Ekstradimi i Ballist Morinës, Meta thërret ambasadoren kroate

524
Pas vendimit të dy ditëve më parë Gjykatës Supreme kroate për ekstradimin e Ismail Morinës (Ballistit) në Serbi, Tirana zyrtare është vënë sërish në lëvizje. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka thirrur në një takim ambasadoren kroate në Tiranë, Sanja Bujas-Juraga. Gjatë takimit mbi çështjen e Ballist Morinës, Meta ka shprehur shqetësimin mbi të ardhmen e tij. “Shqetësim pas vendimit të Gjykatës Supreme kroate. Dyshoj se në Serbi do ketë një proces objektiv. Dyshoj për sigurinë e jetës së Morinës në burgjet serbe”, mësohet të jetë shprehur Meta. Morina kërkohet në Serbi me akuza për nxitje të urrejtjes etnike dhe racore për shkak të ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë etnike gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri tre vite më parë. Vendimi, i publikuar në faqen e internetit të Gjykatës Supreme të Kroacisë dhe i cituar nga mediet serbe, refuzoi si të pabazuar ankesën e paraqitur nga avokati mbrojtës i Morinës. Ky është vendimi përfundimtar i gjykatës, por sipas procedurave ligjore, është ministri kroat i Drejtësisë, ai që do të vendosë për ekstradimin përfundimtar. Morina mbetet në qelitë e paraburgimit në qytetin kroat të Dubrovnikut, pasi u ndalua disa ditë më parë teksa tentonte të udhëtonte në Kroaci.
Sigal