Ëngjëll MUSAI: Diferencim apo diskriminim i invalidëve

447
Sigal

Drejtor
i “Telegraf”

Festat e
fundvitit janë shpresa e vetme për shpërblim për pensionistët  dhe sidomos për  invalidët 
tetra dhe paraplegjik. Por më të fituarit si gjithmonë janë administrata
shtetërore, e cila qoftë në formën e pagës së 13-të, por edhe të shpërblimeve
merr pjesën më të majme dhe më të madhe të arkës së shtetit. Nëse  nëpunësve të administratës do t’u jepet një
pagë mujore ose edhe 50% e saj atëherë i bie që 100 mijë nëpunës të marrin
mesatarisht 250 mijë lekë të vjetra, këtu nuk po fusim titullarët, deputetët, shtetarët
e lartë ,ata të ndërmarrjeve me kapital të përbashkët shtet-vetadministrim
shuma e të cilave arrin në vlera marramendëse dhe kap gati gjysmën e buxhetit
me të cilën trajtohen pensionistët. E pra sot privatizohen apo jepen me
koncesion objekte, pasuri, shërbime, shiten prona, produkte minerale  etj, dhe pensionistët që kanë derdhur, djersë,
gjak dhe një pjesë e tyre janë paralizuar mbeten me gisht në gojë ose gënjehen
me një lëmoshë me vlerë 6 mijë lekë, e cila nuk i siguron dot gjelin e detit
apo shpenzimet e energjisë që harxhohet për ditët e Vitit  të Ri. Ja pra kjo është situata e këtyre njerëzve
të thjeshtë dhe që janë nderi dhe 
krenaria e kombit, pasi na lanë një vend 
me toka të punuara, kodra të sistemuara, me kanalizime, me hidrocentrale,
me lulishte, me bregdet të pastër, me minera fitimprurse, me rend pa krime dhe
pa drogë, një vend të pa korrupsion, pa trafiqe, por me liri të cunguar dhe
shpesh herë për një pjesë të shqiptarëve që guxonin të flisnin me pasoja të rënda,
burgosje dhe internime. I përmendëm të gjitha për të treguar realitetin, i cili
nuk duhet mohuar, ashtu sikurse në këtë botë ka ditë por ka edhe natë. Por pse i
përmendëm të gjitha këto fakte? I përmenda për të treguar, se për këto arritje
pozitive dhe negative  shqiptarët nga
veriu në jug, kanë punuar, sakrifikuar, janë falënderuar, janë dënuar, janë
internuar, janë aksidentuar, janë 
paralizuar duke u kthyer në invalidë sipas grupeve të ndryshme  dhe, 
sot kanë mbetur  në mëshirë të
fatit dhe në pritje të qindarkave nga shteti, sikurse është edhe rasti i festave
të fundvitit. Por edhe më e rëndë paraqitet situata për invalidët, të verbrit, të
paralizuarit, të aksidentuarit  gjatë punës
etj. Këta që janë vërtetë njerëz të sakrificës dhe të ndëshkuarit e fatit, sot
vazhdojnë të shihen me syrin e njerkës dhe të diferencuar nga shteti, i cili i
ka dhënë si shpërblim shumën 2 mijë lekë. E çfarë mundet të blejnë këta njerëz
me këtë vlerë dhe çfarë nevojash mundet të plotësojnë me këtë shumë qesharake?
Po mirë që mundësi të mëdha nuk kemi, sepse lekët po shkojnë për vila, hotele,  udhëtime,  vetshpërblime, blerje të pajisjeve luksi të
zyrave dhe qejfe, por edhe këtë shumë që ka menduar qeveria, përse nuk e ndau në
përpjesëtim të drejtë. Në Shqipëri sot ka 650 mijë pensionistë nga të cilët
rreth 75 mijë janë invalidë dhe do marrin shpërblim 2 mijë lekë  dhe rreth 575 mijë janë pensionistë që do marrin
6 mijë lekë. Nëse secilit pensionist që do të marrë 6 mijë lekë ose 60 mijë lekë
të vjetra, do t’u mbahej 400 lekë të reja ose 4 mijë lekë të vjetra të 650  mijë 
pensionistët do  të  merrnin në mënyrë të barabartë nga 56 mijë
lekë. Atëherë përse ky diskriminim për këta njerëz që fatkeqësisht janë
invalidë? A e dini që këta kanë edhe njerëz të tjerë që kujdesen për ta ? Kush
do i marrë dhe do i hajë më parë këto të shkreta 20 mijë lekë. Po dje qeveria
Greke ka marrë një vendim për dëmshpërblimin e pensionistëve grekë. Dhe e dini
se sa e ka caktuar fondin kjo Greqia që është në krizë? Rreth 380 milion euro
duke u dhënë pensionistëve greke afërsisht nga 350 euro ose 500 mijë lekë me
paratë shqiptare. Edhe pse BE,reagoi dhe është kundra, Kryeministri Cipras e ka
vendosur dhe ua ka dërguar në numrin e llogarisë ku ata marrin pensionin. Ja ky
është respekt për veten, për prindërit, për pensionistët e sotëm, për
sakrificat e tyre, pasi nesër do jemi ne ata që do kemi të njëjtin fat. Ndoshta
shtetarët tanë janë të supermajmur, ndaj dhe sillen kaq poshtërisht me shtresat
që për 70 vjet kanë sakrifikuar jetën dhe rininë e tyre .