Elmaz Sherifi: Pa Kod Zgjedhor s’mund të votohet, PS urrejtje për dashurinë e vjetër

716
Elmaz Sherifi që drejton Partinë Lidhja për Drejtësi e Progres është tërhequr nga zgjedhjet e 25 qershorit. Ai nuk e ka parë të arsyeshme, që në kushtet në të cilat ndodhet vendi, kur nuk ka rregulla të qarta të përcaktuara në Kode, nuk mund të futesh në një garë të ndershme. Ne u lidhëm me ish-deputetin Elmaz Sherifi dhe kërkuam të merrnim mendimin e tij për atë se çfarë po ndodh në realitet me politikën në vend, marrëveshjen Rama-Basha, fatin e zgjedhjeve në 25 qershor dhe shkarkimet pa kriter që po u bëhen drejtorëve të institucioneve të emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një bisedë të shkurtër telefonike, Sherifi na konfirmoi, se nuk ishte pjesë e këtyre zgjedhjeve për një arsye të vetme. “Nëse nuk do të ketë një Kod Zgjedhor, atëherë nuk mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”,-tha Sherifi. Ai nuk kishte dëshirë të fliste lidhur me marrëveshjet, duke e konsideruar tashmë një kapitull të mbyllur. Por gjithsesi, Sherifi është shumë aktiv edhe me statuset e tij në rrjetin social, facebook. Gjatë ditës së djeshme ai ka hedhur një status ku shkruan: Dashuri-urrejtje, ku shkoi koalicioni strategjik i 1 prillit? Pse dashuria u shndërrua në urrejtje?”. Një tjetër status i tij flet për deklaratat e Edi Ramës, i cili pothuaj në të gjitha takimet është shprehur, se kërkon votat e të gjithë shqiptarëve për të qeverisur i vetëm dhe jo për të ndarë pushtetin në tepsi. “Pushtet -Tepsia”! Fjalor tragji-komik. Nuk artikulohet asnjë ide për krijimin e institucioneve moderne. Pushteti nuk trajtohet si përgjegjësi politike për interesa publike, por si tepsi ku i janë turrur të babëziturit”, shkruan Elmaz Sherifi.
Sigal