Efekti i rritjes së pagave në 1 gusht

628
Sigal

 MBLEDHJA/Qeveria miratoi vendime për rritjen e pagave dhe dhënien me koncesion të hidrocentraleve

Këshilli i Ministrave miratoi dje një seri vendimesh, në tërësi lidhur me rritjen e pagave në disa kategori dhe dhënien me koncesion të një serie hidrocentralesh. Një nga vendimet e djeshme, miratimi i kontratës koncesionare për rafinerinë e Cerrikut, përbën dhe skandalin e radhës për një Qeveri në ikje. Edhe një herë iu bë favor firmës “Kurum”, ashtu si dhe më parë me portin e Durrësit, e cila përveçse shkatërrimit nuk pa asnjë investim nga firma koncesionare.

Rritja e pagave

Lidhur me vendimet për rritjen e pagave, Kryeministri Berisha u shpreh se këto vendime janë në linjat të cilat u paraqitën në mbledhjen e kaluar. “Rendi i ditës sot është shumë i pasur dhe përsëri, në tërësi, trajton një seri vendimesh për rrogat, sepse vendimet për rrogat janë sipas sektorëve edhe sipas degëve. Sot këtu janë vendime për rritjet e pagave për shumë kategori, janë edhe dy ligje shumë të rëndësishme për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Janë vendime për pagat e punonjësve të institucioneve të ndryshme, të Gardës se Republikës, të sektorit mbështetës, ministrinë e Mbrojtjes, Spitalit Ushtarak, Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri, Policinë Pyjore”, tha Kryeministri Berisha

Koncesionet

Për sa i përket vendimeve të miratuara për dhënien me koncesion të hidrocentraleve, Kryeministri Berisha u shpreh se janë historia më e madhe e suksesit në këtë vend. “nga viti 2008 e deri më sot, të firmosen në sektorin privat mbi 130 kontrata për ndërtimin e mbi 370 hidrocentraleve, po të marrim edhe këto që miratojmë sot. Ne sot miratojmë përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Driza 1”, të hidrocentralit “Gjadër”, të hidrocentralit “Zall Xhuxhe”, të hidrocentralit “Plepi”, të hidrocentralit “Kalivar”, të hidrocentralit “Kolosjan”, të hidrocentralit “Viliq”, tha Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

V E N D I M:PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.717, DATË 23.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.    Në vendimin nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a)    Lidhja I, “Nivelet e pagës bazë për klasë në administratën e Presidentit, Kuvendit, në Kryeministri, institucione të pavarura, aparatet e ministrive të linjës, institucione qendrore në varësi të Kryeministrit/ministrave të linjës dhe në prefektura”, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

b)    Lidhja nr.II, “Nivelet e pagës bazë për klasë në institucionet rajonale dhe vendore”, e përmendur në pikën 2, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

c)    Pas pikës 19 shtohet pika 19/1, me këtë përmbajtje:

“19/1 Për një periudhë transitore, punonjësit aktualë, që përfshihen në “Projekti hidrik dhe kanalizimet e Tiranës së Madhe”, “Ujësjellësi dhe ujërat e përdorura, Shkodër dhe Koplik”, “Projekte me KFË”, “Projekte të programit IPA” dhe “Projekti i shërbimeve esenciale”, në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve, do të trajtohen në pagë, si më poshtë vijon:

 – Drejtuesi i projektit (Koordinatori) barazohet në pagë me nëpunësin civil të kategorisë II-a, në ministri.

 – Specialistët barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë  III-b, në ministri.

Përjashtimisht deri në datën 1 gusht 2013, vlerat e pagave për kategoritë II-a dhe III-b, me të cilat do të trajtohen këta punonjës, të jenë sipas vendimit nr.524, datë 16.8.2012, të Këshillit të Ministrave.

ç)  Në lidhjen I/1, “Renditja e pozicioneve të përgjithshme të punës për çdo klasë për punonjësit mbështetës në administratën e ministrive të linjës, institucioneve të pavarura e kushtetuese, institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit/ministrave të linjës dhe në prefektura”,  të përmendur në pikën 4, bëhen ndryshimet e shtesat e mëposhtme:

–    Në klasën  IV shtohet emërtesa “Punëtor mirëmbajtjeje”;

–    Në klasën III emërtesa “Punëtor mirëmbajtës” shfuqizohet;

–    Në klasën VIII, emërtesat “Bibliotekar në ministritë e linjës” dhe “Ndihmësinspektor” shfuqizohen.

2.    Emërtesa “ndihmësspecialist” të vazhdojë të jetë pjesë e lidhjeve përkatëse të këtij vendimi, deri më 31 dhjetor 2013.

3.    Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore të përballohen:

– nga fondi i rezervë i Këshillit të Ministrave për politikat e pagave për vitin 2013, për efekt të rritjes së pagave për çdo klasë, dhe do të fillojnë nga data 1 gusht 2013.

– nga fondet e miratuara për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit për efekt të parashikimit të pikës 19/1.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 gusht 2013.

V E N D I M/PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.438, DATË 13.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI  DHE SHPËTIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 35, të ligjit nr.8766, datë 5.4.2001, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.    Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit”, e përmendur në pikën 1, të  vendimit nr.438, datë 13.7.2007, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Efektet financiare, për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi për politikat  e pagave, për vitin 2013.

3.    Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 gusht 2013.

V E N D I M/ PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.455, DATË 18.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT DHE SHTESAT MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT PYJOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.    Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Shërbimit Pyjor”, e përmendur në pikën 1, të vendimit nr.455, datë 18.7.2007, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, për politikat për rritjen e pagave për vitin 2013.

3.    Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e  Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 gusht 2013.

V E N D I M/PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.194, DATË 22.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGËS SË PUNONJËSVE MËSIMORË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.    Lidhja nr.1, “Struktura e pagës për punonjësit mësimorë të arsimit parauniversitar”, që përmendet në pikën 1, të vendimit nr.194, datë 22.4.1999, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Efektet financiare për vitin 2013, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi për politikat e pagave, për vitin 2013.

3.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 gusht 2013.

V E N D I M/ PËR MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT TË FORMËS “ROT” (REHABILITIM – OPERIM – TRANSFERIM), TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË “KURUM INTERNATIONAL”, SH.A., PËR REHABILITIMIN E RAFINERISË SË CËRRIKUT, RRETHI ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4, e 27, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi:

1.    Miratimin e kontratës së koncesionit të formës “ROT”  (Rehabilitim – Operim – Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Kurum International”, sh.a., për rehabilitimin e rafinerisë së Cërrikut, rrethi Elbasan, sipas tekstit dhe anekseve, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.    Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.