Ekzekutimi i Ivanoviçit, Vuçiç porosi shqiptarëve: Të gjejmë zgjidhjen

620
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka dhënë një deklaratë të qartë për vrasjen e liderit Oliver Ivanoviç, duke kërkuar kështu zbardhjen e plot të ngjarjes. Teksa theksoi se ngjarja në fjalë trishtoi Serbinë, Vuçiç i dha një ‘porosi’ shqiptarëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët.
“I porosisë shqiptarët, edhe pse kemi shpesh mosmarrëveshje, se ne duam që të gjejmë një zgjidhje të mirë për të dyja palët, për të mirën e serbëve në Kosovë dhe për të mirën e shqiptarëve. Shteti i Serbisë do të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë dhe Metohi, për të siguruar përparimin e tyre ekonomik dhe për të gjetur mekanizma të reja për të siguruar sigurinë e tyre dhe për t’u marrë me krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Vuçiç, raporton Express.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka arritur në Kosovë, ku do të qëndrojë për vizitë njëditore. Presidenti serb, me eskortën e tij, ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Jarinjë, rreth orës 10 e 45 minuta. Vizita e Vuçiçit në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, siç ka paralajmëruar ai, për të biseduar me serbët.
Fillimisht presidenti serb po qëndron në veri të Kosovës, ku po viziton Manastirin e Banjskës, e më pas do të qëndrojë në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën veriore, në një takim të mbyllur, do të bisedojë me përfaqësuesit politik dhe institucional të serbëve të Kosovës.
Ndonëse në agjendën e tij nuk është paralajmëruar, pritet që Vuçiç të vendosë kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviç.
Më pas, është paraparë që Vuçiç të udhëtoj për në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokal. Ndonëse më herët ishte paralajmëruar që Vuçiç do të qëndroj dy ditë në Kosovë, ai do ta përfundojë vizitën të shtunën, pas takimit me qytetarët lokal në Llapna Sellë. Kjo është vizita e shtatë e Vuçiçit në Kosovë në pesë vitet e fundit dhe e para në cilësinë e presidentit të Serbisë.
Sigal