Ekspertë të huaj për të zbardhur “dosjen e zezë” të Bankers”

Konkluzionin përfundimtar se kush është përgjegjës për lëkundjet që shkaktohen në zonën e Zharrëzës do ta japë një ekspert ndërkombëtar. Grupi i punës i kryesuar nga zv/kryeministri Qeverisë do të zhvillojë një mbledhje për të vendosur ecurinë e kësaj çështjeje. Por burime zyrtare thonë, se auditimi i gjithë procesit do t’u lihet në dorë ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë. Përgjigjja e tyre do të ndikojë në marrjen e një vendimi: nëse do të ketë evakuim përfundimtar të banorëve nga kjo zonë apo do t’i hiqet e drejta e shfrytëzimit në këtë territor kompanisë, që tashme ka pronarë kinezë. Sipas të dhënave të fundit, lëkundjet në Zharrëz vazhdojnë, edhe pse intensiteti ka qenë në rënie që nga koha kur banorët zhvilluan grevën. Ende dhe sot kompania Bankers vijon të mbajë të pezulluar injektimin e ujit me presion në këto puse, i cili shërben për prodhimin e naftës. Banorët në Zharrëz akuzojnë konçesionarin për lëkundjet e tokës që u kanë dëmtuar shtëpitë, ndërsa kompania shprehet, se lëkundjet janë aktivitet normal sizmik i zonës.