Basha: Bashkëqeverisja e Edi Ramës, në Elbasan, në “kryeqytetin” e krimit konkretizohet me Qazim Sejdinin dhe Taulant Ballën

 Petraq BARJAMI

Dje, opozita e bashkuar bojkotoi për së dyti herë radhazi seancën e Kuvendit dhe u mbudh në Elbasan, ku kryetari i PD-së Lulzim Basha, e cilësoi si “kryeqytetin” e krimit: “Elbasani i shkencëtarëve, i artistëve, i normales, i patriotëve ka tash 5 vite që vuan nga bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin, modeli i së cilës në Elbasan konkretizohet me tre emra Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe bandat e krimit të organizuar nga Çelët, deri tek Sanxhaktarët me shokë. Të cilët vitin e kaluar treguan grafikisht se kush sundon në këtë qytet, kush sundon në këtë vend, kur goditën Policinë e Shtetit pa asnjë pasojë ligjore. Ditë pas kësaj ngjarjeje poshtëruese për shtetin shqiptar që tregoi një vit me parë se marrëdhënia e Edi Ramës me kriminelët ka evoluar aty ku tashmë nuk është ai që dikton, por janë kriminelët që diktojnë. Pra, kemi një kryeministër falso, kukull në duart e krimit”.

Basha: Do zbardhen fakte tronditëse për laboratorin e kokainës në Xibrakë

Kryedemokrati Basha deklaroi dje se faktet tronditëse që do të dalin nga një hetim i plotë parlamentar, do të provojnë katërcipërish se këtu në Elbasan, në Xibrakë, bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin, përmes vëllait të tij në aferën e kokainës, ngriti çengelin nga ku varet tash 5 vjet Edi Rama. Çengelin e krimit të organizuar që ka marrë peng qeverisjen e vendit dhe Shqipërinë. Nuk ka qytet më të përshtatshëm për t’ju shpjeguar të gjithë shqiptarëve, edhe pseudo të shqetësuarve nga fokusi i opozitës tek krimi, sepse pa u çliruar nga krimi nuk do të ketë asnjë përparim domethënës dhe e keqja do të vazhdojë të kaplojë shtëpitë, familjet dhe fatin e shqiptarëve. Krimi i organizuar nuk është thjesht dhe vetëm çështje sigurie, rendi, siguria kombëtare është edhe çështje ekonomie.

Basha shpall 4 objektivat e platformës për çlirimin e qeverisë nga krimi

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shpallur 4 objektivat e fushatës për çlirimin e qeverisë nga krimi. Duke folur në këtë takim, Basha është shprehur se ‘risia kryesore e platformës që po diskutohet në grupin parlamentar të opozitës është vetingu për politikanët, njësoj si për gjyqtarët, prokurorët dhe policët’.

1 – Dekriminalizimi i plotë përmes vetingut të politikanëve të lidhur me krimin.

2 – Çlirimi I drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin

3 – Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin

4 – Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Kryeministri Rama pranon propozimin e Bashës për vetingun: Gati ta diskutojmë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas nismës kushtetuese të Partisë Demokratike për vetingun në politikë. Përmes një mesazhi në ‘Twitter’ Rama ka mbështetur për hapin PD-në, ndërsa është shprehur i gatshëm që palët ta diskutojnë së bashku. Ai thekson se kjo gjë të ndodhë sa më parë, pasi një drejtësi e pastruar përmes Vetingut, sipas tij nuk do të ketë më as në këtë vend për politikanët e korruptuar. Kryeministri Rama shkruan: Veting politikanëve? Sa më parë! Me një drejtësi të pastruar përmes Vetingut, s’do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t’i ikin drejtësisë. Dhe çdo ide tjetër për të rritur llogaridhënien e politikanëve është e mirëseardhur. Gjithnjë gati të diskutojmë me PD”, shkruan Rama.

Kush do ta bëjë vetingun e politikanëve?

Njerëzit janë të lodhur nga premtimet e politikanëve, ndërsa shohin që asgjë nuk i prek ata. Dhe tani, edhe pse njerëzit kanë kohë që kërkonin që vetingu të fillojë së pari nga deputetët, nga ministrat, nga kryeministri dhe nga të gjithë ata që qeverisën, asgjë nuk u bë, pak mund të besojnë se vetingu do të bëjë katharsisin tek politika nga deputetë dhe ministra e kryeministra të korruptuar dhe të inkriminuar. Dy janë shembujt më të gjallë: Dekriminalizimi, edhe pse u miratua, pak u prekën deputetë dhe kryebashkiakë. Së dyti, edhe vetingu në Gjyqësor, siç po zhvillohet, zbatohet me dy standarde, ku shumë gjyqtarë, edhe pse rezultojnë miliarderë, pasuritë e tyre, sipas Vetingut, janë të justifikueshme. Pyetja është: Kush do ta bëjë vetingun e deputetëve dhe ministrave e kryeministrit? Ata gjyqtarë dhe prokurorë që seleksionohen nga vetingu i Gjyqësorit, që deri tani është i paragjykuar nga opozita, e cila kërkon ribërjen e vetingut, sepse e kontrollon kryeministri? Opozita akoma nuk bëri me dije hollësi, se si do jetë procedura e vetingut, në mënyrë të atillë që të jetë proces i besueshëm nga të gjitha palët dhe transparent.

Asnjë zyrtar i lartë i hetuar dhe dënuar për korrupsion

Duket utopi dhe është pak e besueshme, që të bëhet vetingu në politikë dhe të kryhet katharsisi i saj nga deputetë dhe ministra e kryeministra të korruptuar e të inkriminuar, derisa deri më sot, edhe pse janë miratuar ligje të posaçme, asnjë deputet, asnjë zyrtar i lartë, asnjë ministër, asnjë kryeministër dhe ish-at nuk janë hetuar, nuk janë gjykuar, nuk janë dënuar për korrupsion, edhe pse mosdënimi i korrupsionit është një nga shkaqet kryesore që Shqipërisë nuk iu hapën negociatat për anëtarësim në BE, në 28 qershor 2018. Madje, në reformën në Drejtësi është parashikuar edhe ngritja e SPAK, e BKH, institucione që do hetojnë, do gjykojnë pikërisht korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 2 vjet, deri tani këto institucione nuk janë ngritur, sepse mungon vullneti politik për të dënuar korrupsionin. Atëherë, sa besueshmëri do të ketë vetingu në politikë, kur më parë nuk duan të hetojnë, të gjykojnë, të dënojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë? Thua të jetë loja e radhës e opozitës dhe e mazhorancës, kërkesa për veting edhe në politikë?

 

Policia e Shtetit vepron ashpër kundër krimit, sa herë që merr urdhër nga politika

Në Shkodër ndodhën brenda një kohe shumë të shkurtër disa vrasje të bujshme, rrëmbim njerëzish dhe përballë këtyre veprimeve të terrorit të krimit, policia e Shtetit vetëm dokumentonte fakte dhe shkruante statistikën e vrasjeve. Nuk ka ende asnjë autor të dyshuar, përveçse disa motive hamendësie. Qytetarët jetojnë nën frikën e madhe të terrorit, gojët rrinë të mbyllura, asnjë nuk guxon të flasë, sepse asgjëkund, as tek shteti nuk ka besim dhe nuk ka as mbrojtje. Deputeti socialist, që është në zonën elektorale të Mamurrasit, ku kanë ndodhur, gjithashtu vrasje, deklaron haptas: Ka drejtues të Policisë së Shtetit që janë të korruptuar tek njerëzit e botës së krimit! A kanë vesh në qeveri të dëgjojnë deputetin e tyre?

Politika “prangos” Policinë e Shtetit

Çuditërisht realiteti i tmerrit, i frikës, i terrorit, përmbysen brenda një nate. Forcat speciale të Policisë së Shtetit, ndërhyjnë në Shkodër, thua se ndërhyn NATO në një qytet të pushtuar nga krimi. Arrestohen brenda natës “të paprekshmit” e qytetit, njerëzit fuqiplotë të botës së krimit. Atë që urdhërojnë për çdo gjë. Ata që sundojnë me “ligjet” e tyre frikën e qytetarëve. Brenda natës policia sekuestron armatime të një ushtrie të tërë të strukturave kriminale. Pra, (para) diheshin, cilët ishin kriminelët. Diheshin edhe veprimet e tyre kriminale. Diheshin edhe fuqia e armatimit të tyre. Gjithçka dihej. Por nuk veprohej kundër tyre. U desh, veçse të vinin forcat speciale të Policisë së Shtetit. Sepse Policia Rajonale e Shtetit nuk kishte fuqinë të vepronte mbi krimin. Kjo tregon 2 gjëra. E para, policia e shtetit në Shkodër ose bashkëpunon me botën e krimit, ose u trembet atyre. Nuk ka asnjë justifikim të tretë. E dyta, është politika, qeveria, që ka prangosur më parë duart e Policisë së Shtetit, derisa kaq kohë nuk vepronte ndaj krimit, edhe pse ndodhën në Shkodër krime makabre të njëpasnjëshme. Sa dha urdhër qeveria (ndoshta e detyruar edhe nga presioni politik i opozitës) forca e Ligjit veproi menjëherë mbi botën e krimit.

Aksioni policor në Shkodër kundër krimit

Në lidhje me aksionin e policisë në Shkodër vetë Policia ka deklaruar se janë arrestuar 4 persona dhe 1 tjetër është në kërkim. “Kanë ushtruar kontroll në 20 banesa dhe lokale ku dyshohet se ushtronin aktivitet kriminal. Janë arrestuar 4 persona dhe një është shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë Ilir Bajri, Emrah Plaku, Astmer Bilali dhe Erogen Brajoviç. Janë sekuestruar 3 armë zjarri, dy kallashnikovë dhe një pistoletë, dy veshje antiplumb”, u tha nga policia.

 

Policia ndërhyn edhe në Elbasan, edhe në Berat

Pas Shkodrës, Policia e Shtetit, bën me dije, se forcat speciale të saj po bëjnë ndërhyrje edhe në qytetet e tjera. Problemi është se këto veprime janë sporadike, aksioni policor kundër krimit nuk ka vazhdimësi, por bëhet, sa herë që jep urdhër politika, qeveria