Ekrem Spahiu:Aleanca e djathtë do e kërkojë votëbesimin e qytetarëve për çfarë do bëjë në 2013-2017

441
Sigal

Ekrem Spahiu, Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit

Ekrem Spahiu, Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, në intervistën për “Telegraf” pohon se, situata parazgjedhore është e qetë dhe pa eksese. Ndërsa ndërkombëtarët apelin  për të zhvilluar zgjedhje me standarde demokratike, thotë zoti Spahiu,  ua adresojnë PD-së dhe PS-së, të cilat kanë kontrollin e plotë të procesit zgjedhor. Zoti Spahiu nuk pranon që maxhoranca në 8 vjetët e qeverisjes është “lodhur”, por mund të jetë konsumuar, dhe aleanca e djathtë, sipas zotit Spahiu,  do të kërkojë votëbesimin e qytetarëve për atë që, do të bëjë në mandatin e tretë të saj. Zoti Ekrem Spahiu, duke marrë shkas edhe nga krimi i fundit, që tronditi gjithë shqiptarët, kërkon që në Shqipëri të zhvillohet referendum, që të rikthehet dënimi me vdekje.

– Zoti Spahiu, si do ta vlerësonit klimën politike parazgjedhore?

– Klima politike parazgjedhore është e qetë dhe pa eksese. Kjo në radhë të parë është meritë e qytetarëve shqiptarë, por edhe e partive politike, të cilat po përqasen para elektoratit me alternative konkrete dhe jo konfliktualitet, apo denigrim të kundërshtarit. Me përjashtim të faktit se fushata zgjedhore ka filluar shumë kohë para afatit ligjor, nuk dallohet ndonjë gjë e veçantë.

– Apeli i ndërkombëtarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndaj kujt adresohet?

– Ky apel i ndërkombëtarëve i drejtohet në radhë të parë dy partive më të mëdha: PD-ja dhe PS-ja, të cilat për shkak të Kodit Zgjedhor hartuar dhe miratuar prej tyre kanë kontrollin e plotë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Qeveria dhe institucionet e tjera kushtetuese, që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, po veprojnë e do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe apeli ndërkombëtar nuk ka lidhje me to. Distanca e qeverisë dhe institucioneve që varen prej saj ndaj procesit zgjedhor është një standard i arritur qysh në zgjedhjet e kaluara.

– Cila mund të jetë kostoja politike, nëse zgjedhjet nuk zhvillohen sipas standardeve? Në kësi rastesh, do të ketë fitues?

– Zgjedhjet do të zhvillohen sipas standardeve dhe rrjedhimisht nuk mund te ketë përgjigje për këtë alternativë të pyetjes tuaj.

Pak kohë më parë, në një analizë të ambasadës amerikane është bërë fjalë për një lodhje të kësaj maxhorance në pushtet. Cilat do të jenë motivet politike, që e aleanca e së djathtës, do t’i kërkojë  elektoratit votëbesimin për një mandat të tretë?

– Është e vërtetë që qenia në pushtet mund të konsumojë, por nuk mund të bëhet fjalë për lodhje. Qeveria “Berisha” është treguar mjaft dinamike në zhvillimin e reformave dhe realizimin e programit qeverisës. Arritjet e kësaj qeverie janë të dukshme dhe të prekshme nga çdo shqiptar si në proceset integruese ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Aleanca e djathtë do e kërkojë votëbesimin e qytetarëve jo vetëm për ato çfarë ka bërë deri tani, por për çfarë do të bëjë në mandatin 2013 – 2017 në dobi të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

– PLL është e gatshme për zgjedhjet e 13 qershorit?

– Partia Lëvizja e Legalitetit ka filluar prej kohësh përgatitjet saj për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Jemi në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve të PLL-së për të gjitha qarqet e vendit. Kandidatët do jenë nga strukturat drejtuese të PLL-së, intelektualë të spikatur, biznesmenë të suksesshëm, përfaqësues nga shtresa e ish- të përndjekurve politikq, të rinj dhe të reja. Tashmë kemi filluar edhe takimet me anëtarët dhe simpatizantët e PLL-së, ku veçojmë atë në Kukës, që në një atmosferë entuziaste prezantuam kandidatin Sokol Nela.

– Ju si do ta vlerësonit kritikën e SHBA-ve për vendimin e gjykatës për ngjarjet e 21 janarit.

-Gjej rastin të vlerësoj dhe falënderoj qeverinë e SHBA-ve dhe Ambasadën e saj këtu për gjithë mbështetjen dhe ndihmën e dhënë ndaj Kombit Shqiptar dhe vendit tonë. Në rast se do të shkojmë më larg në histori, do të vëmë re se kjo ndihmë dhe përkrahje ka qenë vendimtare në momente kyçe të historisë tonë kombëtare. Për rastin konkret, nuk di të ketë pasur ndonjë kritikë të drejtpërdrejtë për vendimin e gjykatës, por në bindjen time të plotë çdo qëndrim apo sugjerim i SHBA-ve duhet vlerësuar me seriozitetin maksimal.

– Emërimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura, në mënyrë të njëanshme vetëm nga maxhoranca, a nuk është tregues i mungesës së hapësirës demokratike?

– Nuk mund të quhet e njëanshme në rast se ka ndodhur siç e parashikon kushtetuta dhe ligji.

– Si mund të ndërtohet besueshmëria ndaj drejtësisë?

– Megjithëse është bërë shumë për drejtësinë, duhet të vazhdohet me reforma të thella në të gjithë veprimtarinë e saj. Ne legalistët jemi shumë radikal në këtë fushë dhe nuk tolerojmë. Nëse na jepet mundësia për të drejtuar drejtësinë, absolutisht rrisim besueshmërinë e qytetarëve.

-Cili është qëndrimi i PLL-së ndaj rikthimit të dënimit me vdekje?

– Vazhdimisht Partia Lëvizja e Legalitetit e ka quajtur të parakohshëm heqjen e dënimit me vdekje dhe ka kërkuar rikthimin e tij. Ne kemi besuar dhe besojmë se dënimi në proporcion ne krimin e kryer është i drejtë, i justifikuar dhe parandalon në mënyrë efikase këtë të fundit. Bindja jonë e pandryshuar ka qenë dhe është se një pjesë e ligjeve bazë ku përfshihet edhe Kodi Penal duhet të jenë në përputhje me kushtet dhe me traditën e vendit tonë dhe jo të jenë të importuara dhe të përkthyera fjalë për fjalë nga kudo qoftë. Ne e dimë se rikthimi i dënimit me vdekje pengohet formalisht nga angazhimet ndërkombëtare që shteti shqiptar ka marrë mbi vete. Por në të njëjtën kohë ne jemi të bindur se kjo është një çështje aq e rëndësishme dhe akute sa ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të pyesë popullin e vet, qoftë edhe përmes referendumit.

 Vlerësimet e ndërkombëtarëve për korrupsionin në Shqipëri

– Meqenëse Shqipëria kritikohet nga raportet e organizmave ndërkombëtarë për pamjaftueshmërinë e luftës kundër korrupsionit, cila është përgjegjësia politike?

– Për matjen e korrupsionit nuk ka një tregues të drejtpërdrejtë dhe konkret dhe në përgjithësi organizmat ndërkombëtare i referohen perceptimeve të publikut, i cili në përgjithësi nuk është domosdoshmërisht i saktë dhe ndryshon me ngadalë. Është e vërtetë që vendi ynë ka pasur një histori të hidhur me korrupsionin, i cili hodhi rrënjë gjatë qeverisjes socialiste 1997-2005. Pas vitit 2005 janë marrë masa të rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit, ku ndër më të rëndësishmet mund të përmend heqjen e imunitetit parlamentar, ofrimin e shërbimeve on-line për biznesin dhe publikun, minimizimin e procedurave të marrjes së licencave, thjeshtimin e procedurave tatimore dhe në përgjithësi atyre administrative, etj.

– Si mund të ndërtohet besueshmëria ndaj drejtësisë?

– Megjithëse është bërë shumë për drejtësinë, duhet të vazhdohet me reforma të thella në të gjithë veprimtarinë e saj. Ne legalistët jemi shumë radikalë në këtë fushë dhe nuk tolerojmë. Nëse na jepet mundësia për të drejtuar drejtësinë, absolutisht rrisim besueshmërinë e qytetarëve.

– Faleminderit!