Emrat e deputetëve të PS, PD, LSI, PDIU dhe PR, që do të reformojnë sistemin zgjedhor

500
Kuvendi miratoi të enjten përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, i ngritur me një vendim të parlamentit në fund të sesionit të kaluar. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike, ndërsa anëtarësia e tij ka përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës, me nga pesë anëtarë secila. Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë të tij. Përfaqësuesit e maxhorancës janë nga PS Bashkim Fino, si bashkryetar i komisionit, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, nga LSI do të jetë Petrit Vasili, ndërsa nga PDIU, kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi. Ndërkohë nga PD do të jetë Oerd Bylykbashin, bashkëkryetar dhe anëtarë Gent Strazimirin, Eduard Halimin dhe Arben Ristanin, ndërsa nga Partia Republikane pjesë e komisionit do të jetë Fatmir Mediu. 

Miratohet projekti me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim
Me 75 vota pro, Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin”. Opozita votoi kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka duke shpjeguar votën kundër të grupit të tij parlamentar tha se kjo është hera e parë që PD voton kundër një marrëveshjeje ndërkombëtare financiare. “Shpresojmë se t’i kemi rënë një këmbane alarmi, jo për të dëgjuar kjo qeveri, por për organizmat ndërkombëtarë si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Paloka. Sipas tij maxhoranca ironizoi qëndrimin tonë duke e konsideruar atë komplot imagjinar të opozitës, por vijoi ai, ajo që ne evidentojmë është e thjeshtë dhe e kuptueshme për çdo qytetar. “Kjo qeveri vazhdon të marrë borxh, duke e çuar borxhin në nivele të frikshme e duke mos kryer asnjë investim që mund të gjenerojë të ardhura”, deklaroi Paloka. Sipas tij, rasti i Greqisë është shembulli më i mirë që na kujton se miratimi i borxheve nga organizmat ndërkombëtar nuk janë justifikim për rritjen e tij nga qeveritë. “Edhe Greqia fqinje mori borxhe pa fund nga shumë organizam ndërkombëtar dhe sot ka faliemntuar. Ne nuk do të pranojmë ose të paktën do ti biem kësaj këmbane alarmi ta dëgjojnë ata që janë të interesuar”, deklaroi ai. 

Banka Europiane mbështet zhvillimin e bujqësisë
Me 90 vota pro Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e Ministria e Financave, dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në lidhje me lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit, BERZH-Shqipëri, llogari bashkëpunimi. Ndërsa rrëzoi me 72 vota kundër p/ligjin e propozuar nga deputetja Jozefina Topalli “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”. Në seancën e djeshme, Kuvendi miratoi edhe projektrezolutën e propozuar nga deputeti Sali Berisha për mirënjohjen e thellë për figurën e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Me shumicë votash, Kuvendi miratoi edhe shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të moratoriumit të pyjeve, si dhe p/ligjin për disa ndryshime në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, me 74 vota pro Kuvendi miratoi Klodion Shehun si anëtar të Bordit të Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare, propozim i vet këtij Bordi.
Sigal