Ekrem Spahiu përjashtohet nga PLL, dëmtoi imazhin e partisë

43
Ekrem Spahiu përjashtohet nga rradhët e Partisë Lëvizja e Legalitetit. Vendimi është marrë nga Senati i PLL-së, pas lëvizjes që ndërmarrë gjatë javëve të fundit nga ish-Kryetari i kësaj partie, që kërkonte rikthimin në postin drejtues.
“Duke marrë parasysh se z. Ekrem Spahiu ka ndërmarrë një lëvizje destabilizuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” që u pasqyrua me një konferencë për shtyp më datë 5 shtator 2015, organet drejtuese të PLL kanë analizuar situatën e krijuar dhe kanë konkluduar se këto veprime janë jo-statutore, aventureske, dashakeqëse dhe me synim çorientimin e legalistëve dhe opinionit publik.
Në këto kushte, Senati i PLL, si organi suprem që garanton zbatimin e vijës politike dhe idealit zogist, por edhe si organi kompetent që sipas Statutit të PLL gëzon në mënyrë ekskluzive të drejtën e dhënies së masave disiplinore për anëtarët e PLL, më datë 19 Shtator 2015 zhvilloi një mbledhje të posaçme ku pasi analizoi me hollësi situatën e krijuar, doli me konkluzionet e veta dhe mori vendimet përkatëse.
Në mënyrë unanime, Senati i PLL e konsideroi këtë lëvizje si një veprim jo-statutor. Sipas Senatit të PLL, kjo shkelje statutore e ka shumëfishuar rëndësinë e saj sepse protagonistët janë shfaqur edhe mediatikisht duke pasur si qëllim që të dëmtojnë imazhin e PLL dhe të krijojnë idenë e përçarjes brenda saj.
Në të njëjtën kohë dhe po në mënyrë unanime, Senati i PLL vendosi që të përjashtojë nga anëtarësimi në PLL z. Ekrem Spahiu dhe disa protagonistë të kësaj përpjekjeje, me motivacionin “Për shkelje të rënda politike që dëmtojnë rëndë imazhin e partisë Lëvizja e Legalitetit”, thuhet në njoftimin e PLL.