerëz me pozita drejtuese në institucionet publike. Nga këta 93% janë dënuar duke treguar edhe efiçiencën e organit të akuzës dhe të shtetit të së drejtës ku para ligjit “janë të gjithë të barabartë”. Ndërsa tek ne ka një ekzaltim për 3 pikët e ngjitura në “Indeksin e Korrupsionit” në 5 vitet e fundit, Cornelia Abel, koordinatorja e “Transparency International” për Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, do të shprehej se “Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit të perceptuar në të gjithë rajonin. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga sistemi politik dhe janë të lodhur teksa shohin të korruptuarit që përdorin paratë dhe influencën për t’i shpëtuar ndëshkimit”. Protestat e këtyre ditëve treguan një diasporë rumune aktive, që është e lidhur ngushtë me zhvillimet në vendin e origjinës. Ndërsa ne themi se ende nuk dimë sa shqiptarë kemi në vendet ku kanë emigruar, institutet e statistikave në Itali flasin për 1.150.000 qytetarë rumunë, 800.000 në Spanjë, qytetarë të numëruar dhe me të drejte vote. Rumunët votojnë edhe nga Siatëlli e Portlandi, nga Belgjika e Austria etj., për atë që ndodh në vendin e origjinës, ndërsa ne edhe pse pas 27 vitesh ka emigruar më shumë se 38% për qind e popullsisë dhe ende emigrojnë, nuk ka asnjë votë për vendin amë. Ndërsa lidhja e diasporës me zhvillimet në Shqipëri është ende në embrion, diaspora rumune, ndoshta po aq e re sa jonë, përmes votimit është mjaft përcaktuese në zhvillimet e demokracisë rumune. Shoqëria civile rumune është aktive dhe e organizuar gjë e cila u duk edhe në këto ditë protestash, ndërkohë që tek ne besimi tek shoqëria civile është i dobët, mosbesimi se ajo përdoret politikisht është i lartë. Shpërdorimi që shpesh aktorë të saj i kanë bërë ideve, parave dhe kohës, ka lëkundur besimin se ajo shoqëri përfaqëson aktivizmin qytetar shqiptar. Media e parë dhe ajo sociale rumune gjatë protestave i dha opinionit informim dhe ndërgjegjësim, analiza dhe qëndrime mbi zhvillimet e kësaj shoqërie që kishte tejkaluar dukshëm veten, duke u krahasuar me protestat simbol që i dhanë fund regjimit komunist. Ndërsa tek ne edhe pse qytetarët informohen 42% më shumë nga mediat sociale për marrje informacioni, sërish kanë televizorin mediumin e parë, medium tek u cili kanë një besim në rënie! Ndërsa tek rumunët u ringjall vokacioni civil që i nxori në shesh, tek ne sheshet i mbushin thirrjet politike. Zëri i brendshëm i qytetarit shqiptar të shqetësuar për zhvillimet në jetën e tij dhe të vendit, është mpakur që në gjenezë nga shtypja e dhunshme që i ka bërë mjedisi. Ai zë i ngjan binjakut në embrion që ka pushuar së zhvilluari dhe i ka dhënë jetë të ngjashmit të tij i rritur nga prindër të shtypur nga një regjim ndrydhës, në një kontekst që manipulohet nga zhurma politike.

Sot jemi në 18 shkurt dhe në sheshin “Viktoria” qytetarët rumunë dolën dhe protestuan…sërish! 
Sigal