Ëngjëll MUSAI: Më mirë boja e kritikës, sesa gjaku i derdhur i qytetarëve!?

67
Tre të vrarë dhe 8 të plagosur ishte bilanci i dy ditëve më parë. Dhe kjo nuk ndodhi në Siri, as në Irak, as në Libi, por në Elbasan në zemër të Shqipërisë ose 30 minuta larg Kryeqytetit, aty ku gjenden me qindra forca speciale, drejtues të tyre, prokurorë, politikanë, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, por edhe banditë të fshehur dhe të mbrojtur nga ky shtet, ky rend dhe këta batakçinj të politikës. Autorë të kësaj masakre ishin kriminelët e mirëorganizuar, sehirxhinjtë, policia e shtetit, ndërsa ata që po e vuajnë janë populli hallexhi. Autorët janë, armët u gjetën, por gjakatarët dhe vendi ekzakt se nga ikën nuk dihet! Flitet, sipas policisë dhe kjo është e sigurtë, se ata kanë ikur në drejtim të paditur. Do ishte mirë që policia të mos deklaronte as shkakun dhe as qëllimin se, përse ndodhi kjo masakër. E them këtë, se do ishte në të mirë të policisë, e cila minimalisht do justifikonte veten për paaftësinë e treguar dhe marrëzinë e deklaruar. Autorët nuk janë kapur dhe për pasojë policia nuk duhet të flasë përçartë në deklaratat e saj. Nëse policia ka dijeni apo më keq akoma ka pasur dijeni për këto grupime, për situatën e nderë mes dy fiseve dhe ekzistencën e hakmarrjes së tyre, atëherë gjërat ndryshojnë dhe ky nuk është gabim i policisë, por një faji i rëndë i sajë.

Kjo ngjarje duhet të çojë para përgjegjësisë të gjithë së bashku, autorë të krimit dhe faktorë, të cilët kishin për detyrë mbajtjen nën mbikëqyrje të këtyre elementëve dhe nëpërmjet shërbimeve të specializuara të antikrimit të kishin bërë të mundur parandalimin e kësaj tragjedie. Në radhë të parë, parandalimin duhej ta bënin njerëzit e specializuar, ekspertët e luftës kundër krimit të organizuar, jetës dhe pasurisë. Nëse inspektorët e shumtë të rendit do të kishin bërë detyrën e tyre, me siguri sot nuk do diskutonim këtë ngjarje ose minimumi do të kishim një episod të shkëputur të një individi të caktuar. Policia e shtetit ka strukturat e veta dhe investimet e deklaruara në teknikë e bëjnë dhe duhet ta bëjnë shumë herë më të lehtë parandalimin, kapjen, paralizimin dhe në pamundësi asgjësimin e elementit apo grupeve të caktuara me prirje kriminale, hakmarrjeje apo edhe gjakmarrje. Në një zonë të caktuar ka një patrullë policie, e cila duhet detyrimisht të bashkëpunojë me punonjësin e policisë përgjegjës për zonën, inspektorin e policisë së zonës apo ai që dikur në gjuhën popullore quhej i plotfuqishmi i zonës. Po ashtu ka inspektorë të krimit, të sigurisë dhe jetës, krimit ekonomik,ekipi special i vëzhgimit, përgjimeve, shërbimit të kontrollit të brendshëm pa harruar këtu edhe ata të shërbimit informativ. 

E theksova këtë të fundit, jo për ta ngarkuar me përgjegjësi, por edhe për ta përjashtuar nuk kemi pse ta anashkalojmë, pasi këto lloj ngjarjesh tronditin edhe sigurinë dhe qetësinë kombëtare. U kryen me kallashnikovë, por mund të kryheshin edhe me tritol. Dhe në fund të gjitha këto struktura kanë koordinatorë dhe ndjekës shefat e rendit, të komisariatit, të statistikave, si dhe të drejtorisë së policisë. Atëherë lind vetvetiu pyetja, si ka mundësi që i gjithë ky rrjet nuk ka funksionuar? A ka pasur dikush dijeni për këtë ngjarje të parapërgatitur me kujdes? Nëse po, pse ndodhi ? Nëse jo, ku ishte policia së bashku me ekipin zinxhirë dhe të specializuar? A ka një plan masash për ngritjen e postblloqeve dhe kamerave të vendosura në pikat kyçe. A kanë funksionuar? Po salla operative dhe shqiponjat ku ishin dhe pse askush nuk ra në gjurmë të tyre apo drejtimit nga u larguan? A ka ndonjë lidhje mes ngjarjes dhe listës së planizimit të shërbimeve për turnin e dytë? Të gjitha këto duan përgjigje, analizë dhe masa të forta ndëshkimi nga punonjësi më i thjeshtë, deri tek titullari i policisë Qarkut, të Policisë së Shtetit dhe në fund Ministri i Brendshëm. Duhet parë dhe analizuar edhe policia private e zonës, e stadiumit, e objekteve që janë të ruajtura nga polici private. E nëse këta kanë heshtur, atëherë t’u hiqet menjëherë licenca në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se qëllimi është një dhe vetëm një: Mbrojtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve, si dhe forcimi i rendit dhe sigurisë”. Por le t’i kthehemi Policisë së Shtetit, pikërisht asaj që kishte për detyrë dhe që ka për mision mbrojtjen e jetës së qytetarëve. 
Ligji Nr. 108/2014 për Policinë e Shtetit 
Në Nenin2, të këtij ligji ku flitet për Misionin e Policisë së Shtetit thuhet se: “ Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut”. Atëherë qytetarët pyesin: Kur ligji nuk zbatohet, çfarë bëhet? Përgjigjja është e thjeshtë dhe të gjithë ata që paguhen nga taksat e shqiptarëve duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë kasaphanë. Nëse një kuzhinieri i helmohet ushqimi dhe për pasojë ndodhin helmime masive, ky i fundit shkon në burg. Nëse një mësuese i shkul veshin një nxënësi të pabindur, ajo ndëshkohet. Madje edhe kush nuk paguan ujin dhe dritat arrestohet dhe shkon në burg. Po kjo armatë e tërë policie, përse nuk ndëshkohet për mosveprimet e saj? Tre janë arsyet, se përse policia mbanë këtë qëndrim:
1. Ose është e paaftë 
2. Ose është e trembur dhe rri larg, sepse krimi bën organikat e komisariateve
3. Ose një pjesë e mirë e drejtuesve dhe atyre vetë janë të lidhur me krimin dhe në shërbim të kriminelëve. E para gjë që duhet të bëjë prokuroria është të marrë dosjet e ngjarjeve të mëparshme dhe emrat e personave të përfshirë në këtë masakër. Të verifikojë, se në cilat zona banojnë dhe, se a ka pasur shënime për ndjekjen e dinamikës së këtyre elementëve në dosjet dhe në librat e personave, që janë me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe prirje kriminale. Sa raporte shërbimi janë bërë për zonat ku qëndrojnë elementët e ngjarjes së fundit ( kam parasysh edhe atentatorët edhe personat e vrarë dhe plagosur ). Të verifikohen librat e planizimit të shërbimit të policisë, të inspektorëve, të bashkëpunëtorëve dhe skuadrës së vëzhgimit. Nëse minimalisht këto do kishin funksionuar, atëherë sot nuk do diskutonim për këtë krim, aq më tepër ku precedenti ishte dhe një gjë e tillë pritej.
Dëmshpërblim, kush jep informacion
Ky ishte njoftimi i dhënë nga policia, madje flitej edhe për një shumë prej 30 milionë lekësh të vjetra. Pra 10 milionë për çdo të vrarë. Në një shtet normal, një gjë e tillë ndodh dhe jep rezultat, por në Shqipëri këtë gjë duhet ta harrojnë. Si mundet të japin qytetarët informacion, kur para disa ditësh njeriun, që bashkëpunoi me policinë për ngjarjet e 1997 në Lushnje e dekonspiruan dhe e lanë rrugëve në mëshirë të fatit!? Edhe ngjarjet e fundit po kaq të bujshme, si ajo e Durrësit, Fierit, Sarandës dhe shumë të tjera, ku të infiltruarit e policisë u dekonspirua nga vetë policia dhe për pasojë u rrëmbyen dhe ekzekutuan barbarisht. Kur Shteti dhe Policia e Shtetit nuk mbrojnë dhe shesin bashkëpunëtorët e vetë, atëherë është e kotë të tentosh të blesh qytetarët e thjeshtë, aq më tepër kur besimi ndaj kësaj Policie është në nivelin zero. 
Pak politikë …
Nëse në një shtet ekziston rendi, drejtësia dhe siguria, patjetër që do ketë vende pune, investime, demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut. Nëse rendi dhe siguria ekzistojnë, do të ketë më pak kriminelë, më pak të sëmurë me zemër, më pak vdekje nga infarktet apo tensioni i lartë. Pra ka shumë të mira për qytetarët, por edhe më pak privilegje për agallarët e politikës. Çuditërisht dje, një funksionar dhe misionar i shtetit deklaroi se njerëzit, media dhe politika e mendimit kundër, nuk duhet të hedhë bojë dhe të ngjyrosë Policinë e Shtetit në punën e sajë. Dhe ne ripyesim sërish misionarin e politikës: Mirë boja e shkrimeve lahet, po gjakut të derdhur prej kriminelëve, si do t’ia bëjmë? E pra, janë pikërisht këta politikanë që në çdo fushatë vijnë dhe përbetohen, se do bëjmë shtet,do vëmë rend dhe do luftojmë krimin. Disa shërbime të specializuara përtej atlantikut kanë të dokumentuar ofertën e një lideri dhe një deputeti të inkriminuar të ish- partisë së tij, në lokalin e një hoteli bregdetar, duke i premtuar një figure popullore që të bashkohej me partinë e tyre në këmbim të një shume që do të derdhej, nëse ky binte dakord në një nga bankat e Qipros. Dhe çuditërisht, ne shqiptarët vazhdojmë të besojnë dhe votojnë pikërisht këta mashtrues, të cilët, pasi hipin në pushtet numërojnë natë e ditë paratë e krimit, ndërsa populli hallexhi numëron gjilpërat dhe ilaçet. Po e mbyll me disa vargje të poetit dhe publicistit të shquar, Petrit Ruka, për të treguar se fajtorë ndaj krimit jemi të gjithë, pa dallim bindjesh, pasi jemi ne ata, që votojmë këta lloj politikanësh….
Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur,
Ekranet me ngjyra e bëjnë limonadë,
Të dyja palët numërojnë çdo mbrëmje,
Ne parainfarktet dhe ata… Paratë…