Elbasan, baza e PS-së dhe LSI-së denoncojnë aferat korruptive të sekserëve

528
Sigal

Baza e socialistëve thirrje Kryeministrit Rama: Merrni masa. Ka nisur shitja e vendeve të punës!

Një tjetër skandal duket se ka nisur udhën e denoncimit nga Elbasani. Baza socialiste e Elbasanit ka denoncuar aferat korruptive të drejtorëve të emëruar nga ministrat, të cilët kanë nisur shitjen e vendeve të punës, që po variojnë nga 200 mijë deri në 2 milionë lekë. Burime nga militantë të PS-së në Elbasan thanë për “Telegraf” se: “Nuk na qasin në asnjë zyrë, në asnjë ndërmarrje, në asnjë institucion, ku janë drejtorë ata që fushatën e shtynë në zyra, duke luajtur e duke pirë raki, kurse ne jemi edhe sot pas 8 muajsh qeverisje të papunë, pa përkrahje, pa asnjë mbështetje, dhe jetojmë madje më keq se me qeverisjen e PD-së. Telefonat e agallarëve nuk hapen kurrë për ne, në çdo ndërmarrje të presin sekserët tek dera dhe të servirin gjobat, për të marrë vendin e punës, ndryshe e ke shansin e humbur”. Militantët socialistë në Elbasan gjenden në një situatë mjaft  të vështirë ekonomike, kur dihet se ai qytet ka mbi 15 mijë të papunë, numër i cili sa vjen dhe rritet. Baza socialiste denoncon aferat e pista korruptive të drejtorëve të çdo institucioni ku janë të emëruarit nga PS dhe deklaruan se: “LSI mbetet partia që ka qenë dhe mbetet vlerësuesja e militantëve, ndaj nuk na mbetet rrugë tjetër veç t’i bashkohemi asaj force politike, e cila ka edhe perspektivën qeverisëse”. Nga dita e parë deri sot, nga baza e PS-së nuk janë punësuar më shumë se 300 persona, një përqindje  shumë e ulët po ta krahasosh me numrin dhe kërkesat reale. Në selinë e PS lokale, janë mbi 2500 emra të regjistruar që kërkojnë vendin e punës nga  partia, të cilës i dhanë votat me shumicë në 23 Qershor. Hapja e Zyrës së Punësimit (kur Elbasani e kishte de facto dhe de jure një të tillë) nuk ka sjellë asnjë risi në zbutjen e problemit të punësimit të mijëra personave që ka ai qytet. Baza socialiste e Elbasanit, veç aferave korruptive për çdo punësim të ri nga drejtuesit, denoncon edhe formën dhe metodat e rekrutimit të drejtuesve të rinj, shumica e të cilëve janë të importuar apo që nuk kanë asnjë lidhje me qytetin e tyre dhe kontributet për fitoren e 23 qershorit. Shumica e të zhgënjyerve nga baza e PS në atë qytet, janë gati t’i bashkohen LSI-së, e cila nga ana e saj mund t’i presë krahëhapur dhe t’i bëjë pa asnjë mëdyshje anëtarë. Kjo ka ndodhur edhe me deputetët në Parlament, fenomen i cili ka rritur ndjeshëm numrin e grupit të LSI-së. Baza e socialistëve në Elbasan kërkon nga Rama të ulet këmbëkryq mes tyre dhe të dëgjojë ankesat dhe denoncimet, të cilat lidhen me modelin më të keq të qeverisjes nga drejtuesit e rinj që janë emëruar sipas tarafit dhe interesave të deputetëve dhe ministrave. Baza socialiste e Elbasanit, kërkon që Rama të ndalet në qytetin e tyre dhe të largojë urgjentisht shumicën e drejtuesve që po përbaltin qeverisjen e Rilindjes, ndryshe shumë shpejt  largimet nga kjo parti do të jenë masive dhe humbja  në zgjedhjet e ardhshme e sigurt.