Engjëll Musai: Pas tërmetit edhe “Rilindja” shkërrmoq kolonat e Kushtetutës

518
Sigal

Pas tërmetit edhe “Rilindja’ shkërrmoq kolonat e Kushtetutës

Engjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

Tërmeti i 21 shtatorit dhe ai apokaliptik i 26 nëntorit do të mbahen mend në memorjen e shqiptarëve si më shkatërrimtarët  për nga numri i fatkeqësive njerëzore, atyre materiale, stresit, kaosit dhe pasigurisë  që ende mbizotëron te qytetarët. Kjo katastrofë mund të ishte minimizuar nëse shtetarët lokalë dhe ata qendrorë, përgjegjës për lejet e ndërtimit dhe sigurinë e objekteve, do të kishin treguar më shumë përgjegjshmëri  në kontrollin  e lëndëve të para që përdoren  në ndërtim, doganat do të kishin qenë më të përgjegjshme në lejimin conform analizave të çimentos, hekurit dhe materialeve të tjera ndihmëse. Nga ana tjetër,  edhe urbanistika, bashkitë dhe institucionet e tjera qendrore, që organizojnë prokurime për shërbimet e ndërtimit, do të kontrollonin me përgjegjshmëri punimet, dhe mbi të gjitha, do të mendoheshin mirë përpara se të firmosnin për kolaudimin dhe marrjen në dorëzim të objekteve.  Pikërish kjo papërgjegjshmëri bëri që kolonat e banesave dhe pallateve të bëheshin shkak për këtë fatkeqësi, që u shoqërua me humbjen e jetëve dhe plagosjen e qindra qytetarëve. E nëse tërmetet janë dukuri natyrore dhe nuk varen nga dora e njerëzimit , një tjetër fatkeqësi me pasoja mbarë kombëtare po përgatitet nga disa mjeranë,  në të ashtuquajturin  “Kuvend”,  të cilët kanë përgatitur një “paçavure” për të thyer Kolonat e Kushtetutës së Shqiptarëve. Dje, me inaciativën e tyre, po kërkohet që  të ndryshohet Kushtetuta e Republikës,  duke thyer dhe gjunjëzuar të vetmen ndërtesë, tek e cila  mbështetet shpresa dhe e ardhmja e kombit shqiptar. Goditja e parë e këtyre kolonave u bë në natën e errët të vitin 2008 , ku  për interesa meskine u vendos tronditja e themeleve të  Kushtetutës. Ndërsa goditja e dytë, me pasoja shkatërruese po përgatitet nga rilindasit dhe deputetët e listës  së  Parlamentit më mediokër në historinë e kombit shqiptar, që nga viti 1912. Ajo ka të bëjë me marrjen e kompetencave që Kushtetuta përcakton në ndarjen e pushteteve. Pas kësaj, na mbetet të rikujtojmë proverbin e vjetër “Lala kros mor lala kros ,vetë firmos e vetë vulos”. Çuditërisht duket sikur tërmetet dhe “Rilindja” janë në sinkron, secili sipas modelit dhe natyrës që përfaqësojnë. Tërmeti  i gjymtoi një pjesë të objekteve, të tjerat po i palosin strukturat që kishin për detyrë të mos lejonin, që pasuria e vetme e shqiptarëve  dhe puna e emigrantëve të shkonte siç thotë populli “për dhjamë qeni”.  Edhe “Rilindja” pasi e gjymtoi Kushtetutën në 2008, ka vendosur  t’i shkërrmoq  përfundimisht kolonat e shtetit që mbajnë  ende në këmbë  Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Por “Rilindasit” dhe disa “aksionerë” të opozitës,  nuk duhet të harrojnë se: Kolonat që po i hiqni ndërtesës së Kushtetutës së votuar nga populli, një ditë do t’ju zërë juve brënda.