Engjëll MUSAI: Vetem në pushtet njihet njeriu

435
Dita e parë e vitit 2016 është e veçantë edhe për ne gazetarët e shtypit të shkruar dhe si e tillë zakoni e do që të themi dy fjalë urimi. Së pari për mbylljen e 2015 dhe së dyti për objektivat e vitit që sapo ka nisur. Për vitin që lamë pas, më mirë se gjithçka do i shkonte për shtat thënia e famshme e ish-kryeministrit britanik Uinston Çurçill, i cili kur analizonte politikën dhe premtimet e politikanëve do të thoshte se, “Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi”. Kjo gjetje e mençur dhe që është pjesë e 50 shprehjeve legjendare të Çurçillit i shkon për shtat situatës politike në Shqipëri dhe politikanëve shqiptarë. “Rilindja” erdhi në pushtet me bekimin e 1milion shqiptarëve, pasi u premtoi këtyre të fundit se do të zhdukë pabarazinë. Ndërkohë që hendeku midis të varfërve dhe të pasurve u shtua edhe më shumë. Madje ne pamë edhe personazhe të politikës që vraponin më fëmijët romë në spitale, se kishin krahun e dëmtuar nga aksidentet, pasi qëndrimi i tyre buzë rrugëve kryesore kishte me vete edhe këtë lloj rreziku. Por çfarë ndodhi? Shtresat e pambrojtura u larguan dhe u hodhën në rrugë të madhe dhe se bashkëjetuesi i fëmijës me krahun e thyer shpresoi më kotë nga ndryshimi, sepse një ditë ai u gjend i pajetë, poshtë Urës së Lanës nga i ftohti. Do të ndëshkojë hajdutët e tenderave dhe mungesën e barazisë më fondet publike. “Rilindasit” kanë dy vjet që nuk bëjnë tendera, por ua japin klientëve të tyre. Kjo ndodh tek rrugët, tek objektet strategjike dhe ku qarkullojnë miliarda, tek spitalet etj, etj. Do zhbëjmë koncesionet, deklaronte lideri i “Rilindjes” në mitingjet e madhështore, ndaj kërkohet vota juaj.

 Dhe sovrani e dha votën. Koncesionet jo vetëm nuk u anulluan, por janë dhënë koncesione që as në ëndërr nuk ishin parë. “Do legalizojmë shtëpitë falas”, ishte një tjetër premtim. Por nga e thëna në të bërë na ndanë një lumë i tërë, do thoshte i ziu popull. Dhe falas nuk do legalizohej toka dhe banesa, por pranimi i dokumenteve, ndërkohë që 90% e shqiptarëve i kanë mbaruar vetëdeklarimet që para 5 vjetësh. Do rishikojmë trajtimin e ushtarakëve, të përndjekurve, arsimin e lartë publik, spitalin ushtarak, pensionet suplementare etj, etj. Do rikthejmë SHQUP-in, po kë SHQUP? Atë që u dha në marrëveshje mes qeverisë që iku dhe kësaj që erdhi, por që kishte dhënë një leje pikërisht përpara selisë së PD, me kushtin që ajo të transferohej tek SHQUP. Dhe tani dalin dhe na dërdëllisin duke u hedhur hi syve. Por shqiptarët nuk gënjehen më dhe politikanët tanë sado të mundohen të luajnë komedi, sallat e tyre do mbeten bosh, sepse spektatori – popull me neveri do i përbuzë. Nëse do vazhdojmë të flasim për premtimet nuk do na dalin 2 muaj të tërë, që korrespondojnë me fillimin e fushatës së fundit elektorale. Do flasim për faljet e kamatëvonesave të energjisë, ujit, kuponit tatimor, rritjes së taksave e shumë e shume të tjera. Një kolegu ynë gazetar, Lad Bizhga do të thoshte në statusin e vet, se në bankat e Nikozisë nga politikanët shqiptarë janë depozituar para sa buxheti i tre viteve të Shqipërisë. E pra, nëse kjo është e vërtetë do të ishte një çmenduri. 

Dhe që vendi dhe kombi të ecin dhe përparojnë duhet të vendoset drejtësia në këtë vend të nëpërkëmbur dhe të shkatërruar qëllimisht nga ata, që nuk e kanë dashur dhe nuk e duan lirinë, pavarësinë dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj dhe politika bën lloj-lloj akrobacish për të mos miratuar ligjin për Reformën në Drejtësi, pasi e kupton shumë mirë, se ai është litari që vetë këta politikanë po vendosin në qafën e tyre. Ligji për dosjet dhe bashkëpunëtorët nuk miratohet, sepse u intereson politikanëve që ta përdorin si mjet presioni ndaj individëve që janë emëruar në poste të larta të drejtësisë dhe administratës shtetërore. Ligji për dekriminalizimin është një show i vërtetë, pasi kriminelëve të veshur me pushtet legjislativ u kërkohet të ndëshkojnë vetveten. Rastet skandaloze të deputetëve trafikantë, skafistë, drogmenë, tutorë prostitutash, hajdutë bankash dhe ordinerë shtëpish, vrasës me pagesë etj, vazhdojnë të mbajnë peng vendin, sepse kanë mbështetjen e liderëve të politikës. Në vend që ligjvënësit dhe qeveritarët të merren me hallet që shqetësojnë shtetasit e vetë, gjejnë lloj-lloj mënyrash për të goditur bizneset, trembur dhe burgosur ata, ndërkohë që vetë mbahen në ato nivele pikërisht nga taksat e këtyre bizneseve. Edhe në këtë rast shprehja e Çurçillit se: “Disa i shohin sipërmarrjet private si shënjestra grabitqare që duhen goditur, të tjerë e shohin si një lopë që duhet mjelë, por pak janë ata që e shohin si një kalë i fuqishëm që tërheq karron”, zë vend dhe i shkon për shtatë qeverisë aktuale. Por sado të sofistikuara të jenë metodat e mashtrimit dhe të babëzisë, të grabitjes dhe klientelizmit, të nepotizmit dhe marrëzisë, përsëri kombi ynë do të triumfojë dhe qarqet antishqiptare së bashku me fondacionet dhe disa qarqe diplomatike pas tyre do të dështojnë. Thënia e Çurçillit se “Historia shkruhet nga fitimtarët”, është më afër se kurrë.
Sigal