Eksodi i shqiptarëve/ Valbona Sako i dërgon letër falënderimi kryebashkiakut të Barit

173

Përkujtohet eksodi i shqiptarëve në Bari 28 vite më parë

Më 8 Gusht 1991, në Bari zbarkoi anija Vlora me 18 mijë refugjatë shqiptarë në bordin e saj. Për të kujtuar këtë datë Bashkia e Barit në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë organizuar disa evente në Bari ku midis të tjerash është dërguar në eter me anë të alfabetit mors një mesazh: “Janë njerëz të dëshpëruar. Nuk mund ti kthejmë mbrapa, ne jemi e vetmja shpresë e tyre.” Këto fjalë i ka deklaruar ditën e eksodit kryebashkiaku i Barit të asaj kohe Enrico Dalfino. Ky mesazh mund të dëgjohet në gjithë botën dhe i shërben si apel ndjenjave më të mira njerëzore të cilat nuk duhet të humbasin.

Në përvjetorin e kësaj date, Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako i ka dërguar një letër Kryebashkiakut të Barit Antonio Decaro për të falënderuar qytetin e Barit për atë mikpritje dhe ngrohtësi që treguan ndaj shqiptarëve në 1991 por që ka vazhduar deri në ditët e sotme.

Kjo letër është publikuar edhe në një nga gazetat më të rëndësishme italiane La Gazzetta Del Mezzogiorno:

I nderuar zoti kryetar Antonio Decaro. Dëshiroj t’iu falenderoj  për eventet e organizuara në kujtim  të atij zbarkimi dramatik të mijëra shqiptarëve në portin e Barit 28 vjet më parë.

Dua të falenderoj qytetin e Barit dhe zonën e Puglias për mikëpritjen, miqësinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme të gushtit të vitit 1991, që kanë vazhduar deri ditët e sotme. Dy popuj të ndarë, por të bashkuar nga deti Adriatik, kështu jemi ju italianët dhe ne shqiptarët.

Faleminderit gjithashtu edhe për këtë event, një ekspozitë që tregon për eksodin, arti që tregon dhimbjen dhe shpresën edhe nëpërmjet fotografive historike të Luca Turit, dëshmitar i atyre ditëve dhe Qytetar Nderi i Durrësit.

Një aktivitet, ai i sotshmi, që është pasuruar edhe nga transmetimi me alfabetin mors të një fraze dedikuar refugjatëve nga e gjithë bota, një argument që për ne shqiptarët nuk ka rreshtur kurrë të ngjalluri emocione të mëdha.

Më këto fjalë i nderuar kryetar, ju ftoj për të vizituar Durrësin dhe nëpërmjet jush e përhap këtë ftesë për të gjithë barezët dhe puljezët që të vijnë në qytetin tonë  për të vazhduar miqësinë e për tu njohur më shumë dhe për të shkëmbyer të gjitha ndjesitë e mira të popujve të Mesdheut.”