Ekspertët: Qeveria shqiptare e përdor Kosovën, vetëm kur ka nevojë, bashkëpunimi ekonomik i pamjaftueshëm!

504
Sigal

Vullneti dhe dëshira e afaristëve të Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunim, sipas ekspertëve, konsiderohet e madhe, por ky bashkëpunim dominon vetëm në shkëmbime tregtare, eksport –import dhe atë në nivel të ulët, nëse krahasohen me shtetet tjera të rajonit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më tani vlera e importit për vitin 2016, ka arritur në 2.86 miliardë euro, nga kjo shumë mbi 99 milionë euro janë produkte që janë importuar nga Shqipëria.

Në anën tjetër, vlera e eksportit deri në fund të muajit tetor ka qenë rreth 300 milionë euro, nga kjo shumë në Shqipëri janë eksportuar produkte me vlerë vetëm 15 milionë euro.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik, madje janë investuar miliarda euro në infrastrukturë. Autostrada Durrës – Kukës – Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka lehtësuar qarkullimin e mallrave nga të dyja palët.

Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera. Gjatë këtij viti është nënshkruar edhe marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e reciproke të investimeve.

Një bashkëpunim që tashmë konsiderohet tradicional, është Panairi “Blej Shqip”, që mbahet në Prishtinë.

Ky panair është hapur të dielën, në një nga sheshet e kryeqytetit të Kosovës, në të cilin produktet e tyre po i ekspozojnë mbi 100 prodhues dhe kompani shqiptare.

Me këtë rast, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Milva Ekonomi, ka thënë se janë duke punuar me institucionet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare që prodhimet e Kosovës dhe Shqipërisë të regjistrohen si marka, si mundësi më e lehtë për eksport.

“Prandaj, po punojmë bashkërisht, për ta bërë këtë gjë, regjistrimin si marka. Dhe, e dyta që të marrim në konsideratë që edhe konsumatori ka nevojë të mbrohet në momentin që konsumon një produkt të këtij lloji. Prandaj, edhe për këtë po punohet që marrëveshjet tona të rregullohen dhe të jenë të barabarta në fushën e prodhimit të produkteve që janë për eksport”, ka thënë Ekonomi.

Panairi është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë. Genc Bashota nga Komuna e Prishtinës, ka treguar se interesimi i bizneseve për këtë panair nuk po mungon.

“Sivjet ka qenë interesimi më i madh, nga të gjitha vitet tjera. Kemi mbi 120 prodhues nga Kosova, Shqipëria dhe nga viset tjera ku banojnë shqiptarët. Që do të thotë se është një vetëdijesim i vazhdueshëm edhe i prodhuesve edhe konsumatorëve që këmbejnë produkte kombëtare”, ka theksuar Bashota.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka shënuar disa përparime të vogla, por statistikat e bilancit tregtar tregojnë se ky përparim është shumë minor.

Profesori Naim Gashi, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Qeveria e aktuale e Shqipërisë, ndonëse kishte një fillim pozitiv të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investiv, megjithatë me kalimin e viteve, u dëshmua se edhe kjo qeveri vazhdon avazin e qeverive të kaluara, që Kosovën e përdorin si kartë, sa herë që kanë kriza të brendshme politike.

“Shqipëria ende nuk njeh certifikatat e origjinës së mallrave të lëshuara nga autoritetet kosovare, me çka vështirëson eksportin e prodhimeve tona dhe shkakton kolona dhe pritje të panevojshme në kufirin në Vërmicë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, 78 është numri i bizneseve të regjistruara në këtë ministri me pronarë nga Shqipëria.

Kurse, sa i përket vlerës së investimeve të huaja, gjatë vitit të kaluar Shqipëria në Kosovë ka investuar mbi 34 milionë euro.

Në qershor të këtij viti, është finalizuar projekti më i rëndësishëm energjetik “Linja e interkoneksionit 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës”, me një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.