Elbasan – Dy të tretat e drejtorëve me doktoratura fallco

503
Sigal

 

Shumica i kanë
blerë në Strugë e Bullgari

Nga MAKSIM  TUFA

Afro 2/3 e
drejtorëve të Rilindjes, 3 vjet pas emërimit me “konkurs” të hapur në
dikasteret e tyre qendrore, rezultojnë të kenë marrë gradën “Doktor”, duke e
pasuruar CV e tyre. Ky fakt bëhet i ditur nga burime brenda institucioneve të
shtetit që ata drejtojnë, nga drejtori të cilat edhe ato pak balance pozitive
që kishin deri para 2013, sot janë katandisur keq dhe më keq. Drejtorët e
Rilindjes me gradën e lartë “Doktor”, rezultojnë të kenë blerë ofiqin e lartë
shumica në Strugë dhe Bullgari për 5-6 mijë euro. Një skandal i padëgjuar, një
skandal që meriton hetim urgjent nga organi akuzës, dhe strukturat e tjera
policore. Kjo pasi epidemia e blerjes (dhe jo marrjes) së gradave shkencore si
në rastin e drejtorëve të Rilindjes, mbetet gjesti dhe krimi  më i shëmtuar ekonomik, nga ku ata përfitojnë
jo vetëm famën falso, por edhe vlera financiare. Për gradën shkencore “Doktor”
të blerë në universitetin e Strugës dhe ato të Bullgarisë, drejtorët e
Rilindjes përfitojnë edhe 12 mijë lekë të reja shtesë page mujore, e cila mbush
xhepat e tyre të shqyer nga paratë e pista që fitojnë edhe nga anekse të tjera
të padukshme. Epidemia e blerjes së gradës “Doktor” në Strugë dhe Bullgari, ka
joshur edhe të tjerë rilindës, duke nisur nga zëvendësit e drejtorëve, shefat e
vegjël dhe sekretarët e tyre, duke mbushur dosjet me ofiqe të pamerituara, pavarësisht
se mund të vihet në dyshim edhe origjinaliteti diplomave të tyre universitare.
Këto fakte kaq  skandaloze dolën në dritë
disa ditë më parë, kur një ministër ka kërkuar dosjen e plotë të një vartësi të
tij nga Elbasani, nga ku ka rezultuar se CV e tij, ishe pasuruar goxha, duke
shtuar ndër të tjera edhe “marrjen e gradës shkencore Doktor në universitetin e
Strugës”. Të njëjtat burime thanë se “drejtori i emëruar para 3 vitesh pa asnjë
konkurs dhe duke mos plotësuar asnjë kriter profesional, Strugën mund ta dijë
ku ndodhet në hartë, por universitetin e atij qyteti nuk e njeh fare, dhe nuk
ka patur asnjë kontakt me autoritetet e atij institucioni akademik. Të vetmin
kontakt me universitetin e Strugës dhe ato të Bullgarisë, drejtorët e Rilindjes
e kanë patur përmes një personi shqiptaro-bullgar, që ka njohje dhe tarafe përtej
kufirit, dhe që ka pajisur ata me gradën e lartë shkencore. Por pavarësisht  këtyre skandaleve që janë bërë tashmë si
diçka normale, të habit fakti se si ka mundësi që dikasteri qendror, madje si
ka mundësi që ministrat e linjës të mos shqyejnë sytë nga “surpriza” të tilla
të vartësve të tyre. Ndoshta kjo nuk ndodh, sepse në këtë qeveri mund të ketë
edhe ministra, që kanë blerë si vartësit e tyre gradën “Doktor” në Strugë, Bullgari
apo diku tjetër. Ndoshta do tu mbetet organeve kompetente të zhbirilojnë
lidhjet dhe  origjinalitetin e gradave
shkencore me të cilat  janë mbushur
shumica e drejtuesve të Rilindjes jo vetëm në Elbasan, por pothuajse në gjithë
vendin. Një drejtues kur u pyet se “përse të duhej grada Doktor” , ndoshta me
nënqeshjen e një naivi  tha se “më duhet ore,
se neser vjen PD në pushtet, dhe nuk guxon të më largojë nga puna sepse kam
edhe arsimin e lartë edhe gradën shkencore, dhe jo të marrë këtu, por jashtë
shtetit ore”. Mjerë vendi dhe mjerë shqiptarët ku kanë rënë, mjerë shteti në cilat
duar është katandisur, aq sa duhen edhe 25 vite të tjera të largohen nga skutat
e pushteteve këta dordolecë, që janë kthyer në shushunja, ku veç pangopësisë me
para, tani nuk ngopen edhe duke blerë pa kufij edhe grada shkencore jashtë
vendit, për ti ruajtur fort, edhe kur Rilindja të mos jetë më në pushtet.