Elona Gjebrea: Sfida në luftën kundër krimit është një sfidë afatgjatë

940
Sigal

Era Çela

Elona Gjebrea, deputete e PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se fiton një përvojë të re si deputete. Zonja Gjebrea thekson edhe përparësitë e mazhorancës deri në qershorin e 2019, ku BE-ja do të marrë vendimmarrjen për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Zonja Gjerbra pohon se vettingun në politikë do ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë, ndërsa lufta kundër krimit është sfidë afatgjatë.

– Zonja Gjebrea cila është përvoja juaj si deputete?

Është një eksperiencë e veçantë, pasi puna me legjislativin është shumë e ndryshme nga ekzekutivi. Kam mësuar shumë gjatë një viti dhe shpresoj që kontributi im të jetë akoma më aktiv në vitet në vijim. Kam marrë shumë angazhime që përfshijnë si ato brenda, por edhe ato jashtë shtetit ku së fundmi jam zgjedhur edhe në bordin drejtues të Asamblesë Parlamentare të OSBE.

– Në këtë sezon parlamentar, cilat janë përparësitë e mazhorancës?

– Mendoj që vazhdimi i reformës në drejtësi do të jetë një prioritet i mazhorancës si dhe gjithë reformat e nisura. Sigurisht që nuk është diçka pozitive mungesa e opozitës në parlament, pasi aty mendoj që është vendi ku duhet të bëhet debate dhe të dialogohet për reformat në të mirë të vendit. Prioritetet e mazhorancës janë të lidhura me drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, arsimin, shëndetësinë, turizëm etj. Drejtësia, krimi i organizuar dhe të drejtat e njeriut do të jenë në fokus të punës sonë në këtë drejtim.

– Sipas jush, a duhet të bëhet vettingu në politikë, si proces më vete?

– Mendoj që vettingu në drejtësi është një fillim i mirë për të krijuar një trup gjyqësore të pastër dhe të pavarur. SPAK dhe BKH do të jenë institucionet e reja që do të hetojnë dhe do të ndëshkojnë korrupsionin e politikës. Këto të fundit do të sigurojnë vettingun e politikës në shkallë shumë të gjerë.

– Përse ndodhin kaq shumë vrasje në Shqipëri?

Situata e rendit dhe siguria publike vlerësohen në tërësi si dhe në bazë të statistikave. Numri i përgjithshëm i krimeve që kanë ndodhur në vend dhe krahasimi me vitet e mëparshme tregon se vendi është sot më i sigurt. Në vitit 2010-2013 mesatarja e vrasjeve për çdo vit ishte 11, pra 2 herë më tepër vrasje. Sfida në luftën kundër krimit është një sfidë afatgjatë dhe e vazhdueshme.

– Sa nga premtimet ka përmbushur qeveria?

– Mendoj që disa nga reformat e mëdha që ndërmori kjo mazhorancë dhe që shënuan një kthesë historike në raport me shtetin janë reforma ne Polici, Territoriale, e Energjisë, në Arsim, në Shëndetësi. Për të kulmuar me reformën në drejtësi që është reforma më e rëndësishme që shënon një kthesë të rëndësishme në përpjekjet për të ndërtuar shtet. Gjatë qeverisjes Rama kemi marrë në vitin 2014 statusin e vendit kandidat dhe shumë pranë hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

– Cilat janë përpjekjet tuaja për të drejtat e grave?

Aleanca e grave deputete është një strukturë e përbërë nga gratë deputete të të gjitha partive dhe ku fokus do të ketë fuqizimin e jetës ekonomike, politike të grave, kryesisht ato vulnerabël. Po ashtu përmirësimi i shëndetit të grave dhe vajzave dhe lufta kundër dhunës në familje janë prioritet i punës së kësaj aleance. Me gjithë që tashme kemi një përfaqësim dinjitoz të grave në parlament, qeveri dhe këshilla bashkiake përsëri nuk jemi në nivelin e duhur. Duhet punuar më shumë jo vetëm për rritjen sasiore, por dhe cilësore të grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe më gjerë.