Ekskluzive/ Faksimile, Haxhinasto i heq shtetit 60 milionë dollarë dhe ia jep koncesionit privat

656
Sigal

Nuk kanë të sosur marrëzitë në Ministrinë e
Transporteve, e cila ka rreth 3 vjet që drejtohet nga njëri prej ministrave më
të korruptuar dhe të faktuar nga  “Zëri i
Amerikës” gjatë intervistës me Kryeprokurorin shqiptar, Adriatik Llalla. Ish-ministri
famëkeq i Energjetikës, Minierave dhe Privatizimeve,Edmond Haxhinasto do të
mbahet mënd si njeriu, i cili me veprimet dhe mosveprimet e tij i ka shkaktuar
shtetit një dëm prej 85 milionë dollarësh për shkak të mosarkëtimit të
sigurimit të kontratës. Është pikërisht fakti i denoncuar nga shteti Amerikan,
i cili nga ana e vetë ka hapur hetimet dhe se nuk do jetë e largët dita, kur
Edmond Haxhinasto do të thirret që të dëshmojë për lidhjet dhe implikimin e tij
me bankat amerikane. Kjo, pasi vetë SHBA nuk mund të pranojë që imazhi i
sistemit bankar të vihet në dyshim dhe të keqpërdoret nga kushdo kompani e
krijuar gjoja në Azinë e largët dhe e mbështetur nga bankat amerikane. Pikërisht
këtë gjë ka bërë Haxhinasto si ministër i privatizimeve, kur Shqipëria tentoi të
shiste “Albpetrol” dhe ministri në fjalë ishte Kryetar i Entit të Prokurimit”
si ministër i linjës, por ky skandal edhe pse po kërkohet të lihet në harresë
dhe dosja e tij është strukur diku në një nga sirtarët e organit të hetimit, janë
amerikanët, vendi i lirisë dhe demokracisë, që nuk do të lejojë që drejtësia e
munguar të zërë vend në shtetin e tyre të së drejtës, pasi liria dhe demokracia
janë të paplotësuara, nëse drejtësia nuk çon në bankën e të akuzuarve cilindo që
nuk respekton shtetin e së drejtës. E bëmë këtë hyrje të gjatë për të treguar
se ngjarjet nuk janë rastësi dhe se pas këtij skandali të lënë në dremitjen e
kohës, ministri Haxhinasto përgatiti një tjetër aferë dhe kishte të bënte me
targat elektronike, ku shqiptarëve ky shërbim do t’i kushtonte edhe miliona
euro të tjera (afërsisht 85 milionë euro). Sigurisht që momentin edhe kjo
masakër u bllokua nga presioni mediatik dhe ne sot do e kalojmë për t’ju
rikthyer në një tjetër moment dhe se atëherë do bëjmë me dije, faktet e
pakundërshtueshme të lidhjeve dhe krushqive të ministrit me ata që donin të merrnin
këtë shërbim të panevojshëm. I përmendëm këto dy raste, për të thënë se shteti është
bërë si ajo kullonja me vrima, që nuk mban pikë uji, ndërkohë që ministri
Haxhinasto gjen kohën dhe merret me koncesione apo e thënë më troç, tendera dhjetëra
dhe më shumëvjeçarë. Ndoshta ministri Haxhinasto do bënte mirë të merrej me
rrugët Interurbane, ato të fshatrave dhe komunave, të zonave turistike dhe
vendeve të shenjta dhe jo të harxhonte energji për koncesione që mbushin
menderen dhe xhepat e hajdutëve të këtij kallëpi, por një ditë dhe madje shumë
shpejt drejtësia do të triumfojë dhe Haxhinasto, Beqaj, Cani, Peleshi, Nikolli,
Kumbaro, Harito, Gjiknuri nuk do të gjejnë vrimë ku të futen. Ndoshta Edmond
Haxhinasto përfiton nga fakti se është beniamin i Kryeministrit Rama, por ky
fakt jo vetëm se nuk e përjashton nga përgjegjësia, por e ngarkon edhe më shumë.
Mbase do ishte më mirë që Haxhinasto, ashtu sikurse “de fakto” është njeriu dhe
beniamin i Kreut të Qeverisë, le të shkojë edhe “de jure”. E megjithatë këto do
jenë pjesë e analizave të mëvonshme dhe se sado të mundohen t’i “harrojnë”
organet e kapura të drejtësisë, përsëri ka një shtet që quhet SHBA, që nuk i
harron kollaj dhe kur të vijë dita, do t’i shqyrtojë dhe do të çojë në dyert e
qelive Haxhinaston dhe mbrojtësin e tij. Sot Haxhinasto mund të jetë moskokëçarës,
por po i kujtojmë një thënie të Sokratit, se “Dimri
kërkon ngrohtësi dhe pleqëria të mos ketë hidhërime”, dhe pikërisht në këtë
situatë do të gjendet edhe ministri në fjalë.

 

Skandali i radhës i
Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto është koncesioni i lejeve
elektronike të qarkullimit të automjeteve

 

Haxhinasto i heq shtetit 60
milionë dollarë dhe ja jep koncesionarit privat

 

Njeriu që ka lindur i verbër e ka të pamundur ta marrë me mend se ç’është
zjarri; megjithëkëtë ai di se në botë është një gjë që quhet zjarr dhe di se
zjarri të djeg. E pra këtë gjë, i vetmi që nuk e di është Haxhinasto, i cili është
kthyer në një vegël qorre, duke  i
shkaktuar taksapaguesve shqiptarë një dëm të pallogaritshëm, kur para 20 ditësh
ka nxjerrë një urdhër top-sekret për ngritjen e komisionit të dhënies së
koncesionit “për instalimin, menaxhimin dhe operimin e sistemit të
personalizimit dhe lëshimit të lejeve të qarkullimit elektronik” në formën e
propozimit të pa kërkuar, me urdhrin nr. 1109 datë 11:03. 2016. Në  të cilin thuhet se: Ministri i Transportit dhe
Infrastrukturës urdhëron ngritjen e komisionit të dhënies së koncesionit “Për
instalimin, menaxhimin dhe operimin e sistemit të personalizimit dhe lëshimit
të lejeve të qarkullimit elektronik”, në formën e propozimit të pa kërkuar. Në
mbështetje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të
nenit 6 të ligjit nr. 9000 datë 30. 01. 2003 “Për organizimin dhe funksionimin
e Këshillit të Ministrave”, ligjit nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe
Partneritetin Publik Privat” të ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave
nr. 575 datë 10. 07. 2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe
dhënien me Koncesion/Partneritet Publik Privat”, të ndryshuar.

 

Urdhëroj:  

 

  1. Ngritjen e
    komisionit të dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat “për
    instalimin, menaxhimin dhe operimin e sistemit të personalizimit dhe
    lëshimit të lejeve të qarkullimit elektronik”, si më poshtë:

 

 

Ardit Kaja                MTI                    – Kryetar

Klejda Tabaku         MTI                     – Anëtar

Nelsi Gehga             MTI         
           – Anëtar

Eni Culli                  MTI                     – Anëtar

Irma Luzi                ATRANKO          – Anëtar

Mimoza Qinami     ATRANKO          – Anëtar

Astrit Nasufi           DPShTRr              – Anëtar

 

  1. Komisioni për
    dhënien e Koncesionit/Partneriteti Publik Privat, të vlerësojë
    pranueshmërinë e propozimit të paraqitur, për të drejtën e instalimi, menaxhimit
    dhe operimit të sistemit të personalizimit dhe lëshimit të lejeve të
    qarkullimit elektroni, në formën e propozimit të pa kërkuar.

 

  1. Komisioni
    i Koncesionit:
  • Harton
    studimin e fizibilitetit për Koncesion/ Partneritetin Publik Privat, përcakton
    procedurën e zbatueshme për dhënien e Koncesionit/ Partneritetit Publik
    Privat dhe harton dokumentacionin e tenderit për dhënien e Koncesionit/
    Partneritetit Publik Privat
  • Shqyrton
    dhe vlerëson ofertat e pranuara dhe/ose kërkesat për pjesëmarrje, që janë
    dorëzuar;
  • formulon
    propozimin e përzgjedhjes së ofertës së suksesshme ose propozimin e
    vendimit për ndërprerjen e procedurës së prokurimit, si dhe shpjegimit të
    tyre;
  • kryen të
    gjitha aktivitetet e tjera që kërkohen për zbatimin e procedurës së
    koncesionit/ Partneritetit Publik Privat, në përputhje me rregulloret në
    fuqi:

për dhënien e së drejtës të instalimit, menaxhimit dhe operimit të sistemit
të personalizimit dhe lëshimit të lejeve të qarkullimit elektronik në përputhje
me kuadrin ligjor dhe rregulloret në fuqi.

 

  1. Ngarkohen
    anëtarët e Komisionit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri.

 

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë

 

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto

 

Sipas këtij urdhri një kompani e privilegjuar e ministrisë së Haxhinastos
do të marrë me koncesion shërbimin e  lejeve elektronike të qarkullimit të
automjeteve. Arsyetimi është se duhet të respektojmë direktivën e BE për këtë shërbim,
të cilin sot, që ne po e zbardhim. Këto fakte nuk i ka as Gjermania dhe as
Italia. Me pak fjalë ky është një superskandal, që do t’i kushtojë shqiptarëve
rreth 6 milionë dollarë në vit dhe për 10 vjet 60 milionë dollarë. Që të gjitha
këto para do nxirren nga xhepat e qytetarëve dhe do përfundojnë në thesin e
Haxhinastos dhe qeverisë së tij. Për 1 vit në Shqipëri përpunohen rreth 97 mijë
leje qarkullimi. Sot shteti këto shërbime i ben me 10 mijë lekë të vjetra ose 10
dollarë afërsisht, si dhe me 20 mijë lekë ose 20 dollarë certifikatën e pronësisë.
Të dyja këto shërbime kushtojnë 30 mijë lekë të vjetra ose 30 dollarë. Ndërsa
me shërbimin që do marrë privati, leja e qarkullimit do bëhet rreth 30 dollarë
dhe ajo certifikata po 30 dollarë. Të dyja 60 dollarë x 100 mijë të tilla në vit
= me 6 milionë dollarë në vit. Për 10 vjet shuma arrin 60 milionë dollarë dhe e
gjitha është fitim neto pa shpenzime, vetëm letrën që është e papërfillshme. Ja
pra ky është superskandali, që mban emrin dhe firmën e Edmond Haxhinastos. Ministri
famëkeq nuk i bën ndryshimet në Kod, sepse kjo kërkon edhe votat e opozitës, ndaj
ka gjetur këtë rrugë për të grabitur shqiptarët, pas miratimit të qeverisë, por
nëse miqtë e qeverisë dhe Haxhinastos marrin këtë shërbim, me qindra punonjës
do hidhen rrugëve dhe shteti humbet miliona çdo vit. Në ditët në vijim, ne do
sjellim të tjera fakte tronditëse për këtë situatë të nderë të krijuar nga
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe qeveria shqiptare.   

 



Të plotë shkrimin mund ta lexoni sot në Gazetën Telegraf, faqe 4