Elbasan, humbet jetën në oborrin e shkollës nxënësi 17-vjeçar, hetimi “Fast-Food”-ve pranë shkollës dhe urgjencës mjekësore

651
Maks TUFA

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme profesionale “Ali Myftiu”, prindërit përfshihen nga paniku
Të kthyera si burgje apo kampe përqendrimi, duket se shkollat veç mungesës së kujdesit ndaj nxënësve po krijojnë edhe raste fatale për ata. Ngjarja e djeshme, e ndodhur rreth orës 10.45 në oborrin e shkollës “Ali Myftiu” Elbasan, ku humbi jetën tragjikisht nxënësi 17 vjeçar Liman Sallaku, tregoi se shkollat tona janë larg standardeve dhe normave të institucionit të edukimit. Sipas policisë ngjarja ndodhi në ambientet e shkollës “Ali Myftiu”, ku shtetasit Liman Sallaku 17 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, i ka rënë të fikët. Sipas burimeve policore “nxënësi është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan, dhe më pas ka ndërruar jetë. Vdekja dyshohet për shkaqe natyrale. Ekspertët hetimorë, po kryejnë veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes”. Por si dhe çfarë ka ngjarë në të vërtetë. Një nxënës i shkollës i gjendur pranë shokut të tij L. Sallaku deklaroi se “ishim duke qëndruar dhe biseduar kur ndërkohë që shoku ynë i ndjerë, na tha se nuk ndjehej mire, shfaqi shqetësime, dhe donte të largohej nga shkolla, por dera e jashtme ishte mbyllur ndaj, ai tentoi të kapërcente murin e shkollës, dhe duket se rënia ishte fatale, nuk e dimë dhe nuk e kuptuam si ndodhi, ndoshta ka konsumuar ndonjë ushqim të keq, ose ka patur ndonjë shqetësim tjetër. Njoftuam Urgjencën dhe na u përgjigjën se “duhet ta sillni të sëmurin me makinat tuaja tek ne, sepse nuk kemi makina, nuk kemi autoambulanca për momentin, ishte një skandal i madh, ne po na mbaronte shoku kurse ata na thonin gjeni makinë dhe silleni këtu. Mbaj mend se një nga shokët tanë i thirri fuqishëm atyre të Urgjencës, duke i bërtitur “ejani se po na vdes shoku tek shkolla “Ali Myftiu”. Ambulancat erdhën pas nja 25 minutash, me shumë vonesë, kur çdo gjë kishte mbaruar, turp madh, në mes të qytetit, ditën me diell, të mos vijë një autoambulancë për të shpëtuar një jetë njeriu, imagjinoni në fshatra çfarë mund të presin atje njerëzit. Të paktën, ta dijë ministri Beqja, se kjo humbje e një 17 vjeçari ishte tjetër akuzë për “shëndetësinë falas, dhe për modernizimin e urgjencave spitalore në Shqipëri”. Nga ana e saj policia ka nisur hetimet në tre pista, ndaj stafit të shkollës, fast-foodeve, dhe stafit të Urgjencës, nga ku do të përcaktohet edhe shkaku i humbjes së jetës, të nxënësit 17-vjeçar. Ngjarja e rëndë në shkollën “Ali Myftiu” të qytetit të Elbasanit, ka hapur shtegun për të shprehur pakënaqësitë e tyre edhe mjaft prindër në shkollat e tjera të qytetit. Ata ankohen se “shkollat 9 vjeçare dhe të mesme, po i trajtojnë nxënësit sikur të ishin të burgosur, i kyçin dhe nuk i lënë të dalin edhe kur kanë nevoja jetike, mjekësore dhe prindërore. Mbyllja e dyerve të shkollave ndodh edhe në rastet kur jashtë tyre mbeten edhe nxënësit e ciklit të ulët, ata të klasave të para, dyta treta dhe të katërta, duke qenë një rrezik serioz për jetën, nga aksidentet, apo elementët e trafikut të qenieve njerëzore që mund ti joshin fëmijët e mbetur jashtë. 
Sigal