Emërimet nepotike në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë

911
Sigal

Fëmijë,  gratë, kunetërit, familjarë të pushtetarëve janë ambasadorë dhe konsulla të ambasadave shqiptare  dhe në MPJ

Aksidenti politik në Vjenë, midis kryetarit të PS-së, Edi Ramës dhe diplomatit shqiptar në OSBE, Egin Ceka, nxori, edhe një herë në pah, problemet e emërimeve në përfaqësitë tona diplomatike, ku, në më të shumtën e herëve, janë bërë me shkelje të rënda të ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Të emëruar të gjithë me Vendimet e KM. Janë familjarë të ngushtë pushtetarësh, ose miq të tyre në media dhe biznes pa asnjë lidhje me diplomacinë. Disa nuk kanë as shtetësi shqiptare: konsullja e Shqipërisë në Milano ka bashkëshort të huaj, vëllai i Topallit ka shtetësi italiane, konsulli i Shqipërisë në Janinë, ka shtetësi greke. E njëjta situatë me diplomatët shqiptarë në Francë, Rumai, etj..

 Aksidenti politik Rama- Ceka në Vjenë

Rama ka qenë i ftuar për të mbajtur një fjalim në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ndërsa të pranishëm kanë qenë mbi 100 diplomatë. Burimet bëjnë të ditur se në përfundim të takimit Egin Ceka, diplomat shqiptar në misionin tonë në OSBE, i ka kërkuar Ramës sqarime në lidhje me këto qëndrime fyese të tij. Më pas raportohet se mes të dyve ka patur ofendime publike, madje edhe konfrontime fizike.  “Rama nuk ka preferuar të japë përgjigje, por e ka kapur diplomatin prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo e ka goditur diplomatin në kokë”, bëjnë me dije burime të ndryshme. Dëshmitarë të këtij kanë qenë të gjithë të pranishmit e Akademisë Diplomatike të Vjenës, madje disa prej tyre kanë ndërhyrë për të ndarë këtë kacafytje të Ramës dhe diplomatit Ceka, thuhet më tej nga mediat. Incidenti politik midis Edi Ramës dhe diplomatit Egin ka shkaktuar stuhi politike edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, pasi me një ton të ashpër Kryeministri Berisha kërkoi ngritjen urgjente të Komisionit Hetimor Parlamentar ditën e hënë, duke paralajmëruar se maxhoranca ka gati 30 dëshmitarë. Kryeministri Berisha akuzoi kryesocialistin Rama për dhunë shtazore. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi kërkoi shkarkimin e diplomatit Egin Ceka. Ceka në Vjenë ka shkaktuar një stuhi politike në Shqipëri.

Lista e gjatë e emërimeve diplomatike në vitet 2005-2010 tregon se rreth dy të tretat e tyre janë me probleme. Kryesisht, janë emërime në shkelje të hapur të rregullave të përcaktuara për Shërbimin e Jashtëm. Ligji ndalon rreptësisht emërimet nëpërmjet VKM-ve, por ky fakt nuk i ka penguar drejtuesit e lartë të Ministrisë së Jashtme që të emërojnë njerëzit e tyre në përfaqësitë shqiptare. Në bazë të nenit 22, pika 2 dhe 3, të ligjit për shërbimin e jashtëm, jo më shumë se 20% e ambasadorëve mund të jenë nga politika. Gjithë pjesa tjetër dhe tërësisht diplomatët, duhet të jenë të karrierës. Por, në realitet, kjo nuk ka ndodhur dhe më shumë se 20 për qind e të emëruarve në ambasada janë njerëz që kanë lidhje me politikën apo anëtarë partie. Njerëzit më me fat janë ata që kanë lidhje me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli (Çoba). Vëllai i Jozefina Topallit ka mbajtur detyrën e Konsull në Milano. Aktualisht, Gjon Çoba është diplomat në Bukuresht. Dhëndri i Jozefina Topallit, falë fejesës së bërë tashmë publike me vajzën e kryetares së Kuvendit, më datë 28.09.2010 është emëruar Sekretar i Parë në Paris. Ky emërim është zhvilluar në kundërshtim me ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Por, sipas ligjit, ai duhet të kishte të paktën dhjetë vjet punë, një vit periudhën e provës dhe nëntë vjet për t’u emëruar Sekretar i Parë. “I jepet grada sekretar i parë diplomatit me nëntë vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm përgjithësisht mjaftueshëm e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit”, – thuhet ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Bazuar në këtë ligj, Luis Ejlli duhet ta ketë nisur karrierën diplomatike në vitin 2000. Në atë kohë, Luis Ejlli ishte vetëm 15 vjeç. Lista e të afërmve të deputetëve demokratë të punësuar në përfaqësitë diplomatike është edhe më e gjatë. Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë, ish-deputet i PD-së, është Konsulle e Përgjithshme në Milano. Një tjetër emërim nepotik, por edhe në konflikt interesi me detyrën është ai i djalit të Fatos Bejës. Deputeti demokrat është kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, komisioni që kontrollon direkt punën e MPJ-së. Sokol Beja është emëruar në MPJ. Aleati më i vjetër i Berishës, republikani Mediu, ka arritur që të emërojë kunatën e tij në përfaqësinë tonë diplomatike në Nju Jork. Teuta Starova, e cila është bashkëshorte e Arjan Starovës, është e emëruar në postin “Ministër Këshilltar në Londër” në datën 03.03.2008. Ky emërim është bërë me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave.  Po kështu edhe gruaja e deputetit demokrat, Sherefedin Shehu, Dashuria, është Drejtoreshë e Auditit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dy deputetë të tjerë kanë të afërmit e tyre në diplomaci. Deputeti Gert Bogdani ka vëllanë e tij në Ministrinë e Jashtme, Albjonin. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Jemin Gjana, ka vajzën e tij Lorena Gjana në përfaqësinë e Kosovës. Djali i ish-deputetit Neritan Ceka, sot këshilltar i kryeministrit, me një VKM është emëruar në Austri. Egin Ceka është emëruar sekretar i parë në Vjenë më datë 22.10 2009.

Vëllai i Topallit ka shtetësi italiane, konsulli në Janinë kishte shtetësi greke, ndërsa vajza e Spahisë është e martuar me një të huaj

Në bazë të nenit 22, pika 2 dhe 3, të ligjit për Shërbimin e Jashtëm, jo më shumë se 20 % e ambasadorëve mund të jenë nga politika. Gjithë pjesa tjetër dhe tërësisht diplomatët, duhet të jenë të karrierës. Në bazë të nenit 27, pika a, e të njëjtit ligj, kërkohet që diplomatët të kenë shtetësi shqiptare dhe banim të përhershëm në territorin shqiptar. Ndërsa në bazë të kreut 5, pikat 18.1, thuhet se diplomati ose e shoqja nuk duhet të kenë shtetësinë e vendit ku janë akredituar. Kjo nuk rezulton për Nausika Spahia-Konsulle e Përgjithshme në Milano, e martuar me shtetas të huaj; Vëllai i Jozefina Topallit, Gjon Çoba, Konsull Milano, me shtetësi italiane; Jani Dako, konsull i përgjithshëm Janinë dhe me shtetësi greke; Mehdi Hoxha, Paris, me leje qëndrimi franceze; Një diplomat në Rumani është me shtetësi rumune. Në emërimet është spekuluar me VKM nr 767 të datës 06.12.2005, ku me ndryshimin e pikës 81 të rregullores, u bë transfuzioni i MPJ-së, e cila thotë: “Ministria e Punëve të Jashtme, për nevoja të institucionit, brenda dhe jashtë vendit, mund të marrë punonjës për të shërbyer në shërbimin e jashtëm për aq kohë sa vlerësohet e nevojshme. Këta punonjës gëzojnë statusin e diplomatit për aq kohë sa janë në shërbimin e jashtëm, por nuk përfitojnë grada diplomatike. Ata paguhen në bazë të detyrës, për të cilën janë emëruar”. Por një VKM, nuk ka fuqi mbi ligjin, dhe edhe nëse bëhet në kushtet e emergjencës, gjë që në shërbimin diplomatik nuk kishte ndodhur, pasi vendi nuk ka kaluar as luftë dhe as përmbytje, pra duhej që brenda 2-3 muajsh të ishte reflektuar në ligj, gjë që nuk ka ndodhur. Pas kontrollit rezulton se gjatë periudhës 2005-2010, nga rreth 150 diplomatë që punojnë në përfaqësitë jashtë shtetit, rreth 100 prej tyre kanë probleme në procedurën e emërimit. Daja i dhëndrit të Kryeministrit Sali Berisha është emëruar konsull në një prej përfaqësive tona diplomatike në një vend fqinj me Shqipërinë. Pas investigimit të së majtës opozitare në vend, edhe djali i avokatit të ministrit Basha për çështjen Durrës-Kukës është emëruar si nëpunës në Ministrinë e Jashtme. Pjesë e kësaj ankese të opozitës janë bërë edhe persona të tjerë, të cilët nuk kanë statusin e diplomatit, por që ndërkohë punojnë si të tillë. Ish-shefi i policisë në mandatin e parë të PD-së në vitet 1992-‘96, i njohur si ndryshe miku i Berishës, ka punësuar vajzën në Vjenë në përfaqësinë tonë diplomatike Ndërkaq, emërimet politike dhe nepotike në administratën publike kanë qenë në shënjestrën e kritikave të BE-së, i cili vazhdimisht kërkon krijimin e një administrate eficente dhe të depolitizuar.