Engjëll Musai/ Në 40 ditë fushatë përgjërohen për hallet e popullit, në 4 vite pushtet punojnë për… vete!

468
Kështu po ndodh edhe në këto ditë fushate elektorale për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Dibrës, ku dy kandidatët dhe “ushtritë” e tyre, që bëjnë propagandë dhe i shoqërojnë në çdo takim nëpër zona, përqafohen e “puthen” me popullin dhe përgjërohen e përbetohen për zgjidhjen e halleve të tyre qysh orën deh ditën e parë kur të ulen në kolltukun e kreut të bashkisë! Kështu sillen të gjithë ata që kandidojnë për kryebashkiakë. Fytyra politike e kryetarëve të bashkive ka dy pamje, të kundërta: Në 40 ditët e fushatës elektorale heqin kollaret, kostumet e makinat milionëshe dhe me veshje dhe “lëkurë popullore”, nisen e shkelin në çdo parcelë toke, kanale, skela ndërtimi, puseta ujërash të zeza, shtylla elektrike, kullota, dyer shtëpie, oborre shkollash, banakë dyqanesh e salla lokali, apo ngjiten edhe maleve e kodrave nëpër stane, duke kërkuar me buzëqeshje false e përulje pështirosëse votat e njerëzve të varfëruar e të shpërfillur prej partive, qeverive dhe shefave të tyre politikë. në këto 40 ditë, ata derdhin lumë premtimet se do të sakrifikojnë edhe pasurinë e madje edhe jetën e tyre për të zgjidhur çdo hall të popullit! Në 40 ditët e fushatës, ata betohen, stërbetohen e përbetohen deri në nderin e brezit të shtatë familjarë që ka ikur e të brezit të njëzetë që do vijë, se do të bëhen “kockë e lëkurë” për të krijuar parajsën ekonomike, arsimore, bujqësore, ujore, rrugore e shëndetësore të çdo familjeje, fshati, lagjeje e zone banimi. Mos u çuditni, por premtimet e tyre kalojnë deri në mashtrime të tilla, sa ata bëjnë edhe premtime për realizim projekte gjigante rajonale e kombëtare, financimet e të cilave i kanë në dorë Banka Botërore, USAID, FMN, BE, NATO dhe… OKB! Dhe sa përfundon fushata, sa marrin votat, ata harrojnë çdo premtim. në vend të dëgjojnë e zgjidhin hallet e popullit, krijojnë administrata nepotike, nisin pazaret financiare me fondet publike për të shtuar pasuritë e tyre, të miqve, shokëve dhe shefave të tyre politikë e shtetërorë në zonë e në Tiranë!
Sigal