Elmaz Sherifi: Jetëgjatësinë e qeverisjes “Berisha” e ka hipotekuar “fluger politika” e PS-së

375
Sigal

INTERVISTA/ Kryetari i LDP-së, Elmaz Sherifi: “Ringjallja e partitokracisë fantazmë që synon zëvendësimin e institucioneve politike kushtetuese”

Ndonëse ditët afrojnë në 20 nëntorin, afatin e fundit ku BE-ja ka përcaktuar për miratimin e tre reformave të kushtit për dhënien e statusit kandidat, asnjëra nga palët politike, PD-PS, nuk po reflektojnë. Përkundrazi, tensionimi i polemikës politike po rritet përditë, duke shkëmbyer veçse akuzën e përgjegjësisë te kundërshtari. Kryetari i Lidhjes për Drejtësi e Progres, Elmaz Sherifi, në intervistën për “Telegraf” pohon se PS-ja është ajo që pengon mirëkuptimin me PD-në, për realizimin e reformave. Sipas zotit Sherifi, “e rrezikshme është  ringjallja e partitokracisë, si fantazmë që  synon zëvendësimin e institucioneve politike kushtetuese me marrëveshje partiake të kryetarëve. Ndërsa  për pamundësinë e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të bashkojë të gjitha forcat politike që janë kundër qeverisjes Berisha, zoti Sherifi, e shpjegon me inkoherencën politike si lidership të Edi Ramës.

– Zoti Sherifi, sipas jush, PD-ja dhe PS-ja përse e kanë të pamundur që të gjejnë rrugën e mirëkuptimit për të plotësuar detyrimet e 3 reformave të kushtit të statusit kandidat?

– Në pyetjen që ju bëni evidentohen dy çështje të ndërvarura me njëra-tjetrën, të cilat do i kualifikoja, mirëkuptimi dhe detyrimi. Mirëkuptimi midis dy partive, në gjuhën politike e juridike  është konsensus, ose kompromis politik e juridik konstitucional, për të plotësuar një detyrim, si kusht politik për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Mirëkuptimi, si marrëveshje midis dy subjekteve politike që citoni, nuk është i pamundur për shkaqe objektive, por për shkaqe subjektive. Një marrëveshje midis dy subjekteve nuk mund të realizohet në qoftë se një subjekt nuk dëshiron që marrëveshje të plotësohet. Dhe në këtë rast dëshira i mungon Partisë Socialiste. Por partitë përfaqësojnë interesa politike të shqiptarëve. Shumica absolute e shqiptarëve dëshirojnë anëtarësimin në BE, për rrjedhojë, asnjë kusht nuk mund të vendoset për këtë objektiv.

– Mendoni se palët politike në Shqipëri, me sjelljen e deritanishme politike,  interesohen që Shqipëria dhe shqiptarët të integrohen sa më parë në BE?

– Klasa politike në Shqipëri, interesat partiake për pushtet, i ka vendosur mbi interesat kombëtare të shqiptarëve për progres.

– Në intervistën e fundit, Edi Rama, deklaroi se, nuk do të pranojë aleancë me AK dhe FRD. Ju si e shpjegoni politikën e Edi Ramës, i cili kundërshton, në prag të fushatës zgjedhore,  që të bashkojë forcat politike që janë kundër qeverisjes Berisha?

– Besoj se i referoheni ndonjë deklarate të disa ditëve të mëparshme, sepse para dy ditësh kërkoi bashkimin në një front të parive që thoni.  Inkoherenca e deklarimeve tani është sjellje normale për këtë lidership.

– Deri tani, a është bindës në alternativat që jep për ndryshim opozita socialiste?

– Si mund të bind një opozitë, e cila brenda ditës ndryshon qëndrim e në mbrëmje kundërshton atë që ka deklaruar në mëngjes.

– Si e shpjegoni, që forcat politike që janë kundër qeverisjes Berisha, nuk besojnë te PS-ja? Duke mos u bashkuar në një opozitë, a nuk “kontribuojnë” që jetëgjatësi të maxhorancës së Berishës.

– Edhe unë kam të njëjtin mendim si ju për mosbesimin që ekziston te  PS-ja, por përse nuk besojnë, mendoj së pari duhet të pyesësh aleatët e saj. Lidhja për Drejtësi e Progres është në princip kundër amoralitetit politik, që për interesa pushteti mund të bashkohen të gjithë në një front, “miq”, “armiq” e”hajdutë”,  sepse kjo nuk i sjell asgjë pozitive qeverisjes demokratike, e cila duhet të realizohet me drejtësi dhe të sjell progres për shqiptarët. Jetëgjatësinë e qeverisjes Berisha e ka hipotekuar “flyger politika” e opozitës parlamentare.

-Faleminderit!