Ëngjëll Musai: Në mars 2017 nis zgjedhja e Presidentit, në 18 qershor Kryeministri i ri

442
Sigal

Më 18 qershor të vitit 2017, Shqipëria zhvillon zgjedhjet e përgjithshme
parlamentare

 

Në mars 2017 nis zgjedhja e Presidentit, në 18 qershor Kryeministri i ri

 

Ëngjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

 

01

 

Dje Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani, ka shpallur vendimin
zyrtar për datën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, që sipas Kushtetutës
do të mbahen në mesin e vitit 2017. Në njoftimin zyrtar që është bërë nga
Presidenca, thuhet se Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka shpallur datën e
këtyre zgjedhjeve. Sipas Dekretit data e zgjedhjeve për Kuvendin do të jetë, 18
Qershor 2017 dhe është caktuar në mbështetje të Nenit 92, shkronja “gj” dhe
sipas Nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9,
paragrafi 1 e 2, të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i
Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Ky Dekret sipas Kreut të Shtetit hyn në
fuqi menjëherë. Kjo do të thotë, se Kuvendi i Shqipërisë do të ndërpresë
aktivitetin e vet parlamentar 45 ditë përpara kësaj date dhe që konkretisht do
të shënojë, datën 03 Maj 2016. Përcaktimi i datës nga ana e Kreut të Shtetit i
lë hapësira këtij kuvendi, që brenda datës 18 Dhjetor 2016 të mund të bëjë
ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, nëse forcat politike kanë ndër mend t’i
bëjnë ato. Ndryshimet janë kërkuar nga shumë parti jo parlamentare, nga
organizmat e të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha janë rekomandimet e
OSBE-ODHIR, i cili ka përcaktuar ndryshime të kodit ekzistues, me qëllimin
final barazinë në fushatën e ardhshme dhe që, konkretisht ,ka të bëjë me
zgjedhjet e datës 18 Qershor 2017. Përtej kësaj kërkese nga organizmi më i lartë
i monitorimit dhe certifikimit të zgjedhjeve, partitë kryesore në Shqipëri PS
dhe PD nuk pranuan të bëjnë ndryshime, duke bërë që qindra e mijëra vota të
partive të vogla të humbasin ,megjithëse ato në shifra i kalojnë 10% të pjesëmarrësve
në votime. Për rrjedhojë  këto vota merren
padrejtësisht nga partitë e mëdha duke shkelur parimin e barazisë në zgjedhje
dhe duke shpërfillur vullnetin e qytetarëve dhe votuesve shqiptarë. Nëse këtyre
manovrave do t’i shtojmë edhe mungesën e votës së mbi 1 milion shqiptarëve atëherë
situata bëhet edhe më serioze. Zakonisht në Shqipëri kanë të drejtën e
votës  rreth 2.8 milionë qytetarë, por që
në votime marrin pjesë rreth 1.5 milionë votues. Sigurisht ne nuk do analizojmë
sot sistemin, i cili nëse do të ishte një sistem i pastër proporcional Kombëtar
atëherë vota e çdo qytetari nga veriu në jug, emigranti, të riu apo të vjetër
do kishte një peshë të madhe, pavarësisht se kjo nuk do i pëlqente dy partive
tradicionale PS-PD, të cilat në fund të këtij mandati shënojnë plot 30 vjet që
sundojnë vendin,  i cili është katandisur
në ditët e veta më të rënda të ekzistencës. Varfëria, krimi, pasiguria, droga, papunësia,
vetëvrasjet, emigracion, prostitucioni janë ulur këmbë kryq dhe të vetmit që po
fitojnë janë qeveritarët, pushtetarët 
dhe sejmenët e tyre që nuk bëjnë gjë tjetër por ndërrojnë karriget duke
transferuar përkohësisht tek njëri tjetri pushtetin.

 

02

 

KQZ vetëm para dy ditësh përcaktoi edhe mandatet që do të ketë çdo qark, duke
bërë ndryshimet përkatëse për shkak të lëvizjeve demografike, të cilat janë
ndarë si më poshtë.

 

Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore është ky: 

 

1.     Zona zgjedhore qarku Berat, 7 mandate

2.     Zona zgjedhore qarku Dibër, 6 mandate

3.     Zona zgjedhore qarku Durrës, 14 mandate

4.     Zona zgjedhore qarku Elbasan, 14 mandate

5.     Zona zgjedhore qarku Fier, 16 mandate

6.     Zona zgjedhore qarku Gjirokastër, 5 mandate

7.     Zona zgjedhore qarku Korçë, 11 mandate

8.     Zona zgjedhore qarku Kukës, 3 mandate

9.     Zona zgjedhore qarku Lezhë, 7 mandate

10.   Zona zgjedhore qarku Shkodër, 11 mandate

11.   Zona zgjedhore qarku Tiranë, 34 mandate

12.   Zona zgjedhore qarku Vlorë, 12 mandate

 

 

KQZ ndryshon dhe përcakton ndarjen e 140 mandateve për zgjedhjet 2017, i
nis ato për “certifikim” në parlament. Sipas informacionit zyrtar të njoftuar
nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thuhet se në mbledhjen e 3 dhjetor 2016, u
shqyrtua e u miratua Projekt-Vendimi: “Për caktimin e numrit të mandateve, për
çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017”. Të
dhënat për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet
për Kuvend të vitit 2017, KQZ do t’ia dërgojë menjëherë Kuvendit të Shqipërisë
për miratim. ​

 

03

Zgjedhja e Presidentit të Republikës

 

Ky vit për koincidencë përkon edhe me zgjedhjen e Kreut të Shtetit dhe një
gjë e tillë përsëritet një herë në katër vite. Por kush do e zgjedhë
Presidentin e Republikës, parlamenti aktual apo ai që do të dalë pas zgjedhjeve
të 18 Qershorit? A ka mundësi që lojërat e ngushta politike të sakrifikojnë
djegien e raundeve dhe qëllimisht ta lënë zgjedhjen e Presidentit pas
zgjedhjeve të përgjithshme? Kush janë kandidaturat dhe të preferuarit e kryetarëve
të partive? Cilat janë procedurat e zgjedhjes së Presidentit? Cili është
mandati i tij dhe si veprohet nëse parlamenti nuk arrin dot të bëjë votat e
mjaftueshme për zgjedhjen e tij?

 

04

 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton se Presidenti i Shqipërisë apo Institucioni
kushtetues i Presidentit të Republikës  është Kryetari i Shtetit .Në Kushtetutën e
Republikës së Shqipërisë është përcaktuar mënyra e zgjedhjes, mandatit,
shkarkimit ose të zëvendësimit të Presidentit të Republikës. Kushtet për
zgjedhjen e Presidentit të
Republikës së Shqipërisë janë të parapara në nenin 86 të Kushtetutës. Sipas këtij
neni, Presidenti i Republikës është
kryetar
shteti
dhe përfaqëson
unitetin e popullit. Si president mund të zgjidhen vetëm personat me moshë mbi
40 vjeçare me shtetësi shqiptare nga lindja dhe, që së paku, dhjetë vitet e
fundit i kanë kaluar në Shqipëri.

 

05

Procedura e zgjedhjes së Presidentit

Procedura
e zgjedhjes së Presidentit është paraparë në nenin 87, i cili ka gjashtë pika
dhe sipas tij kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej
jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën
kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të
fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon
deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet, jo më vonë se shtatë ditë nga
fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera
zhvillohet, jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit
pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë
kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë
të rinj, sipas kushteve të paragrafit të parë si më sipër. Presidenti zgjidhet
në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri
të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të
pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të
gjithë anëtarëve të Kuvendit ose 71 vota me qenë se Kuvendi I Shqipërisë ka 140
deputetë.  Votimi i pestë zhvillohet kur
në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të
votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më
shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të
njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në
rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për
këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të paragrafit të
parë si më sipër. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet
midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve
propozues. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron
shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë
kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45
ditëve nga shpërndarja e tij. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e
Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

06

Mandati i Presidentit

Presidenti
i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm
një herë. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të
pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit
zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Procedura për
zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit
presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që
i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen
e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të
Kuvendit. Presidenti fillon në detyre pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më
parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet.  Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të
mandatit të vet, nuk mund të kandidojë ne zgjedhjen presidenciale që bëhet pas
dorëheqjes së tij. Në rastin konkret Presidenti 
aktual i  Republikës ka përcaktuar
si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare 18 Qershorin e
2017, ndërsa vetë Presidenti aktual që është në detyrë  është zgjedhur më 24 Korrik 2012. Sipas përllogaritjeve
afati i fundit i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë jo më vonë se 60 ditë,
por meqenëse Kuvendi aktual shpërndahet 45 ditë përpara datës 18 Qershor 2017
dhe që i takon data  03 Maji 2017 atëherë
zgjedhja e presidentit duhet të fillojë më përpara kësaj date. Presidenti duhet
të presupozohet që mund të zgjidhet maksimalisht me 5 raunde dhe që në secilin
raund duhet të ketë 7 ditë diferencë i bie që procedurat për zgjedhjen e
Presidentit të fillojnë jo më pak se 35 ditë përpara datës 3 Maj 2017.
Konkretisht i bie që 28 Marsi i 2017-s të jetë afati i fundit i nisjes së procedurave
për zgjedhjen e Kreut të Shtetit. Duhet pranuar që ligji dhe Kushtetuta kanë përcaktuar
si afat të fundit të zgjedhjes së 
presidentit jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të
presidentit aktual. Kjo do të thotë se zgjedhja mundet të fillojë edhe 4 muaj
apo edhe 5 muaj më para datës 24 Korrik 2017. Sepse kurdo që të zgjidhet
presidenti,detyrën ai do e marrë vetëm kur të ketë përfunduar mandati i
Presidentit aktual. Pak a shumë është e njëjta situatë që ndodhi edhe në SHBA,
ku Presidenti i ardhshëm i Amerikas do jetë Donald Trump që vërtet u zgjodh më
8 Nëntor 2016, por detyrën do e marrë më 20 
Janar 2017.

 

07

Partitë
politike dhe shtyrja e zgjedhjes së Presidentit (hipoteza dhe mundësi )

Nëse
partitë politike nuk duan ta zgjedhin Presidentin nga ky parlament ato mund ta
shtyjnë deri  në zgjedhje të reja, të
cilat përkojnë me mbarimin katër vjeçar të mandatit të tyre dhe tashmë të
dekretuara dhe zgjedhjen mundet ta lënë pas zgjedhjeve të përgjithshme,duke ia
dhënë këtë mundësi deputetëve të rinj që do të vijnë pas zgjedhjeve të 18
Qershorit 2017. Kjo mundet të jetë një lojë e qëllimshme e partive dhe
koalicioneve të ndryshme, e cila do u japë atyre mundësinë që të zgjedhin njëkohësisht
edhe Presidentin e Republikës edhe Kryeministrin e ri të vendit për mandatin
2017-2021.