Eltar Deda:“Shërbimin shëndetësor do t’ja japim popullit falas”

593
Sigal

INTERVISTA/Eltar Deda, deputet i  PS-së: “Kjo maxhorancës,  shëndetin  e vlerëson një mall, nga i cili duhet të nxirret fitim”

– Zoti Deda, cilat janë problematikat që ju, si opozitë keni evidentuar të shërbimit shëndetësor publik në Shqipëri?

 – Pamje rrëqethëse dhe shumë të trishtueshme, kur mendon që nuk janë në veri ose në jug të Shqipërisë, por në Tiranën kryeqytet. Dëgjuam nga goja e qytetarëve se si u mungonte ky shërbim shëndetësor dhe se sa shumë shtrenjtë e blejnë këtë shërbim.  Nuk mund ta merrnin për shkak të pamundësisë të pagimit të sigurimit shëndetësor, sepse ishin të papunë dhe për shkak të tarifave tejet të larta, 4 deri ne 5 fish, të miratuara nga ana e qeverisë. Pas orës 16 të çdo dite, askush nuk mund të merr shërbim shëndetësor publik, sepse askush nuk mund t’ua ofrojë. Pamë dhe provuam mungesën e personelit shëndetësor, nëpër spitale rajonale dhe qendra shëndetësore dhe ambulatore. Pamë spitale dhe qendra shëndetësore, të harruara fare nga ana e qeverisë për investime.  Pamë se si paguhen nga ana e tyre, roje, shoferë, kuzhinierë dhe bahçevanë në qendra që nuk ekzistojnë fare. Pamë nëpër spitale se si mungonin barnat, megjithëse ishin kryer të gjitha procedurat nga ana e institucioneve për t’u furnizuar. Pamë se si pacientet nuk mund të merrnin ndihmën e parë në një qendër shëndetësore në periferi të Tiranës, sepse mungonin barnat. Pamë me shumë trishtim se si pacientët detyroheshin nga ana e personelit, të merrnin medikamentet nëpër farmacitë private, me çmime shumë të shtrenjta, të vendosura nga ana e qeverisë. Dëgjuam herë pas here se si përdoret politikisht skema e rimbursimit të medikamenteve. Provuam me fakte se sa klienteliste dhe e korruptuar është kjo lloj skeme. Dëgjuam nga goja e pensionistëve, se përfitimi i tyre nga kjo skemë, herë pas here ishte më e vogël se tarifa prej 100 lekësh të reja të paguara nga ana e tyre, se kështu e ka vendosur qeveria.

– Në cilat kolona do të mbështetet programi qeverisës i PS-së për të përmirësuar shërbimin shëndetësor publik?

– Ofrojmë alternativën tonë, Sistemin Kombëtar, të dhënies së shërbimit, ku shteti do të jetë blerësi i vetëm i këtij shërbimi, i cili do të administrohet nga ana e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor dhe do t’u ofrohet qytetarëve falas, të gjithëve e theksoj, pa përjashtim edhe ata që nuk kanë mundësi punësimi. Do t’u kthejmë këtyre institucioneve besimin e humbur, qoftë nga personeli shëndetësor, qoftë edhe nga qytetarët shqiptarë.

– Si ka mundësi që nga Buxheti i Shtetit i jepen  ISKSH-së 150 milionë dollarë në vit për blerjen e ilaçeve  të spitaleve dhe rimbursimin e farmacive, po edhe Ministria e Shëndetësisë ka 70 milionë dollarë dhe, megjithatë, në spitale nuk ka asgjë, as ilaçe për të sëmurët e as një material ndihmës?

– Prej afro dy vjetësh “de jure” ISKSH-ja administron, spitalet. Shkaqet që mendoj se kjo situatë ka ardhur duke u degraduar, janë:  Së pari, nuk ka një strategji të qartë se si këto spitale dhe se si ky sistem duhet të ecë përpara. Aq e vërtetë është kjo, saqë Ministria e Shëndetësisë hyn në kompetenca të ISKSH-së, ose e anasjelltë. Vërtetohet kjo me një urdhër që Ministri i Shëndetësisë ka nxjerrë në muajin janar dt.13, në të cilin qartazi theksohet, se të gjithë tenderat për furnizimin me medikamente, do t’i përqendrojë dhe administrojë ai si institucion. Ose e anasjelltë, që ISKSH-ja të bëjë politika të zhvillimit shëndetësor dhe të kuadrit, kur duhet të jetë Ministria e Shëndetësisë. Së dyti, menaxhimi i keq, që kryhet nga të dyja institucionet, duke e quajtur shëndetin një mall, nga i cili duhet të nxirret fitim dhe jo si një e mirë publike, e cila i takon me Kushtetutë qytetarëve. Së treti, keqadministrimi i financave të deleguara në këtë sektor. Duke qenë se ata vetë e theksojnë se, shëndeti është një mall, detyrimisht edhe financat do të shkojnë në drejtim të rritjes së fitimit të drejtuesve se sa të shërbimit.  Së katërti, shkalla e lartë e korrupsionit, që ka përfshirë këtë sektor. E theksojnë institucionet, të cilat monitorojnë qeverinë tonë, por në mënyrë të veçantë, Ministrinë e Shëndetësisë.

– Nuk mjafton ky fond prej 220 milionë dollarësh në vit? Apo shpërdorohet?

– Çdo lloj fondi i destinuar për këtë sektor, për arsyet që theksova pak më lartë, shpërdorohet në mënyrën më të keqe, duke e zhvatur drejtuesit me mantel politik.

– Ju si e shpjegoni që ISKSH-ja ka fond më të madh se vetë Ministria e Shëndetësisë? Është e përligjur kjo diferencë e madhe? Cila është shkalla e transparencës për përdorimin e fondit në ISKSH?

– Politikat e kësaj qeverie e bëjnë ndarjen e fondit dhe përderisa gjendja është e tillë, nuk mund të flitet për një mënyrë menaxhimi dhe ndarje të drejtë të parave publike.  Aq më keq, kur pretendohet se në muajin mars do të forcohet akoma më shumë ky institucion, duke i kaluar tërësisht shërbimin shëndetësor.

– Ju si e shpjegoni që gati 8 vjet, drejtoresha e ISKSH-së, zonja Hana nuk ka lëvizur? Ka dëshmuar aftësi profesionale drejtuese, apo ka shkaqe të tjera?

Nuk dua që të hyj në emra të përveçëm, sepse në pikëpamjet e mia, janë politikat qeverisëse që nxjerrin një produkt të tillë.

– Në programin e PS-së, cila do të jetë e ardhmja e Spitalit Ushtarak të Tiranës?

– Ky si institucion do të ketë vendin e tij, që historia e zhvillimit të shëndetësisë ia ka caktuar. Do të zhvillohet në bazë të politikave, që qeveria e jonë pas 23 Qershorit, do t’i ketë në drejtim të një shërbimi Shëndetësor Kombëtar. Gjithashtu, duke i dhënë dimensionin e duhur edhe si një institucion i një vendi të denjë në NATO.

– Sa mundësi reale ka premtimi i PS-së, se shërbimi shëndetësor do të jetë falas për të gjithë? Pra, sipas jush, askush nuk do të paguajë më për sigurime shëndetësore?

– Ky lloj shërbimi që ne i ofrojmë qytetarëve pas 23 Qershorit, nuk është se ne e shpikëm sot dhe jua japim atyre për efekt elektoral. Janë vende të zhvilluara, por edhe në nivelin tonë, që e ofrojnë këtë lloj shërbimi, duke i dhënë vendit të tyre një karakter të theksuar social. Do të jetë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, i cili do t’i administrojë dhe do t’i mirëmenaxhojë të gjitha këto institucione. Skema e dhënies së shërbimit shëndetësor, duke paguar sigurime shëndetësore, ka dështuar.

– Faleminderit!