Energjia,Basha: Falje kamatvonesave Rama: I vrasin natën e i qajnë ditën

427
Sigal

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha kanë debatuar në distancë në lidhje me aksionin e energjisë, pas faljes 80% të kamatvonesave për të gjitha familjet shqiptare, nëse i shlyejnë këto fatura të prapambetura deri më 1 Mars të vitit 2015.
 
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se tërheqja e qeverisë dhe pranimi i kërkesës së opozitës për shlyerjen e detyrimeve me këste të përballueshme, ishte lëvizje e detyruar nga protesta e qytetarëve.

“Tërheqja që bëri sot Edi Rama nga kursi i tij i marrë është një lëvizje e detyruar nga bashkimi i zërit të qytetarëve në protestën e madhe popullore të 22 nëntorit.Nuk është një zgjedhje e tij, të jemi të qartë. Zgjedhja që bëri Edi Rama, ishte e kundërta, ishte kundër zërit të qytetarëve, kundër kërkesave të përsëritura të tyre dhe të opozitës.Ai refuzoi të dëgjonte shqetësimin e tyre, refuzoi të dëgjonte zërin e tyre, derisa u përball me protestën e madhe të 22 nëntorit në Tiranë. I gjendur përballë sovranit që nuk e mban dot me policë, sado ti shtosh ata, ai u detyrua të sprapset.Prandaj, kjo është një fitore e qytetarëve. Eshtë një fitore e bashkimit të zërit të qytetarëve në protestë”, deklaroi Basha.
 
Por në një status në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama shkruan: “Tamam t’i vrasesh natën e t’i qash ditën njerëzit e shkretë,i vunë në gjumë 8 vjet me përralla e tani që doli dita u qajnë hallin për faturat!”