Endrit Braimllari: Komisioni hetimor për Metën, strukturë kriminale. Ulsi Manja duhet të ishte arrestuar

218

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, e cilëson komisionin e PS për hetimin e Presidentit të Republikës si një strukturë kriminale. Në një intervistë për “Fax News”, Braimllari shprehet se gjithë fushata e qeverisë kundër kreut të shtetit ka qëllim tërheqjen e vëmendjes nga probleme reale që ka vendi.

E para duhet të sqaroj opinionin publik, që kjo nuk është një përplasje e krijuar nga opozita dhe presidenti republikës, por një situatë e krijuar nga Edi Rama. Edi Ramës i intereson kjo përplasje dhe i hedh më shumë benzinë zjarrit. Shmang vëmendjen nga varfëria, nga votimet moniste dhe nga gjithë situata që krijoi, ai tenton të krijojë këtë përplasje në mënyrë që të fokusojë debatin diku tjetër. Për të devijuar çështjen nga këto skandale ai krijoi këtë përplasje”,- tha Braimllari.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI u shpreh se drejtuesi i komisionit hetimor, Ulsi Manja, duhet të ishte nën hetim për përgjimet në Dibër. “Ky komision hetimor përfaqëson një strukturë kriminale. Personi që drejton këtë komision hetimor, Ulsi Manja është kapur në përgjime zyrtare në Dibër. Që këtu, nëse do kishim një sistem të pavarur drejtësie, Ulsi Manja duhet të ishte nën hetim dhe në arrest. Ky është paradoksi, drejton një komision hetimor kur kryetari duhet të ishte nën hetim. Jo vetem ky, fakte tronditëse do të dalin dhe për anëtarë të tjerë të komisionit që janë të lidhur drejtpërdrejt me struktura kriminale dhe me hetime që prokuroria po ndjek. Ky komision nuk mund të shkarkojë presidentin e republikës. Ky komision nuk mund të nxjerrë një raport për shkarkimin e presidentit. Si mund të nxjerrë Ulsi Manja një raport për institucionin e presidentit kur vetë Ulsi Manja është kapur në përgjime për trafik votash. Kur vetë Ulsi Manja është kapur në përgjime me shefin e policisë, duke i thënë që do të çojmë më lart që të ndajmë lekët bashkë”,- tha Braimllari.

Ai shtoi se “anëtarët e këtij komisioni janë nën hetim për përvetësim pronash. Nuk mundet Ulsi Manja të drejtojë një komision hetimor. Kryetari i Komisionit të Ligjeve që mbronte me zemër drejtësinë e re është nën hetim. Ulsi Manja paska pasur siklet të madh sepse paska qenë i përgjuar. Nëse do të ishte pa imunitet do të ishte arrestuar”.