Edvin Kulluri: Koncepti i “konfliktit të interesit” për Ramën e “Ramët” e qeverisë, është diçka qesharake

104
Edvin Kulluri, Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD në intervistën për gazetën “Telegraf” ,duke analizuar aktualitetin politik, shprehet se ekonomia është në prag të kolapsit, sepse qeveria e sheh ligjin si pengesë, ndaj thjesht nuk e zbaton. Këta çdo ditë gjejnë shtigje për të abuzuar me pasurinë dhe fondet publike. Për reformën në drejtësi, zoti Kulluri shprehet se PS kërkon një drejtësi nën kontrollin total të ekzekutivit dhe mazhorancës. Ndërsa për PD, zoti Kulluri shprehet se lideri i saj Basha, do ta çojë opozitën në pushtet, veçse duhet të mos bëjë plagjiatura të lëvizjeve të mëparshme.
-Zoti Kulluri, ju si e shpjegoni që shqiptarët nuk kanë më besim as te qeveria, por as te opozita, se mund të ndryshojnë për të mirë gjendjen e vështirë, në të cilën kemi mbërritur?

– Nuk është se kemi një sondazh të pas zgjedhjeve të 21 qershorit për të qenë kategorik në vlerësimin që ju parashtroni rreth besimit të publikut ndaj mazhorancës apo opozitës. Një gjë është e sigurt, gjendja në vend është shumë e vështirë. Mos të them e rëndë. Ekonomia është në prag të kolapsit, për shkak të “izolimit” të qeverisë nga e vërteta. Të gjitha të dhënat tregojnë se, në vend të kokëfortësisë dhe mosreagimit, kryeministri duhet të dëgjojë shoqatat e biznesit, analistët dhe aq më tepër edhe opozitën, të cilat po përsërisin shqetësimin e madh mbi papunësinë, azilin, inflacionin e ulët, uljen e taksave, shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, rritjen e madhe të borxhit publik, problemet e sistemit bankar, mungesën e investimeve të huaja e të brendshme etj.. Të kuptohemi që, në dy vjet krijimi dhe thellimi i këtyre sindromave të një ekonomie të sëmurë është bërë i mundur vetëm falë paaftësisë dhe kokëfortësisë së kryeministrit. Dallohet një lehtësi me të cilën merren gjerat nga Rama dhe ministrat e tij. E vetmja gjë që trajtohet me shumë përkushtim është imazhi. Ndërsa për opozitën mendoj se në vetëm 2 vite, është e pamundur të shndërrohet në shumicë. Së pari, sepse inercia e zgjedhjeve të vitit 2013, nuk mund të ndërpritet kaq shpejt. Së dyti, largimi i LSI dhe PDIU do të thotë se balanca elektorale ka pësuar një ndryshim jo të parëndësishëm. E, së treti, zhvillimet brenda PD të pas 21 qershorit nuk mund të absorbohehen kaq thjesht. Kemi një lider të ri, ekip të ri, e për rrjedhojë rrethana të panjohura më parë me saktësi. Çdo gjë kërkon kohën e vet. Por fatkeqësisht me këtë qeveri, koha është shumë e vyer. Pritshmëritë ndaj opozitës, sa vijnë e shumëfishohen çdo ditë. 
– A mund të shpresojmë se mund të integrohemi, kur shqiptarët, përditë dhe më shumë bëhen edhe më të varfër?

– Varfëria është pasojë dhe jo shkak. Dhe ajo që e shkakton varfërinë është kryesisht mosshpërndarja e drejtë e të ardhurave, burimeve, kapitalit, dhe kushteve të garës. Në një vend me probleme të mëdha strukturore, si sistemi i drejtësisë jo eficient dhe problemit të pronës private që nuk po merr zgjidhje, integrimi në BE është thuajse i pamundur të arrihet. Resurset e tranzicionit, mesa duket, janë shteruar. Kemi hyrë në një fazë të zhvillimit që kërkon një mjedis institucional dhe ligjor serioz. Këto nuk i kemi, ndaj dhe sillemi rreth vetes në këto vite. Ka progres të paqëndrueshëm, sporadik e të përkohshëm. Ashtu siç ka shenja mjaft të mira. Infrastruktura, ekonomia rurale, teknologjia e informacionit, apo shërbimi bankar sa për të marrë disa shembuj, kanë hyrë ne rrugë të mbarë. Por nuk mjafton. Shqipëria ka nevojë për rritje ekonomike 2-shifrore, ose diçka më poshtë.
– Ju si e shpjegoni që korrupsioni mbizotëron në klimën tonë politike, ndërsa me ndërrimin e qeverisë, thjesht u ndryshuan rolet e aktorëve, nga të akuzuar në akuzues dhe anasjelltas, por në drejtësi askush nuk dërgohet për gjykim?

– Qeverisja e mëparshme nuk ka qenë imune ndaj korrupsionit. Por nëse pas 2005, pati një sërë ndryshimesh ligjore, që i hiqnin mundësinë korrupsionit të përparonte, sot po ndodh e kundërta. Më keq akoma, nuk është se degradimi po vjen përmes ligjit, por prej shpërfilljes së tij. Koncepti i “konfliktit të interesit” për Ramën e “Ramët” e qeverisë, është diçka qesharake, e parëndësishme. Sa për ish- mazhorancën, pavarësisht nga rënia e intensitetit në mandatin e dytë, ju e kujtoni mirë se sa ministra kanë dhënë dorëheqjen, drejtues të tjerë në nivel qendror e lokal kanë përfunduar në gjykata, apo prokurori. Ashtu siç ka pasur dhe ekzagjerime nga opozita e asaj kohe në akuza, çka e tregoi fushata e shëmtuar e Ramës ndaj disa ish ministrave të PD, të cilët nuk u gjetën përgjegjës për shkelje të ligjit nga drejtësia.
– Sipas jush, cilat janë gjërat e mira që ka ndërmarrë deri tani kjo qeveri?

– Ndalimi i gjuetisë. Mbase edhe ndonjë stadium. Të tjerat janë propagandë, ndaj nuk ia vlen të ndalem.
– Në politizimin e administratës publike, edhe kjo maxhorancës u soll, sikurse u soll PD para 8 vjetësh. As ligji i Nëpunësit Civil, që u miratua me konsensus nuk funksionoi. Atëherë, sa kohë do të vazhdojë ky rrënim, në dëm të ndërtimit të shtetit? 

– Për hir të së vërtetës, ligji që u miratua me konsensus në maj të 2013 ishte mjaft i mirë. Ndryshimet e njëanshme të mazhorancë se sotme e zhbënë edhe ligjin edhe konsensusin. Ka ardhur koha që kjo situatë me administratën të marrë fund. Mbase duhen riparë disa parime që lidhen me eficiencën dhe jo vetëm me mbrojtjen ligjore, por stabiliteti i administratës duhet hyjë në rrugën e vet. Duhet konsensus i ri. Se kur? Nuk mund ta dimë sot.

-Përse opozita nuk prek temat e ditës, sikurse janë varfëria, papunësia, shërbimi i administratës ndaj qytetarëve, por u përmbahet çështjeve të korrupsionit, ku edhe për maxhorancën është një lojë e preferuar politike, e cila nuk jep bereqet për qytetarët dhe largon vëmendjen nga keqqeverisja?
– Nuk më rezulton të jetë kështu. Nëse ka një çështje, për të cilën PD dhe Basha kanë insistuar, ka qenë pikërisht gjendja e rëndë ekonomike dhe formulimi i rrugëzgjidhjeve për t’i ikur skenarit dramatik. Por korrupsioni dhe çështjet e arrogancës së qeverisë ndaj qytetarëve, biznesit, studentëve e kështu me radhë nuk mund të lihen jashtë agjendës së diskutimit publik.
– Përse sot, opozita propozon ato lehtësira fiskale, të cilat para 2 vjetësh nuk i zbatoi? Për populizëm e bën këtë?

– Pa dashur të zgjatem, nuk di të ketë pasur qeverisje më liberale në terma ekonomike, se ajo e Berishës në Europën Lindore. I kujtoni fare mirë dhe kritikat e PS në atë kohë. Por nuk e dinim që në pushtet do të vinte një kryeministër ultra i majtë.
– Komisioni i Venecias a mund të bëhet arbitër, se kujt palë politike do t’i japë të drejtën e draftit që kanë paraqitur maxhoranca dhe opozita për reformën në drejtësi?

– Nuk është çështja kujt do i jepet e drejta. Problemi qëndron se kush ka të drejtë? PS kërkon një drejtësi nën kontrollin total të ekzekutivit dhe mazhorancës. PD, nga ana tjetër,ka dy kushte. Drejtësi efikase, por vetëm nëse është e pavarur dhe me kapacitetin për të kontrolluar po ashtu dy pushtetet e tjera. Nuk e di ç’qëndrim do të mbajë LSI. Jam vërtet kurioz. Më vjen keq ta them, por kjo reformë nuk mund të bëhet nën motot e shokut Mao.
– Kaq e thjeshtë është, që nëse jepet konsensusi maxhorancë-opozitë, për draftin e reformës në drejtësi, do të ketë edhe vullnet politik, që drejtësia jonë të japë drejtësi?

– Nuk ka konsensus pa kushtet e mësipërme. Ato nuk i shërbejnë opozitës, por vendit. Nuk kemi luksin të “rrëshqasim” në autokraci dhe oligarki. Duhet të synojmë demokracinë perëndimore.
– Ju faleminderit!