Elbasan, PS dhe LSI nisin “kacafytjet” për postet

474
Sigal

Ndarja e posteve ka qenë dhe mbetet molla e sherrit, përkrahësit e Haxhinastos kërkojnë 4 poste drejtorësh

Në Elbasan koalicioni PS-LSI duket se po merr çdo ditë krisje fatale dhe kjo për faktin se militantët dhe përkrahësit e deputetit Haxhinasto, kanë kërkuar marrjen e katër posteve drejtorësh. Burime nga dega e LSI-së në Elbasan thanë për gazetën “Telegraf” se: “Ndarja e posteve ka qenë dhe mbetet molla e sherrit mes nesh dhe PS lokale, pasi nuk mund të pranojmë që ne të përfaqësohemi me poste të dorës dytë dhe të tretë, ndaj kërkesa jonë mbetet e qartë, gjë të cilën i’a kemi parashtruar edhe Haxhinastos dhe Metës në takimet e fundit”. LSI në Elbasan ka kërkuar postet drejtuese të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, drejtorit të Shëndetit Publik, ZRPP dhe Ujësjellës-Kanalizimeve, si dhe disa poste drejtorësh në shkollat e qarkut. Por kjo kërkesë e tyre ka rënë në kundërshtimin e fortë të PS-së lokale, e cila nuk mund të tolerojë dhe lëshojë më shumë poste nga ajo çfarë kanë arritur të bien dakort Rama-Meta. Nga ana tjetër lufta mes dy partive majtiste po shoqërohet edhe me akuza dhe kundërakuza mes selive lokale. Akuzat konsistojnë në emërimet nepotike, mungesën e transparencës dhe lidhjet me segmente korruptive të drejtuesve drejtimin e institucioneve drejt regresit dhe mungesën e reformimit të tyre. Pothuajse në të gjitha mbledhjet javore që Prefekti Arben Kamami zhvillon me drejtorët e qarkut, ndjehet tensioni dhe ndarja mes grupimeve dhe të emëruarve nga PS dhe LSI. Edhe baza e dy partive qeverisëse, vazhdon të ketë dhe të shprehë shqetësimin për lënien pas dore dhe pas dere nga drejtuesit e rinj. Nga afro 18500 anëtarë që sot ka LSI në qytetin e Elbasanit, as 10 për qind e tyre nuk është punësuar, ndërkohë që e njëjta situatë është edhe me 35 mijë anëtarët e PS, ku as 30 për qind e tyre nuk ka zënë një vend pune pas 23 Qershorit 2013. Kjo situatë tensioni mes dy selive lokale të koalicionit qeverisës, sa vjen dhe rritet, ndërkohë që, lista e militantëve të papunës tek dy selitë lokale sa vjen dhe rritet. Anëtarësia e PS dhe LSI kërkon largimin e demokratëve nga vendet e punës, ashtu siç u larguan edhe ata 8 vjet më parë. Por duket se drejtuesit e rinj, shpesh kanë gjetur kompromisin me deputetët e qarkut dhe njerëzit e PD, duke lënë në harresë premtimet e punësimit për militantët e tyre. Por veç këtyre, arsyeja kryesore është se baza e dy partive qeverisëse ka nisur të ketë jo vetëm pakënaqësi por edhe të drejtojë gishtin nga ata që morën postet dhe që u kanë kthyer kurrizin. Në harkun kohor të 1 viti, asnjë prej deputetëve të PS dhe LSI në Qarkun e Elbasanit, (veç Ben Blushit) nuk takohet rregullisht me bazën, asnjë prej tyre nuk komunikon rregullisht me militantët, asnjë prej tyre nuk u hap celularin hallexhinjve që deri në 23 qershorin e 2013 i luteshin për t’u dhënë votat për të rrëzuar Berishën nga pushteti. Situata në bazën e LSI mbetet më kaotike, pasi lista me 400 emrat e militantëve të kësaj partie për Elbasanin, mbetet e refuzuar nga drejtuesit e emëruar. Kryesia e LSI-së në Elbasan kërkon zgjerimin e pikave të marrëveshjeve për ndarjen e posteve, pasi PS ka kapur sipas tyre, “drejtoritë kryesore ku ka lekë dhe vende pune”. Nisur nga kërkesat e kësaj force politike dhe inatet e vjetra, drejtuesit e PS kanë preferuar më mirë ta mbajnë mirë me njerëzit e PD, duke refuzuar çdo qasje me aleatët e majtë. Elbasani njihet si qarku ku Meta ka mbështetje të madhe për LSI, dhe kjo u konstatua në zgjedhjet e 23 Qershorit, por ndarja e posteve prej 1 viti ka krijuar probleme. Ministri Transporteve Haxhinasto, njëherësh i deleguari i përhershëm i LSI për Elbasanin qysh nga 2009, e ka të pa mundur të përballet me akuzat e bazës. Mbushja e institucioneve me njerëz inkompetentë, ku dentisti punon si specialist ujërash dhe bujqësie, apo xheneriku është punësuar kryeinspektor mjedisi dhe pronari kafe-internetit është emëruar shef kuadri, ka diskredituar e degjeneruar institucionet e shtetit në Elbasan nga “krushqia” politike mes PS dhe LSI. Këto dy forca politike në garën e tyre për të gllabëruar çdo cm pushtet, po përvetësojnë gjithçka lidhet me fatin e institucioneve, duke i trajtuar ato si pronë partie.