Eksperti zgjedhor Oerd Bylykbashi/ Vendimi i Gjykatës së Lartë 2003: Dekreti për shfuqizimin e zgjedhjeve ankimohet vetëm në Kushtetuese

525
Sigal

Gjykata e Lartë 2003: Dekreti për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve ankimohet vetëm në Gjykatë Kushtetuese

Oerd Bylykbashi: Grusht shteti, mosrespektimi i dekretit të Presidentit

Ish-deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi shprehet se sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese që të gjykojë kushtetutshmërinë e dekretit, Edi Rama nuk ka asnjë rrugë tjetër: Si Kryeministër, ka detyrimin kushtetues t’i bindet dekretit të Presidentit. Bylykbashi thotë se Rama po kërkon konflikt më datë 30 qershor me çdo kusht. Ai shton se mosnjohja e dekretit të presidentit Meta do të thotë të kryesh grusht shteti.

Bylykbashi: KQZ—ja nuk është gjykatë

 

Edi Rama po kërkon të gjejë ‎një gjykatë apo diçka të ngjashme që t’i anulojë dekretin. Po bën forum-shopping apo pazar në shqip, që të gjejë, se cila gjykatë ia mbyll hallin.

Gjykatë Kushtetuese nuk ka, sepse e vrau vetë.

Dënglat se kjo mungesë na paska qenë një e keqe e domosdoshme e menduar më herët, i janë përplasur në fytyrë tani që kjo gjykatë i duhet.‎

Rama po kërkon konfliktin, më 30 qershor me çdo kusht

Sepse atë ditë ai do të përdorë dhunën e shtetit dhe të bandave. Për këtë i dha urdhër marionetave të tij në KQZ që të shpallin nul dekretin e Presidentit. ‎Atyre që me telefon i bëri të braktisin detyrën në 2013-n, apo që të thonë se me akt normativ mund të ndryshohet edhe Kushtetuta e bëri këtë që ata të vazhdojnë përgatitjet e paligjshme, duke i bërë fakt të kryer. Në fakt ata po bëjnë gati dosjen e tyre penale. Disa i thonë Ramës të shkojë në Kolegj Zgjedhor, por Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të tillë. Fare, zero! Të tjerë i thonë që ta mbyllë këtë hall në Gjykatën Administrative, se gjoja, dekreti i Presidentit qenka akt administrativ. Çfarë çudirash do të dëgjojmë! Madje citojnë një vendim procedural të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese me vetëm tre anëtarë që paska thënë diçka të tillë. Së pari, ai është vendim jopërfundimtar, sepse Gjykata Kushtetuese vendos në mënyrë përfundimtare me së paku 5 vota, në prani të jo më pak se 6 anëtarëve. Tre anëtarë nuk vendosin çështje në themel, pra nuk është gjykuar kushtetutshmëria e dekretit që shtyu zgjedhjet në 2017-s. Gjykata atëherë e bënte të qartë që çështjet e ngritura nuk ishin kushtetuese, ndaj ajo nuk mund të shprehej. Për ata që thonë se dekreti i Presidentit të Republikës na qenka akt administrativ, madje akt individual, le ta sqarojmë, dhe bën vaki e kupton edhe KQZ-ja: Dekreti për datën e zgjedhjeve rregullon të drejta dhe marrëdhënie për rreth 3,5 milionë zgjedhës, 120 partitë politike dhe kandidatët e tyre, KQZ, 90 KZAZ, rreth 5300 KQV me rreth 40.000 komisionerë, 61 bashki që përgatisin lista zgjedhësish dhe infrastrukturë, ‎një numër të madh institucionesh shtetërore që kanë detyrim për të përgatitur infrastrukturë apo garantuar atë si Ministria e Brendshme, e Drejtësisë për votuesit në burgje, Policia e Shtetit për masat që duhet të marrë si dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë detyrimin të mos bëjnë veprime që cenojnë zgjedhjet. Dekreti i presidentit, vetëm ai, vë të gjithë këtë proces në lëvizje. ‎

Të thuash që ky është akt administrativ, madje që na qenka akt administrativ individual, ose ke hall që t’i shërbesh Edi Ramës, ose nuk ke kuptuar gjë. Po le ta mbyllim këtë debat, sepse e ka mbyllur Gjykata e Lartë me kohë: Vendimi Unifikues nr. 3, datë 30.04.2003 i‎ Gjykatës së Lartë. Ky vendim unifikes ka fuqi detyruese për të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe apelit, civilë, administrativë apo Kolegj Zgjedhor. Për TË GJITHA! Ky vendim unifikues ‎ka marrë në shqyrtim NATYRËN e dekretit të presidentit, pra a është dekreti akt administrativ apo jo dhe a mundet të goditet në gjykatë dekreti. Përgjigja e vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë është e qartë dhe shteruese: Dekreti i Presidentit NUK është akt administrativ por është AKT ME NATYRË JURIDIKO-KUSHTETUESE. ‎Ai nxirret nga organi më i lartë në ushtrim të kompetencave kushtetuese. Gjykata e Lartë urdhëron të gjitha gjykatat e tjera poshtë saj se “Dekretet e Presidentit të Republikës të nxjerra në bazë të kompetencave të tij kushtetuese nuk i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor sepse vetë Kushtetuta e ka përjashtuar këtë mundësi.” Pikë! Sipas Gjykatës së Lartë , nuk mund të goditet në gjykatë as edhe një dekret individual me të cilin Presidenti emëron apo shkarkon një zyrtar, e aq më pak një dekret që rregullon miliona të drejta e detyrime individuale përgjatë një procesi përgatitor zgjedhor apo edhe në ditën e zgjedhjeve. Pra, Gjykata e Lartë ia ka prerë një herë e mirë rrugën Kryeministrit që të shkojë në gjykata të zakonshme apo administrative. Me këtë vendim, KQZ, e cila nuk është gjykatë, jo vetëm ka bërë një sharlatanizëm, por të katër anëtarët socialistë kanë kryer vepër penale! Sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese që të gjykojë kushtetutshmërinë e dekretit, Edi Rama nuk ka asnjë rrugë tjetër: si Kryeministër, ka detyrimin kushtetues t’i bindet dekretit të Presidentit. Ai dekret për zgjedhjet vendore, as del me propozim të Kryeministrit, as Kushtetuta nuk e lidh me një ligj nxjerrjen e tij (lexojeni me kujdes neni 92 dhe nenin 109)‎ dhe as ka Kryeministri të drejtë të kundërfirmojë dekretet e Presidentit. Thjesht ai nuk ka asnjë zë në atë kapitull!

Sa keq për Kryeministrin!

Si kryetar partie, zëri i tij vlen po aq sa zëri i kryetarit të partisë më të vogël në koalicionin e tij. Thjesht si subjekt zgjedhor i barabartë. Mosrespektimi Kushtetutës, i dekretit të presidentit‎, vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, parimeve të shkelura kushtetuese për zgjedhje të lira e të ndershme, provokimi i konfliktit dhe cenimi i rendit publik nga Kryeministri, kanë vetëm një emër: GRUSHT SHTETI! Dhe ky është krim i rëndë. Ndaj ta mbyllim këtë debat shterpë nëse Dekreti është akt administrativ apo jo dhe në cilën gjykatë goditet. Problemi real është Kryeministri që nuk ka bërë asgjë për të garantuar zgjedhjet demokratike, por ka bërë kontratat e reja me krimin e organizuar të shkëmbimit të tenderëve me vota‎. Problemi real janë ato fakte të tmerrshme që “Bild” dhe “Zëri i Amerikës” nxorën në shesh pa lejen e Arta Markut. Sot slogani është: “Rama largohu që të hapen kutitë për zgjedhësit!”.