Eduard Selami: Lidershipi aktual i PD më ka zhgënjyer, nuk ngjall shpresë dhe besim

493
Duke folur në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami tha se, Basha ka zhgënjyer demokratët. Sipas tij, opozita nën drejtimin e Bashës, edhe pse gjendet përballë një qeverisje shumë të keqe, nuk ngjall shpresë. Sipas Eduard Selamit, opozita akoma nuk ofron alternativë dhe nuk ngjall shpresë. Kjo për shkak të lidershipit të PD-së. Ai nuk ngjall shpresë, ndaj edhe kjo qeveri rri në këmbë në një kohë kur shqiptarët lartohen për azil ekonomik në vendet e BE-së”, tha Selami. Lidershipi i PD-së më ka zhgënjyer mua dhe një pjesë të mirë të demokratëve”, vijoi me tej ai.
VOA: Zoti Selami, si e mendonit Shqipërinë 25 vjet më parë dhe si e mendoni atë sot?
Selami: Nuk mendoja kurrë që 25 vjet do të kalonin dhe Shqipëria do të kishte akoma probleme, të cilat janë probleme të kuptueshme për pak vite në demokraci, sesa tani. Pata rast edhe përpara disa javësh të isha në fondacionin Konrad Adenauer dhe theksova mendimin që fatkeqësisht Shqipëria gjatë këtyre 25 viteve nuk është një histori suksesi. Thashë që është në rrugën e drejtë se nuk mundet dot që të argumentohet që rruga e demokracisë, rruga e lirisë, rruga e Europës nuk është rruga e drejtë, por nuk është në drejtimin e duhur sepse nuk ka krijuar institucione demokratike, nuk ka sistemin e drejtësisë, ka probleme të mëdha me korrupsionin, ka probleme të mëdha me inkriminimin. Ekonomia vuan dhe prapë është një nga vendet më të varfra, kështu që për mendimin tim, këto 25 vjet nuk janë shfrytëzuar, ashtu siç duhet nga shqiptarët dhe përgjegjësia kryesore i bie elitës politike.
VOA: Ndërkaq ju jeni një i brendshëm i PD. Si shpjegohet që ka kaq pak demokraci në partitë politike në Shqipëri, duke përfshirë edhe partinë tuaj. A ka korrupsion brenda partive? Brenda udhëheqjes e kam fjalën…
Eduard Selami: Mendoj që partitë politike, fatkeqësisht që janë organizatat ndër më kryesoret, sidomos në problemin e institucionalizimit të lirisë që është demokracia, në Shqipëri kanë shkuar në drejtimin e gabuar. Ka më pak hapësirë dhe demokraci sot në partitë politike, sesa në fillimin e saj dhe ky është një drejtim, i cili është mjaft shqetësues. Unë mendoj që Shqipëria është një republikë partiake, ku partitë janë institucionet më të fuqishme, i cili është një problem mjaft i madh për Shqipërinë, por dhe vetë partitë janë thjeshtë prona personale të drejtuesit që nga vendimmarrja, nga përzgjedhja e politikave, nga gjithçka tjetër dhe ky është një problem mjaft shqetësues për politikën shqiptare, problem, i cili është në të gjitha krahët dhe që po vjen duke u përkeqësuar.
VOA: Shumë interesant konstatimi juaj. Prona private të udhëheqësve thatë? Mund ta sqaroni më shumë këtë koncept, se çdo të thotë pronë private në këtë kuptim?
Eduard Selami: Personale, sesa private. Ato thjeshtë nuk trajtohen si prona private, por personale, ku drejtuesi, pasi merr mandatin dhe mënyra e marrjes së mandatit është e kontestueshme, pastaj nuk pyet më njeri. As institucionet, as strukturat, as vendimmarrjet si për probleme të vogla, ashtu dhe për probleme të mëdha. Kjo është në të gjitha, për të gjithë ata që e ndjekin dhe e njohin Shqipërinë sadopak, mendojnë që e kuptojnë fare qartë se çka unë po them.
VOA: Udhëheqësit dhe deputetët nuk merren me problemet.
Eduard Selami: Pikërisht. Po ta shikosh me kujdes, nga 2008 janë ata që vendosin dhe kur ngrihet zëri me të drejtë për dekriminalizimin, pyetja që del është pse i vutë atje? E dyta, kur flitet për dekriminalizimin e njerëzve, që kanë bërë krime shumë të rënda, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka mjaft krime të tjera, të cilat mbahen dhe nuk kanë shkuar në gjykatë akoma dhe kur flitet për reformë në drejtësi, krerët e partive, janë ata të cilët e kanë mbajtur peng, sepse nuk duan që të japin llogari dhe kanë promovuar kulturën e mosndëshkimit.
VOA: Një nga detyrat e opozitës është që t’u japë njerëzve një shoqëri për të ardhmen e tyre, por më duket se këtë nuk po e realizon dot PD?
Eduard Selami: Megjithëse ne kemi një nga qeverisjet më të këqija të këtyre 25 viteve me Kryeministrin aktual, me Ramën dhe me bashkëpunëtorin e tij Meta, unë mendoj përsëri se fatkeqësisht nuk kemi arritur që të ngjallim shpresë. Lidershipi i sotëm i opozitës, i PD nuk ngjall shpresë. Megjithëse u premtuan vendet e punës? Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët, me mijëra, me dhjetëra mijëra; u premtua arsimi? Është më dobët se kurrë; Po kështu reforma në drejtësi, të gjitha premtimet nuk janë mbajtur. U premtuan reforma të thella… nuk bëhet fjalë fare. Është një nga qeverisjet më të këqija, por fatkeqësisht ju keni të drejtë, bashkohem me konstatimin tuaj që lidershipi aktual i PD nuk ngjall shpresë dhe besim.
VOA: Zoti Selami, jam i sigurtë që partia juaj ka bërë një farë analize për humbjen në vitin 2013. Në ç’frymë është bërë kjo analizë dhe a ka një konkluzion të qartë nga ajo që është diskutuar? 
Eduard Selami: E përgjithshme dhe e sipërfaqshme. Ato gabime që na sollën në 2013, u përsëritën përsëri në 2015. Nuk ka qenë një analizë e thellë, nuk është një analizë e thellë realisht sepse nuk i drejtohet problemeve kryesore dhe për mendimin tim dhe lidershipi i ri aktual i PD, më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të PD që duan ta shikojnë edhe njëherë PD si parti e shpresës për shqiptarët, që kësaj qeverisje të keqe, nga më të këqijat që po jep kjo qeveria Rama-Meta, ne kishim një shpresë që për 1 vit, për 2 vjet të ishim ata që i jepnim një drejtim tjetër. Nuk po arrihet kjo gjë. 
Sigal